Jetësimi i një synimi (Në 17-vjetorin e çlirimit të Kosovës)
Më 24 Mars të vitit 1999 NATO-ja i filloi sulmet ajrore kundër forcave ushtarako-policore të Serbisë, të cilat në Kosovë po vrisnin e digjnin gjithçka që ishte shqiptare.
Dhe pas 78 ditësh, pikërisht më 9 Qershor ’99, ajo që po e mbante peng Kosovën nënshkroi Marrëveshjen e Kumanovës, dhe brenda tri ditësh forcat e saj vrastare
u shporren në theqafje…
JETËSIMI I NJË SYNIMI
(Në 17-vjetorin e çlirimit të Kosovës)
Shumë kohë u ushqyem me shpresë e me ëndrra
Kalonin ditët, muajt e dekadat sikur uji nën urë
Për t’u shkëputur nga zymtësia qe shumë vështirë
Rruga drejt pranverës ishte e mbyllur me laurë.
Një ditë na shpërgjumi një mik i respektuar
– Rruga e gjatë – tha ai – jeta e shkurtë
Ajo maksimë na frymëzoi për hapa të tjerë
Dhe ecja jonë drejt cakut qe veprim i sigurtë.
– Miku i mirë dëshmohet në ditë të vështirë –
Kështu dikur kishte thënë një gojëmjaltë
Në pranverën e vitit ’99 ajo thënie u jetësua
Miqtë nga Perëndimi nuk na lanë në baltë…
Dashakëqinjtë dhe smirëzinjtë keq u zhgënjyen
Ata tash kot shikojnë vëngërr
Mundi i rrugëtimit të gjatë ne s’na shkoi huq
Synimi ynë nuk ngeli ëndërr po u bë zhgjëndërr…
Gjilan, 5 Qershor 2016
Beqir Buzuku


