Fundamenti

Promovohet në Shkup libri i profesorit italian mbi modelin shqiptar të bashkëjetesës fetare

/ 20 minuta lexim
Eco Higjiena

Prof. Cimbalo: Shqipëria si një vizion pluralist për islamin. Si një “ishull” me shumicë islame në një gadishull ku mbizotëron ortodoksia, Shqipëria ka zgjuar interesin e studiuesit italian Giovanni Cimbalo, profesor në universitetin e Bolonjës, për të analizuar veçoritë e marrëdhënieve mes shtetit dhe komuniteteve fetare, duke zbuluar në të njëjtën kohë “enigmën” e tolerancës fetare këtu, ndryshe nga vendet e tjera ballkanike dhe më larg tij. I vetmi shtet në Europë me shumicë myslimane, arriti të përpunojë një trajtë dhe vizion pluralist për islamin dhe të kapërcejë pengesat për proselitizëm të besimeve të tjera jo islame, edhe sepse ky i fundit ka epërsi shifrash. I gjithë “subjekti” është shtjelluar në librin “Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri”, botimet “Naimi”, i cili u promovua në mjediset e Universitetit të Evropës Juglindore, në Shkup, ku ishin të pranishëm, përvecc autorit të librit, edhe studiues e të interesuar të shumtë.

Prof. dr. Blerim Reka, pro-rektor i UEJL, duke prezantuar autorin e librit tha se “prof. Giovanni Cimbalo është profesor i së drejtës komparative në Fakultetin Juridik të Universitetit të Bolonjës dhe themelues i qendrës hulmutuese shkencore juridike LICODU. Ai është autor i dhjetëra librave që trajtojnë aspekte të së drejtës krahasimore, legjislacionit te shteteve të ndryshme që rregullojnë religjionin dhe lirinë fetare.

Sipas prof. Rekës, promovimi i këtij libri vjen në një moment kritik të keqpërdorimit dhe te politizimit të fesë, madje militarizimit të saj: Terrorizmi nuk ka fe perkunder përpjekjeve për veshjen e tij me petkun fetar, si nga ata që betohen se këtë e bëjnë në emër të Islamit, po aq nga ata- si Brejviku- në emër të puritanizmit katolik, apo separatistët në Ukrainën lindore në emër të vëllazërisë sllavo-ortodokse”. Më tej, duke u përqendruar tek libri “Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri”, botimet “Naimi”, Tiranë 2015, Reka tha se Shqipëria jepet në libër si një model i laicizmit dhe i tolerancës ndërfetare: si i vetmi shtet evropian me shumicë myslimane, që nuk i diskriminoi asnjëherë besimtarët e feve tjera; se në Shqipëri kurrë nuk pati luftë ndër-fetare dhe, siç shkruan autori në këtë libër, “ky ishull me shumicë myslimane, mbijetoi në një gadishull me mbizotërim ortodoks”.

Duke e marrë fjalën e rastit, prof. Giovanni Cimbalo, pasi falënderoi organizatorët e promovimit dhe kolegët që vlerësuan librin e tij, tha se Shqipëria na ofron përvojën e sistemit të përpunuar prej saj, mbi të cilën duhet reflektuar për të kuptuar se si mund të sigurohet paqja fetare dhe bashkëjetesa në diversitet në epokën e sotme të globalizmit dhe të Evropës së Bashkuar./rajonipress/

Skeda e librit

Titulli: Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri
Autori: Giovanni Cimbalo
Gjinia: monografi (kolana: Studime të së drejtës së krahasuar)

Titulli i origjinalit në italisht: Pluralismo confessionale e comunità religiose in Albania, Casa editrice and ©2012: Bononia University Press.

Përktheu në shqip nga origjinali: Flora Koleci

Redaktor: Naim Zoto
ISBN: 978-9928-109-61-3
Copyright në gjuhën shqipe: “Naimi” – shtëpi botuese dhe studio letrare
www.botimenaimi.com
Nr. i faqeve: 328

Një formulë juridike shqiptare si model i gatshëm për BE

Nga prof. Giovanni Cimbalo, Universiteti i Bolonjës, Itali

Studimi i marrëdhënieve mes shtetit shqiptar dhe komuniteteve fetare paraqet tipare të veçanta, duke qenë se ky vend shfaqet si një “ishull” me shumicë islame në një rajon ku mbizotëron ortodoksia.

