Për barrikadën përgjegjëse është BE-ja, ka dhënë garanci
Për mospërmbushjen e premtimeve dhe të garancive që i kanë dhënë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe BE-ja, se barrikada mbi lumin Ibër do të hiqet dhe ura do të hapet për qarkullim të njerëzve dhe të automjeteve, më 15 qershor 2016, mitrovicasit e bëjnë përgjegjëse BE-në, madje disa nga ata thonë se Zhbogar është duke shantazhuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, me shpallje të zgjedhjeve për kryetar të Mitrovicës.
Mitrovicë. 15 qershori 2016 ka qenë afati i fundit për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për lëvizje të njerëzve dhe qarkullim të automjeteve. Për këtë datë, garanci pati dhënë Zyra e BE-së në Kosovë, përkatësisht përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar. E një premtim këmbëngulës se ura do të hapet më 15 qershor 2016, e pati dhënë edhe kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, shkruan ‘Zeri’.
Por doli të jetë që edhe garancitë e BE-së për urën, e edhe premtimet e të parit të Mitrovicës të jenë të njëjta, “vetëm fjalë sa për të thënë diçka”. Madje mitrovicasit thonë se janë mësuar me këso premtimesh që nuk mbahen kurrë dhe me garanci që tregojnë për asgjë.
“Premtimet nuk po mbahen, sepse po jepen kuturu, pa asnjë bazë. Këta tanët sikur nuk po e dinë se krejt punët i kanë në dorë serbët e veriut, të cilët kanë mbështetjen e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe të Zhbogarit”, thotë Sadik Ibrahimi, nga një fshat i Mitrovicës./zeri/


