Drita do të jetë një Dritë e re e cila do të shkëlqejë në këtë kampionat
Skuadra e Dritës me paraqitjet e saja në arenën ndërkombëtare na ka bërë të ndihemi krenar, ndërsa një ditë para fillimit të Kampionatit 2021/22, krerët e “bardhekaltërve”, në projektin e tyre tani e tutje do të kenë konferencë për shtyp para çdo ndeshje kampionale.
Kjo iniciativë e krerëve të klubit do të jetë një ndihmesë e madhe për gazetarët por edhe për futbolldashësit që të jenë për së afërmi të informuar për rrjedhat e klubit.
Në konferencën e parë për këtë kampionat ishte prezent drejtori Valon Zymberi, trajneri Ardian Nuhiu, si dhe zëdhënësja e klubit për media, Elife Sherifi.
Drejtori Valon Zymberi gjatë konferencës me gazetarë shpalosi prurjet e reja të futbollistëve, largimet dhe gjendjen e stadiumit.
“Merkatoja ka qenë mjaft e vështirë pasiqë ishim të zënë me ndeshjet ndërkombëtare, por kemi arritur ti sjellim disa futbollist të cilët ishin primarë për skuadrën por e gjithë kjo është bërë fal një pune intensive të gjithë stafit dhe kemi arritë të bëjmë një reformë të re në klub me futbollist të rinjë të cilët do të bartin barrën kryesore gjatë tërë kampionatit”
Zymberi ka theksuar se gjendja e stadiumit është problem në vete.
“Kjo gjendje e stadiumit po na penalizon me të madhe pasiqë ne nuk po mundemi ta zhvillojmë lojën tonë, i kemi humbur të gjitha shpresat për më mirë kemi ardhur në
një gjendje që nuk po dimë se te kush të ankohemi por apeloj sa më parë edhe njerëzit e komunës edhe qeverinë e Kosovës që stadiumi të rregullohet sa më parë pasiqë kjo është në dëm të klubeve dhe njerëzve cilët investojnë për të mirën e futbollit”.
Trajneri Ardian Nuhiu në këtë konferencë ka bërë të ditur se skuadra e Dritës do të jetë një skuadër e re me synime të njëjta për titull të kampionit.
“I kisha uruar të gjithë futbollistët e kampionatit të kaluar për angazhimin e tyre, tani është radha që futbollistët e ri të cilët i kemi sjellë gjatë merkatos të tregojnë vlerat e tyre pasiqë boshtin e skuadrës e kemi ruajtur, këtë e dëshmuam edhe në paraqitjet tona në arenën ndërkombëtare. Kampionati do të jetë i gjatë, shumë klube kanë investuar por ne do ti marrim ndeshjet me radhë duke shpresuar se do t’ja arrijmë qëllimin tonë”.
Nuhiu ka përmendur edhe sjelljen e VAR-it në futbollin e Kosovës.
“E përgëzoj FFK-në për sjelljen e VAR-it do të jetë një ndihmë shumë e madhe për çdo skuadër me këtë edhe futbolli ec më sigurt”./rajonipress/


