UBT

Kufijtë në dëm të shqiptarëve

/ 12 minuta lexim
Hidromorava

Nga Riza Smaka – Shtetet, të cilat çështjet kufitare i kanë trajtuar jashtë standardeve juridike ndërkombëtare valide, kanë mbjellë pasiguri, mungesë besimi reciprok, si dhe vatra të konflikteve të paevitueshme në një të ardhme në vijim.

Introduktë për studimin e Prof. Dr. Zejnullah GRUDA

Shtetet, të cilat çështjet kufitare i kanë trajtuar jashtë standardeve juridike ndërkombëtare valide, kanë mbjellë pasiguri, mungesë besimi reciprok, si dhe vatra të konflikteve të paevitueshme në një të ardhme në vijim.

Çështja e delimitimeve dhe e demarkimeve ndërkufitare kurdoherë ishte, është dhe pa dyshim do të jetë temë sensitive e delikate, në një anë, si dhe e karakterit socioekonomik, politik, psikologjik, kombëtar, historik, kulturor dhe emocional, në anën tjetër. (Shih më gjerë në QPZH, Frederich Ebert Stiftung, Demarkacioni Kosovë – Mali i Zi, R. Smaka, Delimitacioni dhe demarkacioni ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, f.26 – 31) Shtetet, të cilat i kanë zgjidh drejt vijat ndërkufitare, ndër të tjera, kanë siguruar kufij stabilë, të qëndrueshëm, e si të tillë të respektueshëm, bilateralë dhe më tej. Ndërkaq shtete të cilat çështjet kufitare i kanë trajtuar jashtë standardeve juridike ndërkombëtare valide kanë mbjell pasiguri, mungesë besimi reciprok, si dhe vatra të konflikteve të paevitueshme në një të ardhme në vijim. Aktualisht Kosova dhe Mali i Zi janë dy shtete demokratike të njohura reciprokisht, si të tilla e mbi të gjitha entitete politike indipedente me kufij të sanksionuar më herët përderisa të njëjtat ishin konstitutente federative të ex YU II ( 1945 – 92).

Neglizhenca burokratike Në situatën e tanishme, delimitimi dhe demarkimi ndërshtetëror i kufijve të po këtyre shteteve është temë ditore dhe atë në mënyrën e metodën ndërkombë- tarisht të mirënjohur duke u bazuar fillimisht në vijat kufizuese paraprakisht të karakterit administrativ e tanimë të natyrës së kufijve ndërshtetërorë finalë e të qëndrueshëm dhe për aq të pranueshëm reciprokisht. Pasi që Komisioni Kosovar për Demarkacion Kufitar të Kosovës me Malin e Zi, nga neglizhenca burokratike, duke mos i përfillë standardet ndërkombëtarisht të mirënjohura e të konfirmuara empirikisht, as praktikat e mira në këtë tematikë, ka rezultuar projektimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në dëmin esencial të vendit tonë, imediatisht ka reaguar kundërshtueshëm shoqëria civile, pjesa e konsideruar e klasës intelektuale e ndër të tjerë edhe mbi 200 000 qytetarë !

Në anën tjetër për habi të këndshme autoritetet kompetente të Malit të Zi janë deklaruar publikisht disa herë se shteti i tyre është i gatshëm për rishikim të projektit të Marrëveshjes për Demarkacion nga kryeministrat e shteteve në fjalë. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Isë Mustafa, për befasi të pakëndshme e irracionale, dhe pse me Marrëveshjen në fjalë, Kosova sikundër të ratifikohej, do të dëmtohej esencialisht për cirka 8500 hektarë, në vend të mirëpritjes së gatishmërisë gjeneroze malazeze për rishikim të atij dokumenti, irracionalisht dhe në asnjë mënyrë justifikueshëm, qëndron indiferent e indolent sikundër të ishte fjala jo për cenimin e integritetit territorial të vendit ku e gëzon pozicionin e premierit, por të një shteti jashtë kontinentit tonë (sic). Referuar skicimit skandaloz të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në dëmin e Kosovës, në ndërkohë kanë pasuar kundërshtime të argumentuara, bindëse e me asgjë të kontestuara shumë proklamime, deklamime, publikime të analizave profesionale dhe të studimeve individuale e grupore ndër të tjera edhe të teksteve serioze, ndër të cilat është libri i prof. dr. Zejnullah Grudës, i cili në këtë ditë doli nga shtypi.

Kufijtë në dëm të shqiptarëve Nga shkaqe e faktorë më së të ndryshëm, kufijtë etnikë, realë, të drejtë, të trojeve shqiptare nga viti 1878, përkatësisht Kriza e Lindjes deri në aktualitet, gjatë etapave historike kritike, rëndom janë rrudhur në dëmin e shqiptarëve. Duke e tejkaluar etapën historike për hir të hapësirës dhe destinimit të këtij traktati, do të përmendim vetëm dy rastet, një të Dëbelldesë dhe, dy të segmenteve territoriale kosovare buzë Malit të Zi, në të cilat Kosova padrejtësisht dhe tërësisht iracionalisht është dëmtuar rëndë territorialisht. Përderisa rasti i Dëbelldesë është mbyllur, u mor vesh në dëmin e vendit tonë, tani kanoset rreziku serioz që një episod i tillë të kontrabandohet me violencë politike të paparë pikërisht nga Qeveria përkatësisht Kuvendi i Kosovës, dy institucione më të thirrura për zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve të bazuara në të si dhe, ndër të tjera për mbrojtjen e sigurimin e sovranitetit dhe të integritetit territorial të vendit tonë!

