Mireshi festoi 70 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe në këtë fshat
Gjilan – Të mërkurën fshati Miresh festoi 70 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe, e cila ishte hapur në vitin e largët 1945.
Në këtë vit jubilar, ishin të ftuar mysafir të shumtë të cilët morën pjesë në këtë manifestim, duke u nisur nga mësuesit e pensionuar, nxënësit e gjeneratës së parë, dhe shumë mysafir të cilët e begatuan këtë ditë feste për Mireshin.
Drejtori i shkollës z.Fadil Shabani, para mysafirëve i numëroi të gjitha të arriturat e shkollës në këto vitet e fundit, si njëra ndër shkollat më të suksesshme në Republikën e Kosovës, duke i falënderuar në radhë të parë mësimdhënësit, nxënësit, Këshillin Drejtues të Shkollës, si dhe Organizatat me të cilat shkolla jonë ka partneritet dhe ka përfituar projekte të ndryshme, si: Banka Botërore nëpërmjet MASHT, Ambasada e Turqisë në Prishtinë, Organizata Qeveritare Turke “TIKA” në Prishtinë, etj., projektet e të cilave kanë krijuar kushte që shkolla jonë, të jetë shkollë bashkëkohore.
Në fund të programit, drejtori u ndau mirënjohje të gjithë atyre që kanë kontribuar për këtë shkollë, ndërsa për mysafirët, Këshilli i Arsimtarëve kishte përgatitur një koktej rasti./rajonipress/


