Shënohet 17 vjetori i Betejës së Zhegocit e cila ka dhënë shumë dëshmorë e martirë
Gjilan – Organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot në malësinë e Zhegocit janë mbledhur në nderim dhe respekt për dëshmorët përfaqësues nga Komuna e Gjilanit, deputetë, veteranë të luftës, përfaqësues të FSK-së, përfaqësues nga policia, si dhe aktivistë e veprimtarë të çështjes kombëtare.
Në emër të kryetarit Haziri të pranishmit i ka përshëndetur nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu, i cili Betejën e Zhegocit e ka radhitur në mesin e betejave më të lavdishme të UÇK-së.
“Zhegoci dhe kjo malësi, janë çelësi dhe qendra e luftës së UÇK-së në këtë regjion. Ishte ura lidhëse mes sonës së Karadakut, Nerodimes dhe Llapit. Këtu në këtë hapësirë është dëshmuar hapur dhe qartë se si luftohet me krenari dhe guxim deri në flijim. Është vendi nga i cili janë hedhur themelet e fuqishme dhe të palëkundura të lirisë së Kosovës”, ka thënë nënkryetari Kadriu.
Ndërsa, ish komandanti i ZOK Ahmet Isufi, ka thënë se familjet e dëshmorëve me krenari së bashku me të gjithë të tjerët duhet të kujtojnë bijtë dhe bijat e tyre që ranë për të mos vdekur asnjëherë.
“Familjet e dëshmorëve duhet të jenë krenar për sakrificën e djemve dhe vajzave të tyre që ranë për të mirën e përgjithshme dhe me gjakun e tyre u bënë garantuesit e themeleve të shtetit dhe lirisë së Kosovës”, tha ai ndër të tjerash, duke spikatur amanetin e tyre për zhvillim dhe ndërtim të vendit.
E kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, në fjalën e saj gjatë nderimit të veprës së lavdishme të sakrificës, të vëllait dhe motrës së familjes Gashi, në fshatin Tërboc, ka thënë se femra ishte përkrah meshkujve edhe në momentet më të rënda dhe më të vështira, por siç ka thënë ajo, asnjëherë nuk u ndal angazhimi deri në çlirimin e vendit, dhe kështu është treguar vizioni, guximi dhe vendosmëria e fëmrës Kosovare.
Ndryshe, sot manifestimi është hapur me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Gjilan, për të vazhduar me zbulimin e pllakës së shtëpisë bazë të UÇK-së në Zonën Operative të Karadakut në fshatin Tërboc, për të kulmuar më pas me manifestimin qendror në qendër të fshatit Zhegoc, aty ku edhe ranë shumë dëshmorë si: Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi, Sahit Baftiu, Shahin Baftiu, Kastriot Baftiu, Njazi Osmani dhe 18 civilë, poashtu u vranë edhe civil dhe 49 të tjerë në fshatin Sllovi./rajonipress/


