Mjer mileti e mjer shteti
Poezi satirike nga Bilall Haliti
Po ç’na gjeti, po ç’na gjeti,
mjer mileti e mjer Shteti !
U bë teatër Parlamenti !
Me shumë hile e pa drejtësi,
kësi Kuvendi mos pashë me sy !
Ç’lojëra bëhen në Kuvend,
edhe i urti mbetet pa mend !
Nuk dorëzohet garda e vjetër,
nuk lejon qeverisje tjetër !
Me ndërkëmbca e me intriga,
duan të ruhet ajo e liga !
Kjo e liga të zgjasë me vjet,
për karrierë e për pushtet !
pa pasë gajle pse s’ka Shtet,
pse s’ka Shtet me drejtësi,
po me mëkate e dredhi !
të bëjë për vete pasuri!
hiç pa djersë e mundim ,
me hajni e me mashtrim !
Ndërron lëkura, ndërron gëzofi,
kameleon dhe filozofi !
Ndërron mendje, ndërron parti,
herë me mua, herë me ty !
Dje analist e në debate,
gjykoi drejt e pa mëkate !
Sot deputet e në Kuvend ,
ndërroi mendje e ndërroi vend !
Edhe e bardha u bë me leqe ,
për Padronin : lepe – peqe !
E vërboi të gjorin pasuria.
le të prishet Qeveria !
Për drejtësi nuk ka dert,
ah, karrigia ka lezet !
Bilall HALITI


