Kombëtarja e U-19 mban grumbullim dy ditor në Hajvali
Kombëtarja e Kosovës U19 në futboll për dy ditë radhazi ka mbajtur grumbullim me futbollist vendor për të parë nga afër formën e tyre.
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës U-19, Ramiz Krasniqi, gjatë dy ditëve ka punuar me stafin e tij, një ditë ka mbajtur ushtrime tekniko-taktike ndërsa ka zhvilluar edhe një ndeshje miqësore me Fushë Kosovën duke ju dhënë të gjithë futbollistëve hapësirë për të treguar kualitetet e tyre.
“Ishte një grumbullim dy ditorë dhe ishte mjaft i suksesshëm, qëllimi ynë është që sa më shumë të jemi së bashku me futbollist për të parë nga afër formën e tyre, na mbetet edhe shumë punë për të punuar nëse kërkojmë rezultate të mira por ne do të vazhdojmë të punojmë me këta futbollist, pasiqë alternativë tjetër nuk kemi pasi mosha në këtë kategori na dikton dhe ne duhet të japim gjithçka nga vetja për t`i koordinuar futbollistët”, ka thënë përzgjedhësi Krasniqi.
Krasniqi ka bërë të ditur se brenda 7 ditësh do të ketë edhe një grumbullim tjetër me futbollist nga diaspora për 4 ditë me radhë për të parë nga afër kualitetin e tyre.
“Brenda 7 ditëve do ti ftojë futbollistët nga diaspora për të parë nga afër potencialin e tyre por do të jetë shumë vështirë, së pari për shkak pandemisë COVID-19 por edhe shumë futbollist po kanë probleme pasiqë klubet e tyre nuk po i lejojnë të vinë për shkak angazhimeve të tyre”.
Gjendja e pandemisë përzgjedhësit Ramiz Krasniqit i ka shkaktuar probleme të mëdha pasiqë Kombëtarja e Kosovës është dashur që në Lituani për pesë ditë ti zhvillon dy ndeshje miqësore.
“Po, ne kemi pasur të udhëtojmë tani në fillim të shtatorit për Lituani por shteti i Kosovës është në zonën e kuqe dhe është anuluar ky udhëtim. Ky anulim për ne është hendikep pasi ishte një rast i mirë për ne që të shohim përballjen tonë në arenën ndërkombëtare para eliminatorëve të Kampionatit Evropian”.
T’ju përkujtojmë se “Dardanët” e rinjë në eliminatore bëjnë pjesë në Grupin 10 së bashku me Norvegjinë, Gjeorgjinë e Uellsin./rajonipress/


