Fundamenti

Selajdin Shabani, poet i realitetit dhe i frekuentimeve brendore të jetës

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Selajdin Shabani nuk është i panjohur për lexuesit. Ai ka bërë emër jo vetëm si publicist, gazetar, por edhe si poet i disa veprave letrare. Selajdin Shabani është i lindur më 29 shtator të vitit 1969 në fshatin Runicë të Kumanovës. Ai në një bisedë rasti shton se, lindja e tij mund të jetë më herët, por edhe më vonë, sepse nuk e mban në mend datën e lindjes. Ky krijues nga Kumanova, shkollën fillore e ka mbaruar në Kumanovë, ndërsa të mesmen e ka kryer në Gjimnazin e Gjilanit. Mandej, ka vazhduar Fakultetin Filologjik-dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë.

Mësojmë se, më shumë se një dekadë kohe ka punuar në Radio Shkup dhe dy vite në Televizionin e Maqedonisë, programet në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj kohe, ai paralelisht ka punuar edhe në gazetën “Flaka”, në gazetën “Koha Ditore”, “Lajm” dhe së fundi punon në gazetën “Shqip”, “Koha e re” për të mos u ndalë as sot e kësaj dite nga ky profesion jete.

Edhe pas kësaj pune, Selajdin Shabani krijon art dhe nuk ndalet. Kështu, në vitin 1999 ka botuar librin me poezi “Ndrydhje”, ndërsa në vitin 2006 ka botuar librin me shkrime gazetareske “Mes stinëve të një gazetari”. Po ashtu, në vitin 2004 ka marrë vendin e dytë në Maqedoni për shkrim gazetaresk që kishte të bëjë me arsimimin e fëmijëve. Ai shton se, në libri i parë me të dytin kanë një lidhje organike. Derisa në librin e parë është shkruar më ngadalë, në të dytin më shpejt dhe në tretin në një moment “Përtej momentit”. Ky libër i tretë ka të bëjë me shkrime gazetareske të botuar nëpër periodikun e kohës viteve të fundit. Është libër joshës dhe ka aktualitet kohe. Ky autor kumanovas vazhdon të jetojë dhe frymojë në një moment “Përtej momentit”, për të ardhur deri te libri i katërt: “Më shumë se Unë”?! Jo vetëm kaq.

Për veprat e Selajdin Shabanit bënë fjalë mjaft vlerësues. Kështu, Zeqir Gervalla, redaktor, i përmbledhjes “Ndrydhje” ai ka shtuar se poezia e kësaj vepre poetike e Selajdin Shabanit është e ndarë në katër cikle, si janë: “Ndrydhje ose shqetësime shpirti”, “Më shumë se unë”, “Shkelje mbi ëndrra” dhe “Shqetësim jete”, të cilat paraqet një kronologji jete të ndrydhur që do të shpërthejë si gjelbërimi në pranverë.

Ai shton se, pranvera është ende larg, por në rrugë duke ardhur, ashtu siç e gjakojmë me vite e shekuj. “Andaj, të gjitha mendimet meditimet, gjakimet kujtimet shqetësimet ëndrrat dhe përjetimet rinore kombëtare e njerëzore akumulohen në trurin dhe shpirtin e poetit, të cilat ndrydhen e duan të gufojnë të gatuara në vargje poetike duke filluar që nga vjersha e parë “Kosovës” e deri tek ajo e fundit “Kush është ai njeri”. “Lum ai që digjet duke u shndërruar në dritë për popullin dhe atdheun e vet. Ky është borxhi ynë që duhet larë më nderë.

Edhe poeti i ri Selajdin Shabani, është i frymëzuar me një stil të veçante e gjuhe të pastër sikurse edhe shume poetë të tjerë nga poetët e mëparshëm, e ky në veçanti nga poeti Rexhep Elmazi-poeti i frymëmarrjes së kësaj toke ilire-shqiptare, të Kosovës martire që gjakon liri e ribashkim me nënën Shqipëri”.

