Xhelili: Qeveria po e anashkalon Anamoravën, deputetët i kemi analfabet e dështak
Gjilan – Selver Xhelili thotë se kjo nuk duhet të ndodh dhe qytetarët e Anamoravës duhet t’i thonë “Jo” më mashtruesve dhe manipuluesve me votat e tyre, ngase nuk janë të denjë t’i përfaqësojnë ata denjësisht në Parlamentin e Kosovës. Është keq për të thënë, por 80 për qind e përfaqësuesve tanë të Anamoravës në Parlament janë analfabetë, dështakë dhe matrapaz, ata nuk janë të aftë ta menaxhojnë vetveten e lëre më një komunë a rajon shprehet ai.
Qeveria e Kosovës, që nga paslufta e këndej, është duke e injoruar Anamoravën, në fushën e investimeve kapitale. Gjilani dhe Anamorava në tërësi, nuk e meritojnë një trajtim kaq injorues nga shteti i tyre, të cilit qytetarët e saj janë të përkushtuar e me pedanteri në kryerjen e pagesës së taksës, duke u llogaritur ndër taksapaguesit më të rregull të rajonit thotë Selver Xhelili kryetar i Republikanëve në Gjilan, raporton rajonipress.
Xhelili thotë se në këtë drejtim Qeveria e Kosovës, nuk është fajtore, por të zgjedhurit nga Anamorava, të cilët në vend se të angazhohen me rrugë institucionale për thithjen e donacioneve nga ministritë përkatëse, ata më shumë merren me forcimin e tyre financiar e pushtetar. “Ja shembulli konkret, nga 125 000 000 euro, sipas shifrave statistikore shtetërore kthimi në investime në Anamoravë, është hiç më shumë se 35 000 000 euro, ku do të thotë ne si taksa-pagues afër 90 000 000 euro investime tonat të Anamoravës ikin në regjionet tjera si Drenicë e Rrafshin e Dukagjinit”, shprehet Selver Xhelili, kryetar i Republikanëve të Kosovës për Gjilan.
Xhelili thotë se kjo nuk duhet të ndodh dhe qytetarët e Anamoravës duhet t’i thonë “Jo” më mashtruesve dhe manipuluesve me votat e tyre, ngase nuk janë të denjë t’i përfaqësojnë ata denjësisht në Parlamentin e Kosovës. “Është keq për të thënë, por 80 për qind e përfaqësuesve tanë të Anamoravës në Parlament janë analfabetë, dështakë dhe matrapaz, ata nuk janë të aftë ta menaxhojnë vetveten e lëre më një komunë a rajon. Qytetarët e Anamoravës, kanë të drejtë të dinë se 90 000 000 euro, merren nga taksat e tyre dhe derdhen në formë donacionesh për investime nëpër qendra e tjera të Kosovës. Qytetarët, gjithashtu, duhet të jenë të vëmendshëm se në të ardhmen kujt do t’ia japin votën, nga besimi i Juaj në këtë formë e ka sjellë Anamoravën në një gjendje të mjerueshme dhe kaotike” shton Xhelili.
Xhelili mendon se Anamorava, duhet t’i thotë “Jo” këtyre mashtrimeve dhe marrjes së hises së tyre, duke këmbëngulur që taksat e tyre drejtuar Qeverisë, t’i kthehet komunave të tyre me donacione në investime zhvillimore. “Në këtë drejtim pozita dhe opozita, duhet të veprojnë unik, të bashkuar në qëndrime dhe veprime për realizimin e kërkesave të qytetarëve, të cilët nuk e meritojnë një injorim të tillë. Në të gjitha variantet e mundshme, me dispozitat dhe kompetencat, që i takojnë një kryetari komune, po erdha në krye të qeverisjes lokale, do t’i kisha thënë “Stop” diskriminimit nga niveli qendror i qeverisjes dhe do ngrisja imazhin e komunës, në sferën e biznesit, kulturës, sportit” etj.
Duke i falënderuar këtyre principeve, do të kemi Gjilanin me një qeverisje jokorruptive, një qytet pa banda, piratë e haraçxhinj vlerëson Xhelili i republikanëve. “Do ta bëjmë Gjilanin, një komunë me klimë të volitshme për investime. Si kryetar komune, do ta kushtëzoj Qeverinë se aq sa japim për taksa siç është shuma prej 125 000000 euro, do t’i kthehen komunës për investime kapitale, për lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve, rikthimin e bizneseve gjigante, me ndryshimin e qeverisjes së Gjilanit, e jo siç është ajo aktualisht me PDK-LDK, por me ardhjen në pushtet të republikanëve REK, forca kryesore e denjë për ndryshime, duke ia kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur qytetarëve të saj, të cilët duhet të jenë krenarë se janë gjilanas”, thekson Selver Xhelili, kryetar i Republikanëve të Kosovës për Gjilan./rajonipress/


