Sofja në tri pamje
Nga Ismail Syla – Pavarësisht se ende janë të dukshme gjurmët e së kaluarës mjaft të ndërlikuar, vërehet se ky shtet ka lëviz përpara. Ka dalë nga tranzicioni. Së paku një kosovar kur hyn me automjet në territorin e Bullgarisë, respekton me rigorozitet shenjat e komunikacionit. Bullgaria është në BE. Kanë rregulla në vozitje, thonë Sofja 2016, kantina ushtarake në qendër të teknologjisë së lartë
Presidenti bullgar Rosen Plevneliev, më 1 qershor 2016 kryesoi samitin jubilar, të njëzetë të SEECP (South –East European Coorporatino Process) i themeluar dy dekada më parë me inicimin e Bullgarisë, që tashmë bashkon të gjitha vendet e Ballkanit bashkë me Turqinë dhe Moldavinë. Prej këtyre shteteve pjesëmarrëse shumica janë anëtarë të BE dhe NATO-s.
Këtij samiti i është bashkuar edhe Kosova më 2014. Para Bullgarisë, (2014 -2015) kryesimin e kishte Shqipëria, ndërkaq nga ky qershor, për një vit e mori Kroacia. Presidenti Thaçi në përfundim të fjalës së tij në seancën e parë të 1 qershorit kërkoi që edhe Kosova të hyj në radhën e kryesuesve të këtij samiti, që synon forcimin e sigurisë politike të rajonit, intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike, bashkëpunimin rajonal në rrafshin e burimeve njerëzore, të zhvillimit të demokracisë, drejtësisë, të luftimit të aktiviteteve ilegale etj.
Përpos një gjuhe të një mirësjelljeje të përsosur dhe diplomatike korrekte, kryetari bullgar, si nikoqir, ra në sy me një tregim personal nga jeta e tij rinore, kur tregoi si pikërisht në vendin ku po zhvilloheshin punimet e samitit, në Sofia Tech Park, në kohën e diktaturës kishte qenë kantina e kazermës së ushtrisë bullgare. Në atë kazermë ai kishte dëgjuar oficerët bullgarë që në leksionet e tyre mbillnin urrejtje kundër turqve, duke i konsideruar si armiq të Bullgarisë. Armiq ishin edhe grekët edhe NATO. E sot, Bullgaria është anëtare e NATO-s dhe BE ashtu si vetë Greqia shumë vite para saj.
Me iniciativën e vetë presidenti bullgar ushtarët ishin larguar diku tjetër dhe kazerma ishte transformuar në park të teknologjisë. Ndërkaq aty ku kishte qenë kantina, tash ishte ndërtesa e re, një park i teknologjisë së lartë, më i madhi në rajon. Në hapësirat e ish kantinës, kishte përfaqësi të Google, të Microsoft të Apple. Këtu kishte mundësi dhe kushte për çdo lloj start-up të kompanive të ndryshme.
Sofja 2016, mund të kujtoj Sofjen dhe Bullgarinë e shumë e shumë viteve përgjatë historisë, atë të udhëpërshkruesve anglezë që ishin të shumtë në shekujt e fundit të sundimit otoman të Bullgarisë, por edhe të autorëve amerikanë.
Sofja 1981 – midis birrës, tymit të cigareve dhe ikonave 600 vjeçare
Gazetari amerikan Robert Kapllan ka shëtitur tërë vendet e Ballkanit në kohën kur diktatura komuniste ishte instaluar në to. Ai disa herë vizitoi edhe Bullgarinë për të zbuluar pjesës pjesë se si funksiononte sistemi i kontrolluar prej saj. Janë dy pamje të jashtëzakonshme të përshkruara nga Kapllan, për të treguar Bullgarinë e viteve kur ende nuk dukeshin shenjat e ndërrimit të sistemeve. Klubi gazetarëve dhe kisha e Aleksadër Nevskit.
Klubi i gazetarëve është “institucion” tipik i regjimit komunist. Ai më së miri paraqet kontrollin shtetëror mbi informacionin dhe mbi gazetarët. Përshkrimi që i bën Kapllan klubit, tregon të gjitha standardet e gazetarisë dhe pothuajse të të gjitha institucioneve nën diktaturën komuniste: “Në vitin 1981 ishte një atmosferë ahengu në klubin e gazetarëve. Mjedisi qelbej supë pule, raki kumbulle dhe rrushi, tym cigare dhe djersë të thartuar. Male me salsiçe, djathë dhie dhe shishe të boshatisura vere dhe birre mbushnin plot tavolinat… Një pasqyrë e madhe nga muri në mur reflektonte avullin e mjegulluar të tymit të cigares që mbështillte sallën…. (Fantazma e Ballkanit – një udhëtim nëpër histori, f.288)
Ndërsa kur viziton kishën dedikuar Aleksandër Nevskit, që mban një nga koleksionet më spektakolare të ikonave të stilit bizantin në botë, Kapllan nga njëra përpiqet të identifikojë simbolin e masës për bullgarët, e nga ana tjetër ia kundërvë “klubit” ikonat e lashta 600 vjeçare. Janë ato ikona që datojnë nga shekulli i katërmbëdhjetë, pak para pushtimit turk: “Ndonëse për 600 vjet të lashta këto ikona janë ruajtur të përsosura. E arta e gjethes, të kuqet e rubinit dhe të shegës, blutë e mesnatës dhe, madje, ngjyrat gri, ndriçojnë si gurë të çmuar… tek ata (sytë e ikonave) gjendej çdo emocion , por, mbi të gjitha, ata kishin ndjenjën e mbajtjes së diçkaje, të ruajtjes së një sekreti. Ky ishte simboli i masës bullgare, mendova: ikona bizantine, një botë e pasionit që hov, që përmbante një të fshehtë të thellë.” (f.305).
