Dalja e Britanisë nga BE-ja shqetëson Kosovën
Referendumi i mbajtur në Mbretërinë e Bashkuar për të dalë nga Bashkimi Evropian është përcjellë me shqetësime në Kosovë, pasi Britania ishte njëra ndër shtytëset më të mëdha të proceseve integruese për vendin.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, megjithëse janë të shqetësuar me vendimin e popullit britanik për ta braktisur BE-në, thonë se vendi do të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt integrimit në këtë union. Ndërsa njohësit e integrimeve evropiane kanë qëndrime të ndryshme rreth asaj se a do të ketë efekt te Kosova dalja e Britanisë nga BE-ja.
Ministri i Integrimeve Evropian, Bekim Çollaku, ka shprehur shqetësimin e tij për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.
“Kjo është një ditë e trishtuar! Anëtarësimi i Britanisë së Madhe në BE ishte një frymëzim për të gjithë ne që aspirojmë t’i bashkohemi”, ka shkruar Çollaku në “Twitter”.
Kurse ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka thënë se vota britanike për dalje nga BE-ja do të sjellë paqartësi me efekte të drejtpërdrejta në politikën e zgjerimit të BE-së./zeri/


