Munter: Pavarësisht propozuesit, iniciativat e hartuara me nguti nuk zgjidhin problemin Kosovë-Serbi
Ish-ambasadori amerikan që ka shërbyer në Beograd, Cameron Munter, ka thënë se çfarëdo zgjidhje e shpejtë për problemin Kosovë-Serbi do të ishte një marrëveshje e keqe dhe sipas tij si e tillë nuk do të kishte shanse për të qenë e suksesshme.
“Problemi i mes Kosovës dhe Serbisë është kompleks dhe serioz. Duhet mençuri për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme”, ka thënë Munter për tanjug, transmeton Gazeta Express.
Ish-diplomati amerikan ka thënë se në diplomaci është dëshmuar shpesh që kush ngutet dhe nxitohet atëherë nxjerrë një marrëveshje të keqe.
Munter thotë se nëse një iniciativë konceptohet me ngut dhe nëse s’ka koordinim për të është e prirur të dështojë pavarësisht faktit se kush e propozon atë.
“Çfarëdo iniciativë që është konceptuar me ngut dhe pa koordinim, pavarësisht se kush e propozon atë, nuk zgjidh problemet e thella me të cilat përballen Kosova dhe Serbia”, ka thënë Munter.
Sa i përket emisarit sllovak të BE’së, Munter ka thënë se bazuar në përvojën personale dhe kontaktet që ka pasur, beson se Lajçak është njeriu i duhur për sa i përket njohurive, mënyrës së të menduarit dhe qasjes së tij të drejtë.
“Lajçak mund ta udhëheqë këtë proces, nëse ata janë të gatshëm të lënë mënjanë rivalitetet politike afatshkurtra dhe të kërkojnë paqe dhe prosperitet afatgjatë për qytetarët që ata përfaqësojnë,” beson Munter.
Munter gjithashtu ka thënës e është i nevojshëm bashkëpunimi në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Ai thotë se në kohën sa kishte qenë ambasador, kishte bërë çmos për të pasur një bashkëpunim të tillë.
Ish-diplomati amerikan që ka mbajtur pozita të larta përgjatë administratës së Clintonit dhe Bushit, thotë se pa mbështetjen e Evropës marrëveshja nuk mund të jetë e qëndrueshme.
“Shpresoj që administrata aktuale në Uashington do të vazhdojë bashkëpunimin tradicional me miqtë evropian në mënyrë që të sigurojë një të ardhme të ndritshme për vendet e Ballkanit”, ka thënë Munter./Express/


