Isa Shefkiu kalon në VV
Gjilan – Numri i përkrahësve, anëtarëve dhe aktivistëve të VV po rritet nga dita në ditë. Në vazhdën e këtyre ardhjeve Qendrës së VV në Gjilan iu bashkua edhe juristi e aktivisti i shquar i shoqërisë civile, Isa Shefkiu thuhet në njoftimin e VV.
Sipas VV kjo po ndodh për shkak të konceptit; Alternativës Qeverisëse, angazhimit konsistent për mbrojtjen e interesave të vendit, të drejtave të qytetarëve, angazhimit për partneritet dhe respekt të ndërsjellë me shtetet fqinje dhe shtetet tjera mike, luftës pa kompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar, marrëveshjeve të dëmshme për vendin, e të tjera.
Në vazhdën e këtyre ardhjeve Qendrës së VV në Gjilan iu bashkua edhe juristi e aktivisti i shquar i shoqërisë civile, Isa Shefkiu.
Koordinatori i VV në Gjilan, Ismajl Kurteshi, në emër të Lëvizjes e falënderoi z. Shefkiu për bashkim në organizatën tonë, dhe tha se ky i fundit duke qenë i informuar mirë me mënyrën e qeverisjes në vend dhe në Komunën e Gjilanit, ka vendosur që të mos mbetet vetëm monitorues i keqqeverisjes por të angazhohet për pengimin e keqqeverisjes. “E për një angazhim të tillë askush nuk ofron mundësi më të mira se Lëvizja jonë. Shumë personalitete të dëshmuara atdhetare dhe profesionale kohëve të fundit iu bashkuan Lëvizjes VV, duke e bërë Lëvizjen subjekt të fuqishëm pa të cilin në të ardhmen nuk do të mund të merren vendime e veprime të rëndësishme për shtetin. Me VV e fuqishme së shpejti do t’iu vjen fundi edhe vendimeve edhe veprimeve të dëmshme e antikushtetuese si që kanë ndodhur në të kaluarën”, tha Kurteshi.
Isa Shefkiu tha se Lëvizja VV është i vetmi subjekt kredibil që ka dëshmuar konsistencë në veprime, e me theks të veçantë në këta muajt e fundit me kundërshtimin e “Zajednicës” dhe marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.
Shefkiu duke qenë se e ka pasur për një kohë të gjatë rolin e monitoruesit të Komunës së Gjilanit, e kritikoi qeverisjen në këtë Komunë duke e cilësuar si joprofesionale. Ai shtoi se asambleistët e VV në Gjilan përgjatë këtyre viteve të angazhimit kanë sjellë metoda të reja në punën e organeve të Kuvendit si dhe i kanë ngritur në Kuvend dhe komisione problemet e qytetarëve thuhet në njoftimin e VV.
Por puna e Isa Shefkiut në OJQ “Anamorava” është parë me shumë dilema nga partitë në pushtet. Madje Lutfi Haziri raportin e Isa Shefkiut e ka quajtur të pabazë dhe të ndërtuar mbi metodat e konceptet komuniste.
Realisht kalimi i Isa Shefkiut nga një OJQ në një subjekt politik nuk është parë me sy të mirë as nga analistët e pjesëtarët e shoqërisë civile, aq më parë që raporti i tij i fundit del të jetë tepër i diskutueshëm./rajonipress/


