Cakaj: Më shumë është hetuar UÇK-ja se sa lufta e Serbisë – Specialja është politike
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se aktakuza kundër ish-krerëve të UÇK-së është politike dhe e gjitha është bërë për të implikuar Kosovën.
Në një emision në TopChannel, ai nënkuptoi se në këtë histori janë ndryshuar rolet, Kosova është vendosur në vendin e Serbisë dhe anasjelltas, ndërsa Gjykatën Speciale të ngritur në Kosovë, ai e cilësoi si të njëanshme, duke shtuar se ajo nuk ka gjykuar asnjë serb. Ndërkohë theksoi se gjyqet ndaj eksponentëve të UÇK-së janë bërë vite më parë.
“Konfirmimi zyrtar ligjor i aktakuzës i zotit Krasniqi dhe Thaçit nuk ka të bëjë me emra të përveçëm, ata janë shfaqur si eksponentë të UÇK-së. Çfarëdo lëshimi që ka ndodhur në luftën e UÇK-së, nuk po kalon si përgjegjësi personale por kolektive. Kjo nuk cenon vetëm luftën e Kosovës, por narrativen e të gjithë historisë. Më viktimë po paraqitet Serbia. Është hetuar më shumë veprimtaria e UÇK-së, se sa lufta e Serbisë. Kjo nuk do të thotë që në Kosovë nuk ka pasur gabime. Krimet e luftës së Kosovës janë hetuar, madje edhe Serbisë i ka ardhur radha për të hetuar shqiptarët për krimet”, ka thënë Cakaj.
Nga ana tjetër, ai tha se krimet e Serbisë të kryera në Kosovë e në vendet tjera të ish-Jugosllavisë, në Hagë kanë kaluar me lehtësi.
“Dy kanë shkuar dhe kanë përfunduar pa dënim të formës së prerë, Millosheviqi, e një zyrtar tjetër. Për mua vetë ekzistenca e Gjykatës Speciale është politike, e cila është një e keqe, kjo është pastrimi i luftës së Kosovës. Kjo gjykatë ka mandat të hetojë krimet e supozuara të shqiptarëve dhe lë në heshtje strukturat kriminale të Serbisë në luftën e fundit në Kosovë. Kjo gjykatë nuk i heton krimet e Serbisë në Kosovë, kjo është e njëanshme. Gjykata ka qenë një e keqe e pashmangshme. Sot për zotin Krasniqi dhe Thaçi, nga prilli 98 deri në gushtin 99, nga sulmet në kufij me Shqipërinë, masakrat e ndodhura kanë mbetur pa dënim. Mbi 1 milion shqiptar të Kosovës janë detyruar ta lëshojnë Kosovën, e askush nuk flet për këto”, tha Cakaj.


