Mesazh urimi i myftiut Saqipi me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit
“Të nderuara motra dhe vëllezër të besimit islam. Kam kënaqësinë që në emër të Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe në emër të Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, tua uroj muajin e shenjtë të Ramazanit, i cili fillon nesër, të premten e 24 prillit dhe zgjat deri më 24 maj të vitit 2020.
Të respektuar besimtarë,
Muajin e Ramazanit, anë e kënd botës e presim me kënaqësinë më të madhe, sepse agjërimi i shndritë zemrat e besimtarëve dhe i ngritë në shkallën më të lartë të devotshmërisë. Ndërsa, largon nga zemra zilinë, urrejtjen, përgojimin, egoizmin dhe përtacinë. Pastaj, i fton besimtarët që të bëhen personalitete të sinqertë, të butë të mëshirshëm ndaj besimtarëve, të jenë të dashur mes veti, t`ia ruajnë shpinën njëri tjetrit, si të jenë një trup dhe shpirt.
Motra dhe vëllezër myslimanë, këtë muaj të Ramazanit, për dallim nga ata të mëparshmit po e presim për fat të keq në kushte të jashtëzakonshme, për shkak luftës botërore kundër pandemisë, Koronavirusit, nga i cili shumë njerëz në botë kanë humbur jetën e tyre. Shumë familje kanë humbur të dashurit e tyre. Kjo është arsyeja pse, për të parandaluar përhapjen e këtij virusi, dhe për të ruajtur veten, familjet tona dhe të gjithë njerëzit me të cilët jetojmë, jemi të detyruar të respektojmë masat e propozuara nga njerëz profesionistë – mjekë. Për këtë arsye, të gjitha ritualet e kryera deri më tani në xhami gjatë muajit të Ramazanit do të kryhen me familjet tona në shtëpitë tona këtë vit, me shpresë se Ramazanet e tjera t’i presim më me shumë dinjitet.
Të dashur besimtarë,
E lusim All-llahun e Madhëruar, që ky muaj i bekuar të jetë frymëzim i shpirtit të besimtarëve, që në fund të shpërblehen me dhuntitë që ua dhuron All-llahu si shpërblim. Vetëm me punë dhe angazhim mbrohet morali dhe dinjiteti i popujve si dhe ideali për paqe, tolerancë dhe mirëkuptim, thuhet në mesazhin e urimit me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, të Myftiut të Luginës, Nexhmedin ef, Saqipi, i cili njëherit është edhe z/reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi


