Eko Higjiena

Liberalizimi i vizave: kjo “dëshirë” që zor se realizohet sivjet!

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Beqë Cufaj – E nxorën atë çunakun që të thoshte dhe me këtë gënjente: “besoj që këtë muaj”. Bile e formuloi në mënyrë aq komike, prandaj edhe tragjike, saqë s’kemi si të mos e rijapim këtu: “Besoj që brenda një muaji edhe ne do të realizojmë këtë dëshirë”. Aha. Dmth. liberalizimi i vizave qenka një dëshirë? Muzikore? Apo politike? Më së miri do të ishte jetike!

Nuk ia vlen të merret njeriu me të. Por ishte e sinjifikante si shembull për ta vërtetuar thënien e popullit: katundi që shihet- kallauz nuk don. Sepse po bëhen më shumë se 10 vjet që s’lënë javë, muaj e vit e nuk e përmendin po javën, muajin e vitin kur do “bëhet”. Nuk kanë lënë fushatë zgjedhore ku s’kanë premtuar po liberalizim vizash. Nuk kanë lënë lagje, fshat e qytet, medium viziv e të printuar ku s’i kanë bërë të njejtat premtime, të njejtat përbetime: edhe një javë, edhe një muaj, edhe një vit…

Dhe sërish asgjë.

Sikurse këtë të mërkure në Bruksel.

Dhe atë që ka ngjarë në Bruksel e dijnë fare mirë. Prandaj nuk po flasin. Por po heshtin- edhe Hashimi e Isa, edhe Kadri Veseli e edhe Beka (Çollaku).

Kur para dy muajsh në këtë gazetë dhe këtë kolumnë kam shkruar që si Isa ashtu edhe Hashimi s’po e thonë (edhepse e dijnë!) që as sivjet s’ka liberalizim vizash, jo pak miq e edhe më shumë lexues nuk donin ta pranonin- prandaj edhe reagonin, që s’është e vërtetë dhe se ajo “punë” është e kryer.

Uji Dea

Vazhdoj t’i rrij atij mendimi dhe me këtë edhe konstatimi që Kosova as sivjet s’do të merr liberalizim të vizave. Mund të jetë që në fund të vitit edhe do të ketë një “rekomandim” por tërë ai proces duhet të kalojë nëpër parlamentet dhe qeveritë e vendeve anëtare të BE-së- gjë që zgjatë së paku gjashtë muaj dhe vetëm mëpas mund të ngjajë diçka. Fakti që të mërkurën në Bruksel- Qeveria Europiane i vendosi disa kushte të reja për Turqinë dhe e ofroi Ukraninën edhe pak dmth. që këto dy vende pokështu ende s’e kanë të sigurtë që do ta kalojnë këtë barrierë. Për Kosovën, thonë miq e kolegë që është folur por vetëm në “periferi”- pa as edhe një rekomandim, pa as edhe një shpresë dhe me këtë dritë në tunelin e territ të izolimit të qytetarëve të vendit. Kjo ngjau në Bruksel dhe tani nuk e kam të qartë nëse vërtetë lajm i ditës duhet të jetë kjo Edita me Serbinë e dialogun (e saj) apo fakti që Kosova sërish, e përsëris sërish, mori një shuplakë të madhe e cila atë e stepi.

Në këtë- katastrofë e katrahurë- quajeni si të doni, poqese njeriu i pyet Qeveritarët e Pushtetarët do ta merr pak a shumë përgjigjen: i kemi plotësuar kushtet por është vendim politik. I pyet qytetarët: s’po na i japin sepse e kemi qeverinë e korruptuar. Flet me vendet që vendosin për vizat (gjermanët, francezët) thonë: jo sepse ka korrupsion e papunësi dhe liberalizimi na i sjell menjëherë gjysmë milioni njerëz nga Kosova në procese azili.

Isa do të thoshte me këtë rast (siç edhe e ka thënë sa e sa herë): Europa është e madhe dhe s’e ndjen peshën e një Kosove të vogël. Nëse Hashimi sërish do të kërcënojë me protesta? Në të dy rastet si Isa ashtu edhe Hashimi nuk po duan ta pranojnë që janë politikat e tyre- nga korrupsioni e krimi i organizuar deri tek gjendja katastrofale sociale ato që Europës i ngjallin frikë për azilkërkues të ri por edhe kriminalitet e dhunë në qytete europiane. Por Kosova s’do të ishte e para kur dihet që azil kanë kërkuar edhe serbët, boshnjakët dhe vitin e kaluar shqiptarët e Shqipërisë do të thoshte ndonjëri prej pushtetarëve dhe sidomos Ed Rama. Po- por në ndërkohë në Europë kanë mësyer më shumë se 2 milionë refugjatë lufte dhe krejt kjo temë u ngjallë frikën krejt politikanëve (të përgjegjshëm) të vendeve në fjalë.

S’ka teori konspiracioni. Ka vetëm pragmatizëm politik. Liberalizimi i vizave nuk është dëshirë politike. Prandaj edhe duhet përçuar mesazhi që mosliberalizimi i vizave është në fakt sinjali më i mirë që Europa u dërgon qytetarëve të Republikës: me këtë Qeveri të korruptuar s’ka lëvizje të lirë!

/© GazetaBlic.com/