Amerika kërcënon Kosovën me tërheqje të trupave ushtarake
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbetur i vetëm në betejën për tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe. Vendimin e tij për heqjen graduale të taksës që nga 15 marsi nuk po e përkrahin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje dje SHBA-ja e ka kërcënuar direkt Qeverinë e Kosovës me sanksione e me tërheqje të trupave ushtarake amerikane nga Kosova në rast se kjo tarifë nuk hiqet. Pro përmbushjes së kërkesës së SHBA-së ka dalë presidenti i vendit dhe i gjithë spektri politik, duke përfshirë edhe partnerin e koalicionit qeverisës, LDK-në, shkruan sot gazeta Zëri.
Presioni amerikan për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe ka nisur të bëhet i papërballueshëm për qeverinë “Kurti”. Dje zyrtarisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti që ta heqë tarifën 100 për qind, në të kundërtën SHBA-ja do ta shqyrtojë mundësinë e tërheqjes së trupave ushtarake nga Kosova.
Madje, sipas raportimeve të medieve, Amerika ka nisur edhe ndaljen e investimeve në Kosovë. Planin e Kurtit për heqjen fillimisht të pjesshme të taksës (më 15 mars) e më vonë edhe të plotë (më 1 prill), përveç SHBA-së, nuk e ka përkrahur as spektri politik në Kosovë, ndër ta as partneri i koalicionit qeverisës.