Nga shqyrtimi i historisë kushtetuese, del se, që në zanafillë të shtetit të vet, Shqipëria moderne ka ndër parimet e saj themelore ndarjen mes shtetit dhe fesë, laicitetin e institucioneve, e kryesisht, pluralizmin fetar, i parë si formant i rëndësishëm i sistemit ligjor, një prej përbërësve themelorë për ndërtimin e unitetit kombëtar, si vlerë e epërme për vendin. Ky qëndrim bëri të mundur që i vetmi shtet në Europë me shumicë myslimane, të përpunojë një trajtë dhe vizion pluralist për islamin dhe të kapërcejë pengesat për proselitizëm të besimeve të tjera jo islame, edhe pse ky i fundit ka epërsi shifrash. Dekreti i vitit 1923, me anë të të cilit sistemi shqiptar vendosi kriteret për njohjen e personalitetit juridik civil për komunitetet fetare, përbën, ende sot, një prej normave më të përparuara për rregullimin e marrëdhënieve me kultet dhe një mjet të admirueshëm për parandalimin e konflikteve ndërfetare, një instrument juridik që nuk i zbehet vlera e origjinalitetit që mbart.

Rishqyrtimi i legjislacionit mbretëror për çështje të marrëdhënieve me komunitetet fetare dëshmon se si Shqipëria, në fund të njëzetvjetëshit të parë të shekullit të shkuar, nuk qe aq larg debatit që përfshiu Europën Perëndimore për këto çështje. Përkundrazi, ishte përfshirë tërësisht në procesin e gjetjes së mjeteve tipike neo-juridiksionale, për menaxhimin e marrëdhënieve mes shtetit dhe komuniteteve fetare, duke përshtatur me sukses mjetet juridike më efikase dhe më garantuese në krahasim me ato të vendeve të tjera që po rrotulloheshin në dredhën pështjelluese të marrëdhënieve të dakordësisë. Kjo u bë e mundur falë dështimit të çdo lloj ndikimi të huaj gjatë kohës mes dy luftërave, kur marrëveshjet e dakordësisë prekën nivelet më të larta juridike mes shtetit dhe kulteve, konkretisht me Kishën katolike.

Pamundësia për të nënshkruar një marrëveshje me këtë komunitet, që, për më tepër, përbënte pakicën në vend, e përqendruar kryesisht në veriperëndim të tij, nuk ndikoi aspak në rregullimin e marrëdhënieve mes shtetit dhe komuniteteve fetare. Gabon kush mendon se çelësi i leximit të marrëdhënieve mes shtetit dhe kulteve duhet kërkuar te mungesa e nënshkrimit të marrëveshjes me Selinë e Shenjtë. Ata mund të nisen nga nostalgjia e largët për shartimin e normave juridike të së drejtës kolonizuese italiane në Shqipëri, çka ndodhi gjatë bashkimit me mbretërinë italiane, por këto norma, përveçse të mangëta, përbëjnë një element të huaj për traditën juridike shqiptare.

Ndryshe do të mbijetonin, së paku pjesërisht, pas pushtimit ushtarak italian dhe atij gjerman.
Shumë është folur e përfolur për mbijetesën e kanunëve të ndryshëm dhe për ndikimin e tyre në shoqërinë e sotme shqiptare, duke i mëshuar idesë se normat zakonore të katundeve kanë dalë mbi ligjin shtetëror. Nuk mund të mohohet se kjo ka ndodhur deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, por, të këmbëngulësh që ende sot vepron e drejta kanunore në Shqipëri, do të thotë se je në padije të plotë për ndryshimet themelore në shoqërinë e sotme shqiptare, ku pjesa më e madhe e saj, tashmë është urbanizuar dhe shtresat klanore të dikurshme janë shpërbërë.

