Ky edicion i “Trekëndëshit poetik” i kushtohet Beqir Musliut
Gjilan – Për të gjashtën herë me radhë, për Ditën e Lirisë së Kosovës dhe Ditën e Çlirimit të Gjilanit, në Grykën e Karadakut, mbahet Manifestimi rajonal i poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes”.
Poetë nga Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore e Shqipëria, kësaj radhe, nga ky trekëndësh kufitar, i përkushtohen emrit dhe veprës së shkrimtarit gjilanas, Beqir Musliut, në 20 vjetorin e vdekjes, duke përuruar librin studimor të Yrjet Berishës ( tashmë i ndjerë):POETIKA E BEQIR MUSLIUT, i botuar këto ditë përmes shtëpisë botuese “Beqir Musliu”.
Nehas Sopaj, ( Universiteti i Shkupit ) do flas për librin si dhe krijimtarinë letrare të Beqir Musliut, ndërsa do deklamohen edhe poezi nga opusi i poetik i Beqir Musliut nga ana e aktorit gjilanas Ramadan Kurti si dhe Xhezide Selimit e Adem Ajvazit.
Në pjesën e dytë të Manifestimit, do të vlerësohet krijimtaria poetike e shkrimtarit të shquar nga Saranda, Agim Matos.
Për poezinë e tij do flasin Zejnepe Alili Rexhepi ( Universiteti i Tetovës ), Nexhat Rexha, kritik e poet, Albina Idriizi, shkrimtare si dhe Timo Merkuri, poet e studiues letrar po nga Saranda. Ndërsa aktori i mirënjohur sarandiotë, Vangjel Agora do deklamojë poezi nga opusi letrar i Agim Matos.
Në pjesën e tretë dhe të fundit të Manifestimit, si rëndom, mbahet ora poetike “Koha e Poezisë “, ku poetë nga të gjitha trevat shqiptare paraqesin krijimet e veta, qoftë duke i lexuar para të pranishmëve apo edhe duke ia lënë në formë të shkruar organizatorit, Ars Clubit “Beqir Musliu” për botim, në edicionin vijues të Manifestimit.
Si dhe herave tjera, ky Manifestim në këtë pjesë të Karadakut . ka zgjuar interesimin e poetëve por edhe të dashamirëve të artit, i cili mbështetet nga MKRS – Departamenti i Kulturës dhe Komuna e Gjilanit ka njoftuar Sabit Rrustemi organizator./rajonipress/


