Matoshi në takim me KFOR-in italian: Problemi i Karaqevës të marrë zgjidhjen e duhur
Kamenicë – Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi, ka pritur sot në takim një ekip të KFOR-it Italian. Matoshi ka falënderuar KFOR-in Italian për angazhimet e tyre në fushën e sigurisë dhe i ka njoftuar ata me gjendjen e sigurisë në komunë.
“Kamenica është një komunë shumë e qetë dhe me siguri për jetesë për të gjithë banorët e saj, këtu jetojnë në harmoni të plotë komuniteti shumicë shqiptar me komunitetet e tjera si serbët dhe romët. Komuna po bën përpjekje të vazhdueshme për të krijuar kushte më të mira jetese për të gjithë.” tha nënkryetari Matoshi i cili edhe e falënderoi KFOR-in Italian për ndihmat dhe mbështetjen dhenë qytetarëve të Kamenicës përmes Degës së Kryqit të Kuq në Kamenicë.
Marshall Catrini, shefi i skuadrës MSU – Carabinieri të cilët e kanë bazën në Prishtinë, e falënderoi nënkryetarin Matoshi për takimin dhe komunën në përgjithësi për angazhimet e veta në të gjitha fushat.
Në takim u ngrit dhe u diskutua si i vetmi problem i sigurisë situata e pazgjidhur me vijën kufitare me Serbinë në Karaqevë. Për këtë Nënkryetari Matoshi kërkoi edhe nga KFOR-i Italian që ta ngrisë këtë çështje në të gjitha nivelet në mënyrë që ky problem të marrë zgjidhjen e duhur./rajonipress/


