Hoxhaj: Gazi lotsjellës ndikoi në mosanëtarësimin e Kosovës në UNESCO
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme i vendit, Enver Hoxhaj, ka thënë se kriza e brendshme ka penguar zhvillimin e vendit dhe zhvillimin e proceseve.
Hoxhaj ka thënë se gjatë kohës sa është marrë me lobim për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, diplomatët e ndryshëm i kanë thënë në Nju-Jork se gazi lotsjellës në Kuvend ka pasur efekt në mosanëtarësimin e vendit në këtë organizatë.
“Mund të jesh diplomati më i mirë, mund të jesh oratori më i mirë, mund t’i kesh argumentet më bindëse, por nëse para se të hysh në takim arrin një pamje tjetër, një foto tjetër, një raport tjetër për zhvillimet që ndodhin në vend, ti si ministër i Jashtëm je pothuajse me të dy duart e këputura që ta shpjegosh, që ta shtysh një kërkesë tjetër në politikën e jashtme, nëse ngjarjet e brendshme janë jo në favor të vendit”, është shprehur Hoxhaj në Monitor të RTK’së, transmeton Gazeta Express.
Hoxhaj ka thënë se kriza sigurisht e ka dëmtuar vendin brenda dhe jashtë, por është fat që ajo ka filluar t’i takojë tashmë së kaluarës.