Kontributi i Dr. Grudës Profesori universitar, Dr. Zejnullah Gruda, meritor për çështjet juridike – ndërkombëtare publike, ndër të tjera angazhime, pos traktatit të botuar në librin e grupit të autorëve (QPZH, Frierdrih Ebert Stiftung, Demarkacioni Kosovë – Mal i Zi, 2015) referuar nevojës imediate të rishikimit serioz e kuptimplotë të Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit Kosovar – Malazez, të parafuar nga kryeministrat e shteteve respektove, por nga Kuvendi i Republikës së Kosovës akoma e paratifikuar, në këto ditë, e publikoi librin “Kufijtë në Dëmin e Shqiptarëve”.

Ky libër është përgatitur seriozisht, konform me postulatet dhe standardet e teksteve studimore, duke e trajtuar problematikën e delimitimeve,të demarkimeve, si dhe të rektifikimeve kufitare të trojeve etnike shqiptare nisë nga Kriza e Lindjes gjatë etapave historike kritike deri në aktualitet. Trajtimin e kësaj tematike edhe në dimensionin historik, Gruda e ka bërë me vend dhe me synim të tërheqjes se paraleleve analoge, në të cilat, jo vetëm një herë (sic) qeveritarë shqiptarë (Esat Pasha, Ahmet Zogu, Sali Berisha e në atë rrugë ndodhet edhe Isë Mustafa) kanë bërë koncesione inkonsekuente të dëmshme në disfavorin e shqiptarëve përkatësisht të tokave të tyre.

ARKATANA

Raste tjera të kontesteve ndërkufitare dhe kufiri kosovar-malazez Rastet e tilla të pashembullta e irrituese sikundër synojnë të shndërrohen në praktika empirike të papresedencë në historikun e diplomacisë dhe politikës shqiptare, gjithandej! Profesori Gruda, në këtë libër, fillimisht, në kontekstin tematik, ka trajtuar raste kufitare kontestuese ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës, BRSS-së përkatësisht Rusisë dhe Kinës, Kroacisë dhe Serbisë, Egjiptit dhe Izraelit, Sllovenisë dhe Kroacisë, ndër të tjera duke e akcentuar zgjatjen irracionale të proceseve të zgjidhjes së konflikteve kufitare, në një anë si dhe të qëndrimeve rigorozisht konsekuente e konsistente dhe për aq të pandryshuara të shteteve të mëdha me sipërfaqe kontinentale referuar sipërfaqeve disahektarëshe, në anën tjetër.

Në po këtë kontekst, Kosova, që ka sipërfaqe cirka 10 000 km2, nëpërmjet Qeverisë së saj sikundër nuk vlerëson të negociojë seriozisht e sinqerisht, aktualisht për një hapësirë rreth 8500 hektarësh, e cila për të krahasuar me shtetet e mëdha, paraqet aset të pakompensuar me asgjë! Trajtimi i tillë i rasteve të shënuara në historinë e diplomacisë dhe në të drejtën ndërkombëtare publike, nga Gruda, është praktikuar drejt e mirë për aludim serioz në përfaqësuesit aktualë të Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës që, në vend të indolencës indiferente të paparë për koncesionet territoriale irracionale të vendit tonë, të meditojnë dhe reflektojnë seriozisht përkitazi me (pa) përgjegjësinë politike, shtetërore e kombëtare e mbi të gjitha historike të tyre!

Tradhtarë të interesave kombëtare e shtetërore! Në këtë kontekst, dr. Gruda i ka trajtuar edhe kontestet kufitare shqiptare referuar Shën Naumit, Vermoshit dhe shtratit kontinental ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë e përfundimisht edhe temën e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi! Për ironinë bizare e sarkastike, rastet në fjalë, pos demarkacionit ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, i cili akoma nuk është ratifikuar, kanë përfunduar në dëmin e integritetit territorial të trojeve e entiteteve politike shqiptare. Zaten edhe rastin e demarkimit të shtratit kontinental ndërmjet Shqipërisë de Greqisë e ka quajtur nul Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, i cili nga përfaqësuesit qeveritarë pa dyshim se do të mbyllej në dëmin e shtetit shqiptar (sic).