Ndërsa, Zejadin Ismaili, për veprën e autorit ka shtuar këto fjalë: “Poeti dhe gazetari Selajdin Shabani arrin të botojë një përmbledhje poetike të titulluar “Ndrydhje”, ku brenda kopertinave të kësaj vepre, poezitë e saj janë konceptuar e sistematizuar duke ekspozuar, manifestuar e transponuar hovet, brofjet, shqetësimet dhe drithërimet shpirtërore, atdhetare e kombëtare të ndara në katër cikle (njësi. Pra, Selajdin Shabani ka bërë angazhim serioz dhe përpjekje maksimale që vargun e këtyre poezive të ngre në nivel më domethënës dhe për ta shndërruar atë në një monolitet të fuqishëm idesh, mjete të shprehjes, gjithnjë duke e determinuar cilësinë e zgjerimit të mendimit poetik të tyre dhe forcën e bindjes për autotencitetin e fjalës së poetit që vepra në tërësinë e letrave shqipe të mos ngjiz amalgamë, por veçantinë e gjuhës, vërtetë që e ka origjinalitetin intonativ ngjyror (timbrik) të patosit patriotik : ”dhembja dhe dashuria/ s’kanë kufij për ty Kosovë/…”(“Kosovës”). Vetë titulli “Ndrydhje” është i qëlluar, kur është fjala në kontekst me përmbajtjen e veprës apo shtjellimin e temave, si të veçanta ose si tërësi përmbledhjeje, në përgjithësi. Jo vetëm që shquan individualitetin e tyre, por ato zgjojnë edhe shumë asociacione të pasura.

UBT

Tematika e poezive të kësaj vepre mbështetet mbi realitetin e frekuentimeve brendore të jetës së popullit shqiptar, andaj fuzionimi i përmbajtjeve të së vërtetës, me syzheun poetik, fuqizojnë dhe janë vlera që legjitimojnë mendimet dhe shprehjet mbi të cilat ka vrojtuar dhe medituar poeti”.

Burhanedin Xhemaili, recensent i veprës “Ndydhje”, shton se: Selajdin Shabani, na paraqitet para lexuesve me përmbledhjen poetike që mban titullin: “Ndrydhje”, titull mjaft simbolik që shtrihet në mbarë strukturën zhvillimore të lëndës poetike. Pra, autori i ri me entuziazëm të veçantë, e krijon vargun shlirshëm, ashtu e përjeton momentin inspirues, në kohën dhe hapësirën ku edhe jeton. Poezia e Selajdin Shabanit e zgjon kureshtjen e lexuesit duke i kënduar të bukurës edhe pse e ndrydh mendimin ndonjëherë në vetvete, nga modestia e tepruar apo nga paragjykimet ndoshta që të mos keqkuptohet ndoshta ne rrethin e tij jetësor”.

Ndërsa, dy recensionistët e veprës së katërt “ Me shume se unë”, Fatos Rushiti e Ismail Ganiu, kanë shtuar se, “Selajdin Shabani, po dëshmon talentin e tij krijues dhe pjekurinë poetike prej poeti, publicisti, gazetari, i cili, i mbërthyer me ndodhitë e kohës dhe rritën e ngadalshme të trupit tonë kulturor, shpreh qartë refuzimin estetik ndaj aktualitetit të vrazhdë jetësor e kulturor në qytetin e tij. “Vepra poetike ”Më shumë se unë” e plotëson arealin krijues të poetit, e thënë me përmbajtje te vlefshme dhe me një fjalor të zgjedhur poetik, duke ndërtuar një strukturë të rrudhur saktë në përthyerje të vargjeve dhe të hapur ndaj gjetjes së rrugë nga lexuesi potencial.

Në këtë vepër, poeti ka përdorur figura e metafora të zgjedhura, jo pa qëllim nuk e ngarkon poezinë me lirizëm e përsëritje, përkundrazi poetiken e tij e shpreh si realitet e përjetim vetjak, por duke krijuar distancën e nevojshme me imazhin dhe idetë që dalin nga kjo poezi.

Motivi i dashurisë përshkon një pjese të bollshme të poezive të tij, duke dalë në pah dashuria e përjetshme për vajzën që e dashuroi dikur, por që tani e kujton me nostalgji, por pa e provokuar “shpirtin e lëvizës në bukuri”. Poeti këndon: /Dhe unë ruaj në vetvete dashurinë/ time, për ty FF/ Unë të kam dashur edhe atëherë/ kur ti heshtje dhe heshtje pa fund…/ dhe hesht përsëri edhe sot”. Gjuha në poezi është mjaft reduktive kur duhet të jetë por edhe e pandalshme kur duhet të shpreh fatin dilematik personal por edhe të rrethit ku jeton. Ajo q më bëri përshtypje që autori edhe kur vërtetë sheh që duhet përdorë lirizmin në poezi, ai këmbëngul në realizmin e vet duke i qëndruar besnik formës vetjake në poezi”.

Pra, Selajdin Shabanit është poetit dhe publicistit nga Kumanova, i cili po hapëron guximshëm e sigurt në artikulimin e vargjeve të tija artistike e poetike./tefik selimi/rajonipress/