ARKATANA

Ndahet nga jeta Shefqet Aliu, punëtor i dalluar i arsimit shqip

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Dje, në moshën 71-vjeçare, vdiq Shefqet Aliu, punëtor i madh i arsimit shqip. Shefqet Aliu ishte një figurë e dalluar e arsimit. Ai sot e gjithmonë na mungon, por në zemrat e shkollarëve dhe kolegëve ku punoi, nuk do të harrohet dhe jeton. Nuk harrohet, sepse la vepra të pavdekshme. Kjo vdekje e tij është plot dhembje, por, përnjëherë, vepra e tij kudo rrezaton dhe shkëlqen.

Ai është i pavdekshëm. Ai ishte e mbeti një punëtor i madh i arsimit shqip. Ishte i tëri i përkushtuar për shkollën e për shkollarët e rinj. Nuk ka njeri që nuk flet fjalë miradije për Shefqet Aliun, arsimtarin e BAT-t, i cili punoi pa u lodhur në lëndën e tij studimore. Punoi e nuk i ndalë gjer në frymën e fundit. E dashtën shkollarët, por e deshën edhe kolegët e tij ku punoi. Aty ku Shefqeti punoi e veproi, la gjurmë të thella të punës shembull. Edhe sot, puna e tij adhurohet shumë nga shkollarët e nga kolektivi ku punoi e veproi.

Shefqet Aliu është i lindur më 14 prill të vitit 1945 në fshatin Pogragjë. Shkollën fillore e kreu më 1959/60. Dy vjet pas kryerjes së shkollës fillore, regjistrohet në Shkollën Ekonomike “Dragi Popoviq” , tani “Mehmet Isai” në Gjilan. Këtë shkollë të mesme e regjistroi më 1962/63 dhe e kreu me sukses në vitin 1965/66. Ishte nxënës i rregullt dhe pati sukses të shkëlqyeshëm. Jo vetëm kaq.

Shefqet Aliu kishte shumë prirje për punë teknike. Ai, me plot dëshirë e vullnet e regjistroi Shkollën fillore Superiore Industrialo-Pedagogjike në Rijekë, më 1966/67. Pas kryerjes së kësaj shkolle, ate e shohim për të parën herë duke punuar në Shkollën fillore “Liria” në fshatin Pogragjë të Gjilanit. Më vonë, atë e shohim duke punuar në shkollën për Arsimimin dhe Aftësimin Profesional të punëtorëve në Gjilan. Këtu punoi deri në vitin 1969/70 si arsimtar i lëndëve teknike. Në vitin 1973/74, atë e gjejmë duke punuar me ditar në dorë në Shkollën Normale “Skënderbeu” në Gjilan.

Mobi Casa

Mandej, ai kalon si arsimtar në Akademinë Pedagogjike të këtij qyteti, e cila shkollë, brenda pak kohe, transformohet në shkollë të mesme, ku punoi si arsimtar i Bazave të Arsimit Teknik. Mandej, ai punoi me ditar në dorë në Fazën e parë të Mësimit Orientues, deri në vitin 1988. Shefqet Aliun e shohim duke punuar me ditar në dorë në Shkollën fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan si arsimtar i rregullt i lëndës BAT-it. Këtu punoi gjer u pensionua.

Ilmi Ibrahimi, veteran i arsimit, në Gjilan, ku dëgjoi lajmin për vdekjen e Shefqet Aliut, pos tjerash, tha: “Nëse shkolla shqipe mburret me vepra të ndonjë arsimtari, që i ka dhënë asaj e shoqërisë, atëherë, Shefqeti është ndër më të merituarit e kësaj fushe të dijes. Ai ka dhënë dije dhe mundi pa u lodhur arsimit shqip për ecjen përpara. Ai ka qenë një mjeshtër me talent. Ka ditur shumë “elemente” të Bazave Teknike, i cili, prishjet e ndryshme teknike të jetës së përditshme, i rregullonte pa asnjë mundi e përtesë. Ky nuk do të duhej të vdiste, por ja vdekja i merr njerëzit pa i pyetur fare. Për mua, ai ka qenë një punëtor me shumë dije dhe i palodhur i arsimit shqip. Kabineti i tij është shembull se si duhet e adhurohet lënda mësimore. I qoftë lehtë dheu!”.

Shefqet Aliu vlen të përmendet për angazhimin dhe rezultatet që ka treguar në procesin edukativo-arsimor në vitin 1985/86, ku shpërblehet me dekoratën në nivel të komunës së Gjilanit. Në vitin 1995/96, në ditën e shkollës ku punoi, shpërblehet me mirënjohje për sukseset e arritura në lëndën e tij.

Pra, Shefqet Aliu ishte shembull i punëtorit të arsimit. Ai e deshi punën me ditar. Ishte njeri i afërt me të gjithë. Por, ishte mendje ndritur e i të çiltërt, por edhe i hollë prej një mjeshtri të vyer të jetës shkollore. Qe njeri i dalluar në punë, urtak, mik e shok i rrallë i jetës. Por, ja vdekja. Ajo po i merr njerëzit para kohe, Para kohe e morri pishtarin e dalluar të arsimit, Shefqet Aliun, ai i cili dha çdo gjë nga vetja për arsimin shqip. Vdiq në moshën 71-vjeçare. Varrimi i tij bëhet nesër në varrezat e Gjilanit, me içindi. I qoftë lehtë dheu!/tefik selimi/rajonipress/