Në këto dy përshkrime sikur del një e vërtetë të përbotshme: ajo e luftës midis ideologjisë komuniste, e cila në vitin 1981 mund të kishte njëqind vjet jetë dhe mbi një gjysmë shekulli praktikë aty këtu nëpër disa shtete, dhe rrënjëve të thella të religjionit, i cili përkohësisht ishte ekskomunikuar nga sistemet komuniste, por asnjëherë i çrrënjosur. Për shkak të traditës më se paku dymijë vjeçare të tij.
Bullgaria 1830 – midis shtypjes dhe poshtërimit
Ndër librat më të mirë për Ballkanin është ai studiueses bullgare Maria Todorova, “Ballkani imagjinar”, i mbrojtur si tezë doktorature në SHBA. Aty më mirë se kudo shpjegohet Ballkani (toka e ashpër) si emër vetemërtim, si i perceptuar nga të tjerët dhe si alterego e Evropës. Janë interesante mendimet e udhëpërshkruesve të shumtë. Për rumunët që nuk u pëlqen të identifikohen me Ballkanin duke e quajtur veten latin. Për serbët e thjeshtë, besëtytë dhe mesjetarë kokë e këmbë, për grekët, të cilët janë tjetërsuar dhe po të ringjallej një athinas i antikës do të turpërohej. Për turqit tiranë, grabitës skllavërues, ndëshkues të krishterëve, për hebrenjtë si racë ndër gjithë të tjerat aq së prapthi edhe nga natyra… kokëngjeshur e përbuzshme e famëmadhe. Për shqiptarët që e bënin të zvjerdhej Eduard Lirin nga “pamja bastarde e çdo njeriu dhe çdo sendi”, piktorin që e donte natyrën shqiptare.
Maria Todorova ka bërë studim të veçantë për bullgarët sidomos, për trajtimin që u bënin të tjerët, për nënçmimin, duke konsideruar që bullgari të vetmen muzikë që ka mund ta krijojë ishte ajo e vajtimit pas ngordhjes së lopës. Ajo citon gjerësisht filologun dhe sllavistin Juri Ivanoviç Venelin, 1830, i cili karakterizon disa nga popujt e Ballkanit të asaj kohe: “Për turqit ky popull (bullgar) fatkeq është si delja për njeriun, d,m,th. kafsha më e dobishme dhe më e domosdoshme. Prej tij marrin qumësht, gjalpë, djathë, mish, gëzof, lesh, d.m.th. ushqimin dhe veshjen… Është keq për bullgarët pse janë ndërtuesit dhe zejtarët më të mirë të Turqisë. Me një fjalë, sundimi dhe prania turke në Europë mbështetet më së tepërmi dhe ndoshta ekskluzivisht tek bullgarët. Moldavët dhe vllehët kanë qenë gjithmonë gjysmë të lirë. Disa prej serbëve janë përzier me turqit, disa të tjerë janë konvertuar tërësisht, e megjithatë ka të tjerë që e kanë ruajtur pavarësinë e tyre, ndërsa që të gjithë kanë përfituar nga mbrojtja e terrenit malor. Shqiptarët gjithmonë kanë qenë gjysmë të pavarur, duke qenë nga natyra luftëtarë krenarë që u kanë shërbyer turqve vetëm për të përfituar ose me pagesë. Malet madhështore e kanë mbrojtur në atë qoshen e tyre të vogël. E njëjta gjë mund të thuhet për malësorët grekë të Moresë. Grekët e ishujve kanë pasur avantazhe të tjera dhe kanë marrë frymë më lirshëm… Ndër sllavët, bullgarët kanë vuajtur më keq (f.128)
Si përfundim: Afër katedrales së Aleksandër Nevskit është monumenti i ushtarit të panjohur. Pikërisht më 1 qershor kur mbaroi punimet Samiti i 20 i SEECP, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vuri kurorë lulesh aty ku dy roje të nderit rrinin gatitu. Nderohej historia e Bullgarisë, ajo e të gjitha kohëve, por mbi të gjitha ajo e ushtarëve që kishin rënë për atdheun e tyre. Bullgaria e 2016 është Bullgaria në BE, në NATO. Pavarësisht se ende janë të dukshme gjurmët e së kaluarës mjaft të ndërlikuar, vërehet se ky shtet ka lëviz përpara. Ka dalë nga tranzicioni. Së paku një kosovar kur hyn me automjet në territorin e Bullgarisë, respekton me rigorozitet shenjat e komunikacionit. Bullgaria është në BE. Kanë rregulla në vozitje, thonë.


