Edhe në Sadovinë të Muhaxherëve nis projekti i asfaltimit të rrugëve e lagjeve
Viti – Në Sadovinë të Muhaxherëve, ka filluar asfaltimi i rrugëve që lidhin rrugën kryesore të fshatit me objektin e shkollës fillore, si dha i lagjes “Turjana”.
Kryetari i Komunës, Sokol Haliti, gjatë vizitës që i ka bërë Sadovinës së Muhagjerëve, ku ka biseduar nga afër edhe me qytetarët e këtij lokaliteti, ka thënë se zbatimi i projekteve si ky i asfaltimit të lagjeve në këtë fshat, është në vazhdën e angazhimeve të institucioneve komunale, që banorëve t`iu ofrojë shërbime sa më të mira dhe t`iu lehtësoi jetën pavarësisht se ku jetojnë ata. “Asfaltimi rrugës që lidhë fshatin me shkollën, është një nga projektet më të veçanta që po i realizojmë apo do ti realizojmë në Sadovinë, pasi përmes këtij projekti u lehtësojmë qarkullimin fëmijëve që ata më lehtë të vijnë tek objekti i shkollës”, ka thënë kryetari Haliti.
Ai ka theksuar se krahas këtij projekti në Sadovinë të Muhagjerëve janë në realizim e sipër edhe projekti i asfaltimit të rrugës “Turjana” si dhe ai për lidhjen mes këtij fshati dhe fshatit Tërstenik. “Në Sadovinë së shpejti do të finalizojmë edhe projektin e ujësjellësit, projekt ky që siguron ujin e pijes jo vetëm për këtë fshat por edhe për katër fshatra tjera përreth”, është shprehur kryetari Haliti.
Banorët e Sadovinës, i janë shprehur mirënjohës kryetarit Haliti si dhe institucioneve komunale për mbështetjen që po japin këtij lokaliteti, pasi sipas tyre gjithë këto projekte që po realizohen tani apo do të realizohen në të ardhmen, ishin të domosdoshme për fshatin./rajonipress/


