Ndahet nga jeta doktor Zija Devaja
Gjilan – Më (10 prill 2016) në Shkup pas një sëmundje të shkurtër, në moshën 88-vjeçare, ndërroi jetë, Dr. Zija Devaja. Ai ishte, njëri ndër veteranët e mjekësisë të Anamoravës dhe Kosovës. Si intelektual dhe ekspert mjekësor e mbi të gjitha si njeri, Dr Zija Devaja gëzon respekt të veçantë ndër shqiptarët jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë hapësirën shqiptare. Ishte shumë i përkushtuar në punën e mjekut.
Ishte pedant dhe i suksesshëm. Në vitet e ’60-ta, kur për profesionin e mjekut në Anamoravë e Kosovë, kishte nevojë të madhe Zijaja u rreshtua i pari në dhënien e ndihmës mjekësore popullatës në Anamoravë.
Në vitet 1960 -1963, fillimisht punoi si mjek në Viti, ku me devotshmëri i shërbeu popullit i cili në atë kohë kishte më së shumti nevojë për ndihmë mjekësore.
Me punën e palodhur që e bënte Dr Zijaja, dukshëm ndikoi në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në këtë anë. Prandaj popullata e rajonit të Anamoravës ardhjen e Dr.Zijas në Viti e kishte mirëpritur, pasi Dr.Zijaja ishte ndër mjekët e parë shqiptar në trevën e tyre.
Nga viti 1963, Zija Devaja shkoi në Shkup për të specializuar, ku vazhdoi punën si mjek- pediatër ndërsa në vitin 1978, merr gradën e Primariusit në mjekësi.
Puna e Dr Zijas, kudo u çmua, sepse popullata kishte nevojë të madhe për mjek shqiptarë si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni. Dr. Zijaja në vitin 1973 vazhdoi të punojë si pediatër në Poliklinikën e Pediatrisë në Shkup, ku më së tepërmi u mjekonim fëmijtë shqiptar.
Megjithëse një figurë e shumanshme, Dr Zija Devaja, në rend të parë, do të çmohet për kontributin dhënë fushës së mjekësisë, por si autoritet në këtë fushë, ai dha edhe një kontribut të veçantë në avancimin e mjekësisë në përgjithësi, ku puna e tij la gjurmë të pashlyeshme në mbrojtjen e fëmijëve të shumë brezave. Varrimi është bërë në varrezat Butel të Shkupit./rajonipress/