Republika e Shqipërisë, e dalë nga lufta antifashiste dhe antinaziste, çmoi si një ndër parimet themelore të saj ndarjen e shtetit prej fesë, jo si diktat i ideologjisë marksiste-leniniste, por si fryt i përvojës historiko-institucionale të vendit, duke qenë se ajo përbën një gur të palëvizshëm në ndërtesën e kahershme kushtetuese. Liria e ndërgjegjes buronte drejtpërdrejt nga pluralizmi fetar i sistemit shqiptar, pavarësisht se më vonë u përforcua nga parimet e marksizmit, deri aty sa u bë parimi themelor i sistemit kushtetueses të vitit 1976, ku, pikërisht në mbrojtje të lirisë së ndërgjegjes, por nën dritën e tezës marksiste, u shpall bujshëm ateizmi i shtetit, një qëndrim ekstrem dhe i pashoq i Shqipërisë brenda bllokut Lindor, edhe pse, formalisht, ndiqte të njëjtën linjë ideologjike me të.

Uji Dea

Lidhur me qeverisjen mbi çështjet e fesë, edhe shteti shqiptar parashikoi formimin e strukturave për funksionimin e marrëdhënieve mes shtetit dhe komuniteteve fetare, duke filluar me ngritjen e një zyre shtetërore për çështjet e kultit, që vërtet përkonte me gjegjëset e saj në vendet Lindore, por, zaten, një zyrë e tillë në Shqipëri funksiononte që në kohë të monarkisë. Po asaj kohe i përkasin procedurat për njohjen e besimeve fetare, për regjistrimin e tyre si dhe për dhënien e personalitetit juridik që gjejnë shprehje në të drejtën shqiptare, që në vitin 1923, sipas normave të së drejtës civile, që u konsoliduan në Kodin Civil të vitit 1928. Për këtë dëshmon ligji i vitit 1929 mbi njohjen e personalitetit juridik civil për komunitetet fetare, pasi aty janë rimarrë një sërë normash nga legjislacioni i mëparshëm, duke krijuar një standard modeli statutesh që u siguron të gjitha besimeve trajtim të njëjtë nga shteti. Një qëndrim tjetër tipik i juridiksionit shqiptar vihet re gjatë legjislacionit komunist, jo vetëm për mënyrën se si miratoheshin në postet e tyre drejtuesit e kultit, por edhe se si duhet t’i mbanin ata marrëdhëniet në nivel ndërkombëtar. Me këtë rast iu mëshua fort ‘shqiptarisë’ së komuniteteve fetare, si përpjekje për të shmangur çdo lloj qëndrimi vartës apo afrie të tepruar me qendrat fetare jashtë vendit.

Kjo sa u takon normave lidhur me ushtrimin konkret të lirisë së besimit, ndërsa, lidhur me normat që rregullojnë pasurinë e komuniteteve fetare dhe përqasjen e tyre me vendet e tjera socialiste, si, bie fjala, ligji i konfiskimit të pasurive fetare, sidomos i tokave, pas hyrjes në fuqi të reformës agrare të vitit 1949, edhe këtu duhet thënë se legjislacioni shqiptar karakterizohet nga një ashpërsi në rritje kundrejt masave të marra ndaj komuniteteve fetare, gjë që kulmoi me konfiskimin e plotë të të mirave të tyre, përndjekjen dhe persekutimin e pashoq të klerit, deri në ndalimin prerazi të shërbesave fetare, që në vitin famëkeq 1967. Problematikat e vendeve Lindore konvergojnë në një pikë kur bëhet fjalë për shkërmoqjen e këtyre regjimeve, pasi tradita relativisht e gjatë e tyre ka lënë gjurmë të thella në këto vende, ndaj meritojnë të shqyrtohen dhe analizohen në rrafsh krahasues për secilin syresh.

Nëse flasim për kohën e post diktaturës, mund të themi se ka më shumë dallime sesa të përbashkëta mes nismave ligjore në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera të Lindjes. Kushtetuta e re shqiptare nuk e mori menjëherë përsipër hartimin e normave lidhur me mbrojtjen e lirisë fetare apo të marrëdhënieve me kultet. Duhej pritur ca kohë për këtë, aq sa mbërriti yshtja prej organizmave ndërkombëtarë, e sidomos, prej Këshillit të Europës, ku Shqipëria nxitoi të bëhej pjesë e tij për t’i siguruar vetes legjitimitetin e nevojshëm ndërkombëtar. Përkundrejt avashllëkut lidhur me hartimin e normave në mbrojtje të lirisë fetare, qeveria e përkohshme shqiptare, ndryshe nga ajo e vendeve ish-socialiste, veproi me zhdërvjellësi të admirueshme për zgjidhjen e problemeve konkrete lidhur me kthimin dhe kompensimin e të mirave të konfiskuara. Dëshmi për këtë është miratimi i ligjeve të veçanta dhe ngritja e një organi të posaçëm, si ai i Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave.