Në literaturën historike, politike e juridike shqiptare, koncesionet territoriale në disfavorin e tokave shqiptare (Shën Naumi, Vermoshi, Shkodra- nga Esat Pasha, shtrati territorial shqiptar – grek, Dëbelldeja ), me të drejt trajtohen akte tradhtare e të inkriminuara dhe të sanksionuara juridikisht, moralisht, historikisht e kombëtarisht, ndërsa bartësit e tyre cilësohen tradhtarë të interesave kombëtare e shtetërore! Sikundër të përfundonte rasti kontestues i demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në mënyrën që aktualisht insiston Qeveria e Kosovës i njëjti pashmangshëm do të dëmtonte integritetin territorial të Kosovës, ndërsa kryeministri me kabinetin qeveritar tok me kryetarin e Kuvendit dhe deputetët që do të votonin për Marrëveshjen ( aktuale) për Demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, pa asnjë dyshim të bazuar, do të shkelnin rëndë rendin juridik të Kosovës, do t’i dëmtonin interesat vitale shtetërore e kombëtare dhe paevitueshëm do të stigmatizoheshin me fusnotë (footnote) negative nga historia kombëtare! Aq më parë kur Marrëveshjen për Demarkacionin ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, e cila aktualisht është projekt, ngase akoma nuk është ratifikuar, bindshëm e kanë përgënjeshtruar shumë intelektualë nëpërmjet prononcimeve adekuate në intervista, komentime, interpretime, tryeza të rrumbullakëta, konferenca, medie printe e vizuale, si dhe publikimeve të teksteve çfarë është edhe libri i autorit Gruda!

Po ashtu, Marrëveshjen për Demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi me bazë e konsekuencë e ka kundërshtuar dhe vijon ta kundërshtojë opozita kuvendore tok me 210 000 qytetarë të nënshkruar dhe pjesën e konsideruar të klasës intelektuale dhe të shoqërisë civile! Mst/ Qëndrimi i palës malazeze Në anën tjetër, kryeministri i Malit të Zi jo vetëm një herë publikisht është prononcuar në favor të rishikimit kritik të Marrëveshjes për Demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe malit të Zi, por homologu kosovar i tij, kryeministri kosovar Isë Mustafa, edhe përkundër arsyeshmërisë dhe nevojës imediate të revidimit të atij dokumenti, për ironinë sarkastike e bizare hesht, i fut veshtë në lesh dhe duart në xhepa sikundër e ka zakon edhe në raste tjera e të ngjashme dhe nuk reagon dot.

Në këtë kontekst, kryeministri kosovar, Ultima Ratio, do të duhej të miratonte mesazhin edhe të librit aktual të prof. dr. Zejnullah Grudës, që është koherent me kërkesën e opozitës kuvendore, klasës intelektuale e të shoqërisë civile, me zërin e artikuluar nga 210 000 qytetarë të Kosovës, ashtu që të përshëndeste qëndrimin gjeneroz e të kryeministrit malazez për revidim të Marrëveshjes për Demarkacionin e për atë të propozojë e Kuvendi të formojë Komision për Demarkacion me Malin e Zi në përbërje nga përfaqësues kompetentë të pozitës dhe opozitës kuvendore, si dhe shoqërisë civile, i cili me një punë serioze e të përkushtuar në bashkëpunim parimor me komisionin homolog të Malit të Zi do të përcaktojë delimitimin dhe demarkimin kufitar kosovar – malazez dhe si i tillë do të ratifikohej në procedurë të caktuar.

Libri i Prof. Dr. Zejnullah Grudës,”Kufijtë në Dëm të Shqiptarëve”, i publikuar në muajin maj të vitit 2016, është përgatitur metodologjikisht përshtatshëm, mbështetet në të dhëna faktografike bindëse, në raste kontestimore ndërkufitare të shumta e të ndryshme gjatë historisë së re dhe meridianëve krejtë- sisht në funksion të aludimit dhe të indikimit të trajtës së qasjes dhe të perfektimit të demarkacionit përfundimtar me shtetin fqinjë Malin e Zi me të cilin Kosova ka interesa dhe synime të ndërsjella të krijimit të urave bashkërenduese e bashkëpunuese në të gjitha sferat socio-ekonomike, politike, kulturore, shkencore, artistike e sportive.

Së andejmi ky libër i autorit kompetent prof. dr. Zejnullah Gruda, tok me publikime tjera në këtë drejtim e funksion, në radhë të parë Ultima Ratio, do t’i shërbente fare mirë kryeministrit Isë Mustafa e kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit tok me qeveritarë e deputetë pozitarë për të përfillë zërin e arsyes dhe për të flakë Marrëveshjen (aktuale) për Demarkacion të Kosovës e Malit të Zi dhe për të riproceduar në mënyrën e sipërme skicimin serioz, të drejtë e për aq të qëndrueshëm të demarkacionit kosovar-malazez. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të justifikohej që po këtë libër të qëlluar në përmbajtje aktuale e akute të përkthente së pakut në anglisht e si të tillë t’ua shpërndante përfaqësuesve diplomatikë të jashtëm, të cilët nga i njëjti do të mirëinformoheshin dhe pa dyshim do të mbështetnin kërkesën për riprocedim të demarkacionit kosovar-malazez.

(Kosova Sot)