ARKATANA

Shëngjergji në Karadakun e Gjilanit

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Shëngjergji që bie më 6 maj, deri vonë ishte ndër festat më të dashura të motmotit në fshatrat e rrethinës së Gjilanit. Ne, që i takojmë brezit më të vjetër, i mbajmë mend sot e gjithnjë ritet që e shoqëronin këtë festë popullore në fëmijëri.

Meqë populli i kësaj ane të Karadakut këtë festë e çmonte shumë (“Kryet e motmotit” ) edhe përgatitjet për ta festuar bëheshin disa ditë më parë. Për shkak të dimrave të ashpër e të gjatë, familjet e varfëra po përballeshin me vështirësi të mëdha dhe ishin lodhur nga stina e dimrit , prandaj arritjes së Shëngjergjit i gëzoheshin se pikërisht Shëngjergji i jepte fund stinës së dimrit. Dihet se në të kaluarën për shkak të varfërisë shumë sëmundje bënin kërdi, kështu që kur arrinte Shëngjergji, gëzimi ishte i madh, nëse të gjithë anëtarët e familjes e të farefisit, ishin shëndosh e mirë.

I pafuqishëm që t’u qëndrojë përballë dukurive të ndryshme natyrore, që i sillnin të këqia, njeriu i anës së Karadakut të Gjilanit, me kohë krijoi besime të ndryshme pagane, me anën e të cilave ai ndillte shëndet dhe mbarësi të përgjithshme, begati e bollëk. Shëndeti për bujkun ishte i domosdoshëm, në mënyrë që t’ i përballonte me sukses punëve. Madje, vetëm njeriu plotësisht i shëndetshëm mund t’ u bënte ballë fatkeqësive të ndryshme natyrore , që e përcillnin shpesh jetën në Malësi.

Kujdes i veçantë i kushtohej higjienës. Disa ditë para Shëngjergjit bëhej gëlqerosja e shtëpisë, larja e teshave të shtrojes, larja e maxhës, larja e sofrës, sitës së bukës si dhe enëve të tjera të amvisërisë.. Bëheshin veprime të ndryshme ritesh.

“Natën e Shëngjergjit”, dyert dhe dritaret e shtëpive stoliseshin me gjethe bimësh që lulëzonin së pari si të kakurekave apo të drunjve si të shelgjes. Gjethe ose degë të njoma u shtinin fëmijëve dhe të rinjve nën jastëkë.. Këto veprime simbolizonin dëshirën për shndet. Disa veprime magjike bënte zonja e shtëpisë ( baçica ). Kështu ajo në mbrëmje ( Natën e Shëngjergjit) , mirrte një bucë dheu me bar dhe e vendoste tundësin ( tpinin) që të qëndronte deri të nesërmen në mëngjes e pas kësaj, bucën e dheut e kthente prapë në vendin e vet. besohej se sikur bari që rritet në bucën e dheut, ashtu do të shtohej edhe qumështi dhe do të ketë me bollëk gjatë tërë vitit.. Një rit tjetër ishte edhe ai i ruajtjes së bagëtisë nga ” syri i keq” . Prandaj qumështin e bagëtisë nuk guxonte kurrsesi ta zë Nata e Shëngjergjit dhe se ai duhej harxhuar me çdo kusht. Baçica përgatiste me bukën e misrit përsheshin me qumësht dhe ai hahej në mbrëmje ( Natën e Shëngjergjit) nga të gjithë antarët e familjes. . Besohej se bagëtia do të ruhej kështu nga ” syri i keq ” i plakave magjistare, të cilat me magji do t’ ua ” mirrnin ” qumështin e gjatë tërë vitit s’ do të kishte mjaftueshëm qumësht. Nga frika e ” marrjes” së qumështit nga ana e plakave magjistare, baçica Natën e Shëngjergjit rrinte zgjuar për ta “ruajtur ” bulmetin. Zakonisht, ditën e Shëngjergjit, baçica tundte dhe deri sa kthehej bagëtia nga kullose nuk e ndalte tundjen. Tundja e pandërprerë me tpi bëhej se besohej se kush tundë
këtë ditë, do ta ketë tpini plot gjatë tërë vitit., pra do të ketë bulmet me bollëk. Gjatë tundjes, baçica rëndom i thoshte këto vargje :