Marrëveshja e firmosur me Kishën Katolike në vitin 2002, ndryshe nga ajo e nënshkruar nga vendet me shumicë katolike, është një marrëveshje-kuadër, e cila, pasi përmend disa parime bazë, e fokuson vëmendjen në norma të tjera që lypin negocim nga komisione të ngritura ad hoc, e, mbi të gjitha, nga legjislacioni i së drejtës së përbashkët. Në këtë mënyrë shteti shqiptar përmbush nevojën e diplomacisë së Vatikanit për të nënshkruar vetë thuajse të gjitha marrëveshjet, edhe kur janë të dorës së dytë, me shpresën që është zgjidhja e duhur strategjike, pasi kjo i siguron Shqipërisë njëfarë legjitimiteti ndërkombëtar, siç ka ndodhur, fundja, me të gjitha vendet e tjera ish socialiste.

Në gjykimin tonë është e pavend t’i jepet më shumë rëndësi kësaj marrëveshjeje, sesa zbatimit të legjislacionit të zakonshëm për çështje me interes të përbashkët mes Kishës katolike dhe shtetit shqiptar. Kjo duhet parë më shumë si një mjet i veçantë për zbatimin e marrëdhënieve të negociuara me kultet, edhe pse lind nevoja e ngritjes së të ashtuquajturve ‘Komisione ad hoc’, sipas marrëveshjes për rregullimin e çështjeve me interes të përbashkët.

Të një rëndësie të veçantë duket se janë marrëveshjet e nënshkruara me komunitetet e ndryshme fetare, që dallojnë nga ato të Kishës katolike, për trajtimin juridik veçmas të kësaj të fundit, gjë që e zbeh lidhjen e saj me shoqërinë shqiptare, pavarësisht përpjekjeve të shumta për ta shtrirë praninë e saj në vend. Me ndonjë përjashtim të rrallë, marrëveshjet, përgjithësisht, ndjekin një skemë të përbashkët, siç u veprua që me legjislacionin zogist, për të vijuar më me rigorozitet në atë komunist, por tashmë ka një frymëmarrje më të çlirët, në mënyrë që legjislacioni mbi komunitetet fetare të jetë sa më koherent, por edhe i njëtrajtshëm. Trajtimi i veçantë për Kishën katolike vihet re tek mbështetja për mbajtjen e klerit, sadoqë e pjesshme, duke qenë se shteti mbulon një pjesë të shpenzimeve të kulteve të ndryshme për mbajtjen e personelit fetar, siç ndodh në pjesën dërrmuese të Europës Lindore. Me sa duket, synimi është që të ndërtohet një sistem i përzier financimi, si shkrirje e donacioneve publike me apo private.

Liria e shkollimit është e garantuar, ashtu si dhe mësimdhënia fetare. Trajtimi juridik i enteve kishtare rregullohet me ligj të posaçëm për besimin katolik, paçka se normat e parashikuara nuk kanë ndryshim nga legjislacioni për shoqatat jofitimprurëse, që u lejojnë të gjitha komuniteteve vetadministrimin e enteve përkatëse, provë është fakti që Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë e përkufizon veten në statut si shoqatë jofitimprurëse.

Nisur nga tiparet e sotme të legjislacionit shqiptar për rregullimin e marrëdhënieve me kultet, gjykojmë se nuk mund të kuptohen bazat e këtij legjislacioni, nëse nuk shqyrtohen paraprakisht përvojat e hershme të tij dhe nuk vlerësohen elementet që i sigurojnë vazhdimësinë, jo vetëm me sistemin zogist, por edhe me mjetet juridike të përpunuara gjatë dyzet viteve të regjimit.

