Dy vjet “infuzion” të EULEX-it ta këndellin drejtësinë kosovare
Duke parë si të domosdoshëm vazhdimin edhe të një mandati të ri dyvjeçar të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX-it, për shkak të çalimit në fuqizimin e mirëfilltë të drejtësisë kosovare, njohësit e sundimit të ligjit dhe analistët politikë presin që së paku në këtë periudhë të re kohore të ringjallet edhe drejtësia kosovare.
Ata thonë se në këtë aspekt kjo drejtësi duhet të marrë mësim të mirë, të reformohet rrënjësisht dhe të depolitizohet, në mënyrë që ky të jetë mandati i fundit i një misioni ndërkombëtar të sundimit të ligjit në shtetin e Kosovës.
Njohësit e kësaj fushe besojnë se edhe vetë BE-ja në këtë mandat të radhës të misionit të saj në Kosovë duhet të vërë në top-prioritet pikërisht këtë çështje, mbështetjen, përgatitjen, këshillimin dhe mentorimin për drejtësinë e Kosovës, që përfundimisht të dalë nga tutela e politikës dhe të jetë e pavarur dhe profesionale.
“Drejtësia kosovare të qëndrojë në këmbë të veta”
Profesori universitar, Blerim Burjani, i tha gazetës se ai është shumë i sigurt që BE-ja përveçse do të vazhdojë të merret me njerëzit e fuqishëm të politikës dhe krimit të organizuar, ky mision i vazhduar nga Qeveria duhet të jetë edhe mandat i rikonstruimit dhe evaluimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve vendorë, duke reformuar atë dhe duke rishikuar punën e shumë njerëzve, që kanë mbajtur kontrata të tjera pune, përveç organeve të drejtësisë dhe kanë humbur edhe neutralitetin. “Këta njerëz duhet të përcaktohen për punë në këto organe ose duhet të lirohen nga funksioni. Pra, në Kosovë gjithçka është shndërruar në përfitim, pa marrë parasysh, për njerëzit që punojnë në këto organe duhet të kenë paga të mjaftueshme dhe të kënaqshme, si dhe mbrojte ligjore dhe institucionale.
Këto gjëra janë me rëndësi. Mendoj se pagat e këtyre punëtorëve të sistemit të drejtësisë janë korrekte”, u shpreh analisti Burjani për “Kosova Sot”. Edhe prof. Muhamet Kelmendi thotë se në çështjen e ndërtimit të shtetit ligjor, gjithsesi që shtylla kryesore është sistemi gjyqësor dhe prokurorial, i depolitizuar, i pakorruptuar dhe vetëm profesional e ligjor. “Prandaj, është e kuptueshme që edhe në fazën e mandatit të ri dyvjeçar do të ketë një “infuzion” të presionit ndërkombëtar dhe kështu do të vijë edhe deri te një intervenim i tillë, që përfundimisht drejtësia kosovare të fuqizohet në këmbët e veta. Aktualisht në Kosovë kemi akoma sistem shumë të kalbur gjyqësor dhe prokurorial. Ky sistem vjen nga ish-sistemi dhe si tillë u është nënshtruar tërësisht politikës së vendit, atyre të cilët po e diktojnë. Shumica e personelit gjyqësor dhe prokurorial janë edhe të shantazhuar, sepse ata vijnë nga sistemi i vjetër serbo-jugosllav. Si të tillë, ata janë në gjendje të rëndë dhe nuk kanë guxim të kundërshtojnë politikën e vendit, për faktin se kanë një të kaluar të rëndë dhe tejet të pa pastër. Këtë e dinë edhe politikanët dhe pikërisht për atë i kanë vendosur aty, në mënyrë që kurdo që ju duhet, ata të kërcënohen me biografinë e tyre në kohën e pushtimit”, u shpreh profesor Kelmendi.
Nevojitet ndryshim rrënjësor në politikën kosovare
Kelmendi beson se periudha kohore në vijim do të shërbejë fillimisht për një ndryshim rrënjësor në vetë politikën kosovare, reformim të thellë të politikës, e krahas këtij procesi të ndodhin edhe reformat në të gjitha shtyllat e shtetit, duke nisur nga drejtësia dhe administrata. “Ndryshe as që do të paramendohet hapja e diskutimit për anëtarësim në BE, pa reforma të thella. Prandaj, ky proces gjithsesi duhet filluar dhe finalizuar në drejtësi, në administratë publike dhe qeverisje shtetërore, duke filluar nga niveli komunal e deri në atë qendror. Kjo gjendje duhet shëruar. Askush nuk duhet të ketë iluzione se mund të hapen portat e BE-së, pa reforma të gjëra. Shteti i Kosovës është kryesisht i dërrmuar nga matrapazët politikanë. Është shndërruar në shtet që punon vetëm për grupet e interesit, qoftë në politikë, qoftë në ekonomi, e të cilët janë të lidhur ashpër midis tyre dhe tërësisht e kanë shndërruar shtetin në pronë private, prandaj kështu nuk ecet në BE”, u shpreh Kelmendi./kosova sot/


