Protesta e vetme në Facebook
Nga Berat Buzhala – Këtu mund të akuzohen të zgjedhurit e popullit edhe për abuzimin me miliarda euro, e askush nuk do të protestojë. Partitë opozitare, të përfshira edhe vetë në afera të ndryshme korruptive, e ftojnë popullin në rrugë vetëm për çështje patriotike. Prandaj, vendi ka nevojë për një frymë të re politike.
A është e mundur që si shoqëri tash kemi arritur në një qorrsokak përfundimtar? Në një të tillë prej të cilit as nuk po mund të dalim, e për më keq, as nuk po bëjmë përpjekje që të dalim? Tashmë, si shoqëri, nuk po japim kurrfarë shenja të jetës. Nuk kemi kurrfarë pulsi.
Po bëhet një javë që kur e kemi filluar një festival të humorit në rrjete sociale, në kurriz të urdhërarrestit për ish Komandantin e Përgjithshëm të UÇK’së, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, z. Azem Syla, i njohur me nofkën Daja i Madh.
Sipas prokurorisë, dyshohet që Daja, vetë i 50’ti, ka marrë pjesë në një ndërmarrje të organizuar kriminale. Kanë shpronësuar në mënyrë ilegale tokat shoqërore, për llogari personale. Mbetet të shihet se sa është e vërtetë kjo akuzë. Aktualisht kjo nuk është e rëndësishme për shkrimin.
Ajo çfarë më bëri përshtypje këto ditë, është trajtimi me humor i kësaj afere, pothuajse nga të gjitha segmentet shoqërore. Jo vetëm në këtë rast. Ka kohë që shoqëria ka hequr dorë prej kërkesave legjitime të saj. E pafuqishme për të ndryshuar ndonjë gjë, tash kjo shoqëri, e prezentuar në mënyrë proporcionale në Facebook, ka filluar të qeshet, të bëjë humor dhe satirë, në kurrizin e tragjedisë së vet.
Po vjen Daja. Po shkon Daja. Hul-hulaja shkojmë të Daja etj.
Kjo është forma e vetme e revoltës publike e shprehur prej qytetarëve, përmes platformave të tyre. Në anën tjetër, përmes mediave, debateve televizive, analistët dhe avokatët shtyhen me njëri – tjetrin, sa për ta kryer secili obligimin e tyre. Analistët për t’u dukur të guximshëm, kurse avokatët për të justifikuar pagesat e tyre.
Kaq. Këtu merr fund çdo gjë.
Partitë politike, në anën tjetër, heshtin sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Nuk pres asgjë prej partive në pushtet, sepse atyre ju shkon shumë përshtati heshtja. PDK, si partia më e madhe, sigurisht që këtë gjë e kërkon: të kalohet edhe kjo aferë me njëfar zhurme të paartikuluar mirë.
Ajo çfarë bie në sy është heshtja e opozitës. Këto parti politike janë pajtuar që kjo aferë të gjykohet nga qytetarët në FB, duke shpresuar që në fund, kjo do të përkthehet vetëvetiu në vota për ta.
Në vende normale, madje edhe në Maqedoni, qytetarët do të vërshonin në rrugë për të protestuar. Do të shprehnin mllefin e tyre, se qysh të zgjedhurit e popullit po abuzojnë me pozicionet e tyre politike. Zakonisht mllefi i qytetarëve do të kanalizohej prej partive opozitare, si alternativa në pritje për të qeverisur. Ata do ta godisnin pushtetin dhe pushtetarët për zhvatje multimilionëshe, duke ngjallur shpresën se me ardhjen e dikujt tjetër në pushtet – me ardhjen e tyre – gjërat do të lëviznin për të mirë.
Mirëpo kjo nuk po ndodh. Opozita e Kosovës, pushtetin, deri më tash, e ka sfiduar vetëm në çështje patriotike. Ka ftuar qytetarët në protesta vetëm kur është në pyetja Serbia.
Pse po ndodh kështu?
Sigurisht që nuk kërkohet ndonjë talent i jashtëzakonshëm për të ardhur në konstatimin e saktë. Siç edhe keni mundur ta shihni tek Shtabi i Milionerëve, Zona Express, zyrtarët e të gjitha partive politike, pa asnjë përjashtim, ose vëllezërit e tyre, janë të përfshirë fuqishëm në privatizime të dyshimta, qoftë të tokave ose te fabrikave.
Prandaj, kjo opozitë kërkon territore të reja për të protestuar, siç është patriotizmi dhe nacionalizmi. Në territoret e korrupsionit dhe të abuzimeve, ata janë barabarësisht të lëndueshëm, sa edhe Daja. Dhe për më tepër, ata e dinë se pushteti ka njohuri për bëmat e tyre, aq sa kanë edhe këta për të tyrët. Për këto arsye, në vendin tonë mund të dalin në shesh afera shumë më të mëdha se sa kjo me Dajën, por rrugët e Prishtinës do vazhdojnë të janë të qeta.
Me një fjalë, në vendin tonë edhe më tutje nuk kemi pushtet dhe opozitë. E gjitha kjo është një farsë tragjike.
Deri në një ide të re politike, për të cilën po përflitet aq shumë, ne do të vazhdojmë të reagojmë, të argëtohemi, në faqet tona në FB.