Një ndër arsyet që na shtyu t’i futemi këtij studimi ishte nevoja për të hetuar e zbuluar arsyet që e mbajtën Shqipërinë larg konflikteve ndërfetare, në një kohë kur trevat rreth saj, me përbërje etnike dhe fetare shumë të përafërt me të, nuk paqëtohen aq lehtësisht. Edhe pse e drejta, si e tillë, qëndron mbi strukturat konkrete, në shumë raste ajo luan rol vendimtar për edukimin e bashkëjetesës, pasi është e aftë të konsolidojë në jetën e faktorëve të ndryshëm shoqërorë, sjellje dhe struktura që shkojnë e përcaktojnë drejtpërsëdrejti marrëdhëniet ekonomike dhe shoqërore. Me fjalë të tjera, nëse përpunimi i rregullave të përbashkëta në raport me individët apo grupet bëhet në autonomi të plotë të këtyre grupeve, derisa t’u japin formën e statuteve përkatëse, atëherë, është shumë më e lehtë që këto rregulla të pranohen dhe asimilohen deri në atë shkallë, sa të bëhen pjesë e “traditës” kulturore dhe të gjejnë mbështetjen e një kuadri ligjor koherent, për t’u përkthyer në marrëdhënie njerëzore dhe ekonomike, siç është rasti i martesave mes besimeve të ndryshme, apo mes tyre dhe ateistëve; lënia në dorë të komuniteteve përkujdesjen për të mirat e përbashkëta etj. Të gjitha këto përkthehen në elementë strukturorë që përcaktojnë tiparet e një sistemi juridik e të një bashkësie shoqërore të caktuar. Vazhdimësia e këtij tharmi në jetën juridike shqiptare, pavarësisht përvojave të ndryshme politiko-institucionale të shtetit; natyra vetjake e rendit të tij kushtetues; vetëdija e fortë e “shqiptarisë” në popull që del mbi dasitë fetare, të gjitha këto kanë përcaktuar, brenda shoqërisë shqiptare, ato marrëdhënie që nuk u gjendet ekuivalentja në trevat përreth, sepse, atje, pavarësisht identitetit të gjuhës dhe përkatësisë fetare, as ka pasur dhe as nuk ka një strukturë shtetërore institucionale që t’i lejojë të drejtës shtetërore por dhe asaj fetare të kryejë një rol pedagogjik, edukues për bashkëjetesë.

Duhet të kemi përvujtërinë e nevojshme e të pranojmë se, nganjëherë krejt qorrazi e me pavetëdije, mund të na joshë mendimi se modelet ‘tona’ janë të epërme e të vetmit që u japin përgjigje nevojave për mbrojtjen e lirisë fetare, pluralizmit të besimit dhe laicizmit. Ky tundim ka marrë përmasat e një epidemie, sepse as që kujtohet kush ta kurojë, madje puna ka shkuar deri aty sa të mos shtrohet fare problemi i mbrojtjes dhe i promovimit të diversitetit, paçka se ngjishen bashkë shoqëri e sisteme krejt të largëta, jo vetëm gjeografikisht, por, pikësëpari, me histori, tradita e sisteme vlerash krejt të ndryshme.

Përvoja shqiptare tregon se sa e pavend është kjo sjellje karshi kokëfortësisë së fakteve, por edhe na ofron përvojën e sistemit të përpunuar prej saj, mbi të cilën duhet reflektuar për të kuptuar se si mund të sigurohet paqja fetare dhe bashkëjetesa në diversitet. Nëse ia dalim të reflektojmë deri në atë shkallë sa t’i hapim rrugë këtij procesi ballafaques, mund të themi se kemi ndihmuar, sadopak, në nxitjen për rishqyrtim kritik të bindjeve të sipërpërmendura.

