Lamtumirë vogëlushë!
Dyert ishin hapur herët, por brenda oborrit nuk dëgjohej asgjë. Heshtja dominonte shtëpinë e familjes Mramori dhe oborrin përreth. Njerëz të përlotur ishin nisur për ngushëllime qysh në mëngjes. Gjënë e parë që shihnin në hyrje të shtëpisë ishte fotografia e Florent dhe Florentina Mramorit që kishin mbushur 13 vjet. Nga tragjedia që u ka ndodhur askush nga familjarët nuk mund të thoshte se çfarë po përjetonin në të vërtetë. Derisa familjarët po prisnin trupat e dy fëmijëve që humbën jetën tragjikisht, grupe të shumta të të afërmve vazhdonin të vinin për ngushëllim.
Në orët e mesditës tashmë një furgon po i afrohej shtëpisë. Ishin trupat e pajetë të Florentit dhe Florentinës që i dorëzoheshin familjes. Qindra qytetarë tashmë ishin nisur për te vendi, ku trupat e të dy fëmijëve do të pushonin përjetësisht.
Në orën 17.00 të së premtes filloi ceremonia e varrimit dhe në të morën pjesë qytetarë të shumtë. Pakkush iu përmbahej lotëve dhe dhimbja kishte përfshirë të gjithë. Në varrim po merrte pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili gjatë ditës kishte vizituar familjen, së cilës i kishte premtuar se do t’i dilte në ndihmë.
Ahmeti ishte i shoqëruar nga Xhelal Sveçla, i cili dha dorëheqje nga pozita e drejtorit të Inspektoratit në Komunë të Prishtinës, vetëm një natë më parë, pasi theksoi se ishte i vetëdijshëm për përgjegjësinë morale që ka. Por përveç Ahmetit dhe Sveçlës në varrim kishte edhe persona të tjerë. Një ndër të pranishmit ishte edhe ish-zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.
Pak pas përfundimit të ceremonisë së varrimit një nga nxënëset e shkollës në të cilin vijonin mësimet Florentina dhe Florenti lexoi një letër emocionuese që i bëri të qajnë të gjithë që i kishte pranë.
“Dje, krejt papritur u hapën me mijëra pikëpyetje: pse, qysh, si dhe pse kaq shpejt? Pas gjithë kësaj u pa se çka bën motra për vëllain. S’mund t’i harrojmë sjelljet e mira të nxënësve si ju! Kujtimi për ju do të jetë prezent gjithmonë derisa jetojmë në këtë botë mizore”.
Florenti dhe Florentina humbën jetën të enjten pasi ranë në një gropë të thellë në lagjen “Kolovicë” në Prishtinë.
Vazhdon kërkimi i llogarisë
Përderisa familja Mramori po përballet me dhimbje, akuzat dhe kërkimi i llogarisë ka vazhduar edhe gjatës së premtes.
Asamblisti nga radhët e LDK-së, Flamur Shala, vdekjen e dy fëmijëve e ka quajtur tragjike.
Shala ka thënë se dorëheqja e drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Xhelal Sveçla, nuk është kryefjalë, por është vdekja tragjike e fëmijëve.
“Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, duhet të jetë i matur në këto ditë dhembjeje, sepse përgjegjësia është te ai vetë”, ka thënë Shala për gazetën “Zëri”.
Të veprojë drejtësia
Ndërkohë, kryetari i PDK-së në Komunën e Prishtinë, Lirak Çelaj, dorëheqjen e drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Xhelal Sveçla, e ka quajtur një akt i cili duhej bërë, por, sipas tij, dikush duhet të japë përgjegjësi penale për këtë rast.
Çelaj ka thënë se për shkak të gabimit të një njeriu kanë pësuar këta fëmijë.
“Për shkak të gabimit të një njeriu kanë pësuar këta fëmijë, tash kush do të jetë ai që do ta pësojë, kjo është çështje e organeve të hetuesisë që duhet ta përcaktojnë fajësinë”, ka thënë Çelaj. Ai ka thënë se përgjegjësi penale do të kenë edhe institucionet, sepse, sipas asaj që po del në media qytetarët kanë kërkuar që të mbulohet kjo gropë, duke shtuar se përgjegjësia rritet edhe më shumë dhe institucionet e Komunës këtë problem e kanë injoruar.
“Dikush duhet të japë përgjegjësi penale për këtë punë dhe nuk bën të shkojë kjo punë pa u ndëshkuar askush”, tha Çelaj.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, vdekjen e dy fëmijëve e ka quajtur tragjedi të rëndë. Ai ka thënë se tragjedia që ka ndodhur dje në komunën e Prishtinës është një moment i fundit për të rishikuar dhe rivlerësuar qasjen institucionale në raport me rrezikshmërinë dhe masat preventive të domosdoshme./zeri/


