Sahit Baftiu ishte një kundërshtar i madh i regjimit serb, me fjalë e me pushkë
Gjilan – Sahit Baftiu ishte ndër të rrallët profesorë të asaj kohe që nuk i gjykoi demonstratat e studentëve të vitit 1981. Ai ishte ndër të paktët që me guxim i mbrojti simbolet kombëtare. Me padurim e priti themelimin e UÇK-së në Zhegoc, të cilës iu bashkua me kënaqësi, për të dhënë kontributin e tij në çlirimin e vendit.
Para 17 vitesh, në ofensivën e Zhegocit, u vra edhe profesori Sahit Baftiu (1952), me djalin Kastriotin (1985) dhe vëllain Shahin (1959). Ata u vranë nga forcat serbe, në pjesën jugore të fshatit, tek vendi i quajtur “Lugu i Demës” dhe janë ndër 31 të rënët në Malësinë e Zhegocit, më 15 e 16 prill 1999.
Më 15 prill 1999, forca të shumta të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë kishin ndërmarrë një ofensivë të madhe në drejtim të fshatit Zhegoc, ku ishte selia e Zonës Operative të Karadakut dhe ku po strehohej edhe një numër i konsiderueshëm i popullsisë civile.
Sahiti asnjëherë nuk ishte pajtuar me regjimin komunist të asaj kohe, të cilin e kishte kundërshtuar sa herë që kishte pasur rast. Vazhdimisht e ngrinte zërin ndaj padrejtësive që i bëheshin popullit shqiptar.
Baftiu ishte ndër të rrallët profesorë që nuk i gjykoi demonstratat e studentëve të vitit 1981. Ai ishte ndër të paktët që me guxim i mbrojti simbolet kombëtare. Mbaj mend se si në një mbledhje, me një guxim të pashoq iu kundërvu kryepolicit serb, Bogdanoviq dhe e sulmoi politikën kriminale të Beogradit ndaj shqiptarëve.
Guximin e Sahitit nuk e kishte gjithkush. Vazhdimisht ngrinte zërin dhe kundërshtonte padrejtësitë e pushtetit. Për këtë arsye, regjimi i kohës e kishte halë në sy profesorin e Bujqësisë, Sahit Baftiun, të cilin e përcillte këmba-këmbës.
Ai ishte një profesor i shkëlqyer në punën e tij me nxënës. Atyre nuk u përcillte vetëm mësimet nga agronomia, por kujdesej që tek brezi i ri të transmetonte edhe mesazhin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Në vitet e vështira për arsimin shqip, atij u desh të angazhohej edhe në tregti të vogël, si nevojë për ekzistencë familjare. Kur e përfundonte punën me ditar, hidhej në treg. Nuk dëshironte të bëhej barrë e askujt. Donte të jetonte nga djersa e tij. Por, kuptohet se arsimi dhe atdheu ishin detyrat e tij parësore dhe atyre u përkushtohej me tërë qenien e vetë.
Patriotizmin e kishte edhe traditë familjare. Xhaxhai i tij, Saqipi kishte rënë heroikisht, në moshën 20-vjeçare, si luftëtar i çetës së Shaban Polluzhës, në vitin 1945. Këto ndjenja i kishte trashëguar edhe Sahiti.
Me shpirt e me zemër ishte me UÇK-në. Me formimin e Zonës Operative të Karadakut, në Zhegoc, që ishte vendlindja e tij, Sahit Baftiu u bashkua me trimat e lirisë dhe i kreu të gjitha detyrat që iu ngarkuan nga Shtabi.
Të premten e 16 prillit, Sahit Baftiu bie në altarin e lirisë, bashkë me engjëllin e vetë, Kastriotin, vëllain Shahinin dhe dhëndrin Bahriun, gjysmë kilometri larg fshatit Plitkoviq, në Malësinë e Zhegocit, e cila përherë ka qenë vatër e rezistencës ndaj armikut.
Sahit Baftiu është i lindur më 1952, në Zhegoc. Këtu e kreu shkollën fillore, të mesmen në Lipjan, kurse Fakultetin e Bujqësisë, në Prishtinë.
Trupi i tij tani prehet në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan, në paqe të plotë, mes dëshmorëve të tjerë të atdheut. /nazif sylejmani/rajonipress/


