Aliu: Krimi urbanistik rrënjët i ka në qeverisjen e PDK-së
Gjilan – Avdyl Aliu këshilltar i LDK-së ka thënë se problemin e “Kualitetit” e njeh mirë dhe se në atë zonë ka pasur ndërtime të larta edhe në kohën e PDK-së. Krimi urbanistik rrënjët i ka në qeverisjen e PDK-së sepse aty janë ndërtuar disa banesa kolektive kur në pushtet ishte PDK-ja tha Aliu.
Aliu tha se nuk ka asgjë të keqe që po ndërtohen banesa sepse kjo tregon për një zhvillim. “Ajo zonë e ka planin e saj dhe pronari ka të drejtë të bëjë ndërtime. Pse të na interesojnë neve kush janë pronarët aty dhe të gjitha objektet e ndërtuara aty janë me leje ndërtimore” tha Aliu.
Aliu tha se edhe nëse largohet fabrika e “Kualitetit” është çështje e pronarit, madje edhe nëse mbyllet krejt fabrika s`ka asgjë të keqe.
Por, Riad Rashiti tha se problemi në fabrikën e Kualitetit është problem serioz dhe aty ka ndodhur një krim i madh urbanistik.”Ne nuk po i dimë pronarët, nuk po e dimë kush janë rrënuesit e shkatërruesit të qytetit. Aty të gjithë duhet të ndëshkohen e sanksionohen. Është koha e fundit që Lutfi Haziri të ndërhyjë dhe të stopojë këtë degradim të skajshëm” tha Rashiti./rajonipress/


