Një lexim antropologjik i veprës së I. Kadaresë
Libri i ri i Shaban Sinanit në 80-vjetorin e shkrimtarit: “Mite dhe demonë në veprën e Kadaresë”, botimet “Naimi”, promovohet në konferencën “Shekulli i Kadaresë”.
Është rezervuar një surprizë në konferencën “Shekulli i Kadaresë”, ku ishte i pranishëm edhe vetë shkrimtari, për veprën e të cilit u prezantuan tre libra të rinj me autorë nga studiuesit më të mirë shqiptarë si Ak. Floresha Dado, prof. Matteo Mandala dhe prof. Shaban Sinani.
“Ismail Kadare lindi në një shtëpi me burg, u rrit e jetoi në një qytet me burg dhe e shkroi pjesën më të madhe të veprës së tij në një Shqipëri që e kishte kthyer veten në burg. Edhe pse e shkruar në rrethana të tilla, ajo bukë burgu, siç e ka quajtur autori, shijohej edhe në botën e lirë si një vepër me dritë të brendshme. Fuqia e kësaj vepre, sfida më e madhe e saj, qendron pikërisht në faktin që, megjithëse e shkruar në kushtet e mendimit të burgosur, u bë shpresa dhe frymëmarrja, u bë programi i njerëzve shqiptarë për të lexuar Perëndimin, ishte hapësira ngushëlluese e lirisë së munguar për të. Kjo është arsyeja pse kjo vepër nuk mund të çmohet ngushtësisht dhe vetëm si art fjale. Ajo është njëherësh fenomen mendimi dhe kulture, fenonem qytetërimi dhe identiteti, fenomen vetënjohjeje dhe emancipimi”. Kështu mund të përmblidhet përshtypja e parë pas leximit të librit më të ri me titull “Mite dhe demonë në veprën e Kadaresë” i prof. dr. Shaban Sinani, të sapopublikuar nga botimet “Naimi” në kuadër të 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit më të madh që ka nxjerrë deri më sot kombi shqiptar, i vlerësuar, gjithashtu, edhe në shkallë botërore.
Ismail Kadare dhe vepra e tij e kanë zotëruar dhe e zotërojnë procesin e zhvillimit të letërsisë, kulturës dhe mendimit shqiptar prej më se 65 vjetësh.
Ndërkaq, ndryshimi i pozitës së letërsisë shqipe në raport me letërsitë e popujve të tjerë, që me të drejtë konsiderohet një prej sukseseve epokale të saj, proces që ka ndodhur tashmë në mënyrë të pakthyeshme, është i lidhur me veprën dhe me emrin e I. Kadaresë.
Sipas prof. Francesco Altimari, i cili e prezantoi për herë të parë në konferencën “Shekulli i Kadaresë”, “libri i prof. dr. Shaban Sinanit “Mite dhe demonë në veprën e Kadaresë” ofron një lexim kryesisht në rrafshin antropologjik të veprës së Kadaresë, me referencë parësore mitet e botës shqiptare, mitet e lashtësisë antike, mitet zanafillëse dhe universale; po ashtu dhe arketipet dhe stereotipet tradicionale në Ballkan dhe në një hapësirë më të gjerë evropiane”. Libri i ri është vijim i kërkimeve të mëhershme të këtij studiuesi rreth korpusit të parrokshëm letrar-artistik të shkrimtarit Ismail Kadare. Studiuesi, përmes kërkimeve të tij, provon se i vetmi “mit” që mungon në galerinë e larmishme të karaktereve të letërsisë së I. Kadaresë është pikërisht miti i njeriut të ri, që realizmi socialist e kishte si një kryeshenjë të vetën.
Duke shquar raportet e njeriut shqiptar me tjetrin: në histori e në fqinjësi, studiuesi e sheh veprën e Ismail Kadaresë si një letërsi identifikuese të shqiptarëve në raporte të brendshme dhe sidomos të jashtme.
Kurse studiuesi Matteo Mandalà, duke perifrazuar në shqip idiomën e anglishtes Is my land, e ka quajtur ‘Shqipërinë paralele” të krijuar nga Kadare si Ismailand, një Shqipëri që meritonte të kishte nderimin e bashkësisë së popujve.
Letërsia e Ismail Kadaresë është një dëshmi e katërciptë e triumfit vendimtar të gjuhës shqipe si një gjuhë me aftësi shprehëse të jashtëzakonshme, me një dinjitet të panjohur kurrë më parë. Gjuha shqipe arriti shkallën më të lartë të fuqisë shprehëse të saj me këtë vepër të parrokshme në tipologji, tematikë, poetikë dhe shqetësime.
Libri “Mite dhe demonë në veprën e Kadaresë” është konceptuar në pesë kapituj:
Kreu I titullohet “Cikli mitologjik në prozën e Kadaresë”; Kreu II: “Dukuria e demonizimit në letërsinë shqipe”; Kreu III: “Çështje strukturore dhe nënstrukturore në veprën e I. Kadaresë si projekt letrar”; Kreu IV: “Cikli etnografik në veprën e Kadaresë”; Kreu V: “Pasatizëm vs futurizëm”.
Duke qenë një vepër me standarde shkencore, libri mbështetet në analiza dhe referenca të shumta. Gjithashtu, në fund libri ka edhe treguesin emëror, përgatitur nga Eranda Allmetaj./rajonipress/
Skeda e librit:
Titulli: Mite dhe demonë në veprën e Kadaresë
Autori: Shaban Sinani
Gjinia: monografi
Recensues: Ak. Floresha Dado, prof. dr. Matteo Mandalà
Redaktor: Naim Zoto
Botues: Naimi – Shtëpi botuese dhe studio letrare
www.botimenaimi.com
ISBN: 978-9928-4353-0-9
Çmimi: 2000 lekë
Numri i faqeve: 530.


