Në Gjilan po mbahen Garat e Dijes në gjuhë dhe shkencat e natyrës
Gjilan – Nën organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, sot po mbahen Garat e Dijës me maturantët e shkollave të mesme të Gjilanit në fushat: gjuhë dhe komunikim, përkatësisht gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze dhe shkencat e natyrës, përkatësisht biologji, kimi dhe fizikë.
Garën e ka shpallur të hapur drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, i cili tha se vetëm rruga e diturisë dhe arsimit na shpie në rrugën e vërtetë dhe kjo po dëshmohet me rezultatet e nxënësve, të cilët po garojnë në nivel komune, republike e regjioni.
“Ju, bashkë me të tjerët nxënës të shkathtë e të dijshëm, jeni krenaria e shkollave tona, krenaria e prindërve tuaj, jeni e ardhmja e përparimit dhe zhvillimit të vendit tonë. Këto rezultate të mësimdhënies e mësim nxënies, pa dyshim, janë të lidhura me ndihmën e USAID-it, BE-së, GIZ-it, MASHT-it dhe mbështetjes së fuqishme të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri”, ka thënë Musa.
Ndërkaq, drejtori i shkollës së agrobizenesit “Arbëria”, Xhelal Jetishti, i cili ishte nikoqir i kësaj gare, tha se me këtë metodologji, nxënësit shumë lehtë mund t’i shohin afinitetet dhe interesat e tyre dhe nëpërmjet studimeve pasdiplomike të specializohen për çështjet konkrete teorike dhe praktike.
Rezultatet për 81 nxënësit pjesëmarrës do të shpallen pas orës 16:00./rajonipress/