Që kjo perspektivë të futet në hullinë e duhur, ndoshta janë pjekur kushtet për të shtruar këto pyetje: në ç’kuadër normativ mund të kultivohet njohja e veçantive të përkatësive të ndryshme fetare; në ç’mënyrë e në ç’kushte mund të kryhen negociatat për arritjen e objektivave; ç’dobi ka një ligj i posaçëm për lirinë fetare, që, padyshim anon në të mirën e përbashkët, por që i ka kufijtë e paqartë mes punëve të fesë dhe çështjeve të kulturës, ndërgjegjes dhe solidaritetit, sidomos në ditët e sotme, që me hapjen e tregut fetar gjendemi përballë agjencive të shumta ku gërshetohet, por edhe kamuflohet e shenjta me bindje dhe përkatësi kryekëput të ndryshme dhe jo gjithnjë në sintoni me traditat dhe sjelljet e përbashkëta të njerëzve besimtarë. E për më tepër, ç’kuptim ka sot, që gjendemi përballë një pluralizmi fetar në rritje, të propozosh/imponosh, me pretekstin e marrëveshjeve të negociuara, paçka se duket sheshit sforcimi i anëtarëve me tradita dhe kultura të ndryshme, të shtrënguar të veshin të njëjtën ‘uniformë’, siç po bëhet në Itali me faktorët e ndryshëm të islamit, duke i yshtur të prezantohen nën të njëjtin emër.

Nëse është e vërtetë që procesi i globalizimit dhe problematikat e integrimit të kontinentit europian i japin përparësi rolit të pushteteve lokale për përmbushjen e detyrimeve ndaj lirive fetare, por që u lënë shteg sjelljeve ‘benjamine’ në kurriz të barazisë njerëzore, atëherë duhen gjetur mjetet dhe metodat për ngritjen e një disipline të përbashkët mbi fenomenet fetare, që siguron mbrojtjen e përbashkët dhe efikase. Procese të tilla nuk mund të shkojnë deri aty sa t’i bëjnë të paqena diversitetin, përvojat, traditat, qofshin dhe ato juridike, jo vetëm për vende të veçanta, por edhe për gjithë sa mbartin e sjellin me vete bashkësitë e emigrantëve me mënyrën e tyre të të jetuarit.

Integrimi nuk vjen nëpërmjet nënshtrimit, por falë respektit për identitetin dhe veçantinë e gjithsecilit; nuk vjen as nga homologimi, por duhet kërkuar në diversitetin e shumëfishtë, në rrënjët e historisë së popujve, në promovimin e pluralizmit që nuk ka jetë pa laicizmin e shtetit dhe të institucioneve. Dyndja në masë dhe pandërprerje e popujve e, bashkë me to, edhe përvojave të ndryshme të jetës, e ka shndërruar Europën në një zonë ku mbizotëron diversiteti kulturor dhe fetar. Në këtë kontekst, feks qëllimi praktik dhe jo vetëm akademik i këtij studimi. Përvoja shqiptare na ndihmon të ndjekim rrugën e duhur, në mënyrë që mbrojtja e komuniteteve që u mësyjnë territoreve të reja të mos prodhojë vlera regresive, për hir të lirisë së tjetrit.

Përvojat që mbërrijnë nga vende të ndryshme do të na këshillonin një model pluralizmi fetar, ku çdo komuniteti t’i jepej mundësia për t’u organizuar rreth parimeve të veta, duke e pranuar pluralizmin fetar si një prej modeleve të sistemit juridik, i cili, duhet ngritur në përputhje me historinë dhe traditat fetare të shumë prej këtyre popujve. Kjo ka gjetur shprehjen e vet në Shqipëri, ku modeli i marrëdhënieve, i bazuar në negociatat mes shtetit dhe secilit grup fetar, ka për rezultat bashkëjetesën në diversitet, çka ushqehet nga parimet e laicitetit, të ndarjes dhe të pluralizmit. Një prej arsyeve që e ka bërë të mundur këtë, është struktura e islamit shqiptar, natyra e tij pluraliste dhe respekti ndaj degëzimeve fetare në brendësi, por edhe jashtë tij.
Në ditët e sotme, kur panorama fetare është kaq e ndërlikuar jo vetëm nga trashëgimia e rënduar historike, por edhe nga përhapja e sotme e kulteve të reja që kërkojnë të drejtën e shtetësisë nga Lindja në Perëndim, bankëprova e vërtetë e sistemeve të marrëdhënies mes shtetit dhe komuniteteve fetare gjendet në trevat kufitare të Ballkanit, i cili gjithmonë ka qenë kryqëzim i paqes dhe i luftës në Europë.

Këtu, si kudo, përvoja shqiptare mund të na vlejë shumë.

(nga parathënia e librit “Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri”, botimet “Naimi”, Tiranë 2015)