“Tunu tpi u tunsh i bardhë,
banma kokrrën sa ni dardhë.
Tunu tpi u tunsh i amël,
mushnaj Zot tpinin plot tamël

“Ditën e Shëngjergjit të gjithë zgjoheshin më heret se zakonisht nga se besohej në “shitje ” të gjumit apo “shitje” e derxhës ( sëmundjes ).Besohej se ai që nuk zgjohej heret ” merrte” gjumin dhe sëmundjet e të tjerëve. Pra, duhej zgjuar heret të gjithë anëtarët e familjes. Atyre që nuk u dilte gjumi, u hidhej ujë në fytyrë, se nuk bënte të thirreshin për t’ u zgjuar.se pse kështu ua “shisnin” gjumin dhe të ligat.

Eco Higjiena

Ditën e Shëngjergjit, qysh heret, në agim, fëmijët dhe të rinjtë i lanin, i vishnin me rroba të reja e solemne.. Edhe larja përcillej me një varg veprimesh e ritesh. Ato simbolizonin dëshirën për shëndet e vitalitet jetësor.Kështu larja shoqërohej me hudhje në ujë të gjetheve të bimëve që bulonin të parat si të hithave, të fletëve të ftonjve, të degëve të shelgjeve etj. Ndërsa fëmijëve u varnin në qafë a duar rrathë të bërë varg prej kungujve të egër.Ditën e Shëngjergjit nuk punohej nga bujku se besohej se “toka flë”. Ditën e dytë punohej, kurse ditë e tretë të Shëngjergjit prapë nuk punonte bujku sepse kjo ditë njihej si ” motra e Shëngjergjit”. Ditën e Shëngjergjit në Karadakun e Gjilanit, gatuhaj flija, lloji i ushqimit special që njihet jo vetëm në këtë trevë. Pos kësaj, gatuhej edhe lakrori me hitha. Uji me të cilin laheshin hithat, kur përgatitej lakrori, hudhej në pleh.Besohej se kjo do të bënte të zhdukeshin parazitët dhe shkaktarët e sëmundjeve.Kur shtrohej dreka, dikush duhej dalë jashtë e ta thërrasë vetveten: ” .N., hajde hamë laknur me hitha ! “Kjo duhej bërë me zë të lartë, sepse besohej se sa larg do të shkonte zëri, aq larg të iknin shkaktarët e sëmundjeve dhe të këqijave.

Janë të njohura edhe lojërat e vajzave që bëheshin në Shëngjergj, këtë festë motmoti. Kështu, p.sh. luhatja bëhej zakonisht në Shëngjergj, po zgjaste edhe pas Shëngjergjit, disa ditë rresht.Kjo bëhej në pemë të njoma ose plevica., në litarë a zingjirë. Në luhatje pos vajzave të reja, merrnin pjesë edhe ato më të rritura, bijat, që vinin zakonisht në gjini ( të panë ) te prindët. Luhatja, shpesh, ku merrnin pjesë vajzat e tërë lagjes, shoqërohej me veprime të ndryshme dhe me këngë.Kur uleshin në luhajë, e venin larësen e teshave, duke u ulur mbi të e duke thënë :”Sa konopi gat, se larësja gjanë “.Aludohej, pra, në shëndetin, se larësja e rrobave simbolizonte shëndetin e vajzës- vithet, litari – gërshetin e flokëve. Luhatja shoqërohej me këngë dhe ritëm:

” Ti n’ at tra, un’ n’ kët tra
po vijn’ nja dy gra.
– Shka m’ i shtru’ ?
– Nja dy avlija.
-Shka m’ i qitë ?
– Nja dy flija.
Ti n’ at tra, un’ n’ket tra
po vijn’ nja dy gra
bashk t’ u u përla e tu’ u sha!
Phu Hajri- përmi shpi !
Phu Hasan – përmi stan ! ”

ose:
“Hul-hu-laja
shkojm’ te daja.
bujm’ dy net
vim’ apet.
Sa Zeneli
çaq koceli !”

Këto vargje janë improvizime të rastit dhe përcilleshin me ritmin e luhatjes.

Në fund duhet të theksoj se doket dhe ritet dhe doket që përcillej Shëngjergji i nevojiten folkloristikës, sepse përmes tyre njihet e kaluara dhe historia e popullit tonë, me një folklor aq të begatë./rajonipress/bilall haliti/