Maliqi: Koalicioni AAK-Nisma, është një hap i logjikshëm
Njohësi i rrethanave politike, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se arritja e koalicionit parazgjedhor në mes të AAK-së dhe Nismës është një hap i logjikshëm pas përçarjes së opozitës së bashkuar.
Sipas tij, akuzat e ndërsjella që po dëgjohen pas çarjes kanë treguar se egoja e madhe politike e Ramush Haradinajt nuk ka mundur t’i nënshtrohet Albin Kurtit, i cili pretendonte të jetë numri një i opozitës së bashkuar dhe kandidati i pakontestuar për kryeministër pas bërjes së listës së përbashkët të VAN-it me shoqërinë civile.
“Koalicioni i AAK-së me Nismën është një hap i logjikshëm i këtyre dy subjekteve pas çarjes që ka ndodhur në formacionin kundërshtues të opozitës, kur ato e patën ndier se po mbisundohen nga Lëvizja Vetëvendosje! Akuzat e ndërsjella që po dëgjohen pas çarjes, kanë treguar se egoja e madhe politike e Ramush Haradinajt nuk ka mundur t’i nënshtrohet Albin Kurtit, i cili pretendonte të jetë numri një i opozitës së bashkuar dhe kandidati i pakontestuar për kryeministër pas bërjes së listës së përbashkët të VAN-it me shoqërinë civile. Haradinaj në asnjë variant nuk po heq dorë nga ambicia për t’u kandiduar për kryeministër. Kjo ambicie e tij ka qenë shkaku kryesor edhe për dështimin e formacionit të parë opozitar VLAN, sepse Haradinaj nuk deshi as ta reflektojë mundësinë e ndryshimit të marrëveshjes me Isa Mustafën, edhe pse pazari ‘Ramushi – Kryeministër, Isa – kryeparlamentar’ nuk ka mundur të realizohet në pikën e dytë”, ka deklaruar Maliqi.
Sipas tij, duke garuar së bashku AAK-ja dhe Nisma shpresojnë se do të mbeten në lojë si faktorë më baraspeshues ndaj Lëvizjes Vetëvendosje!-s dhe për kombinacionet paszgjedhore për ndarjen e pushtetit.
“Arsyeja e dytë për koalicionin AAK – Nisma është rifaktorizimi i dy subjekteve edhe karshi Vetëvendosje!-s, edhe karshi partive të tjera pas zgjedhjeve të ardhshme, kurdo që ato do të ndodhin. Nëse AAK-ja dhe Nisma do të garonin ndaras në zgjedhje, do të ballafaqoheshin me rrudhjen e elektoratit, madje edhe kapërcimin e pragut prej 5 %, kjo sidomos vlen për Nismën. Duke garuar së bashku, AAK-ja dhe Nisma shpresojnë se do të mbeten në lojë si faktorë me baraspeshës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje! dhe për kombinacionet paszgjedhore për ndarjen e pushtetit”, është shprehur Maliqi./Epokaere


