Uji Dea

Një PDK për Ramushin

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Imer Mushkolaj – Lideri i AAK’së nuk po e përjashton mundësinë që të bëjë koalicon me një PDK “ndryshe”. Por, kjo parti zor se do të jetë e tillë ndonjëherë. Ajo është sinomim i keqqeverisjes dhe kapjes së shtetit. Për t’ia plotësuar kushtin Ramush Haradinajt, duhet krijuar një PDK të re. Kjo nuk do të ndodhë kurrë, megjithatë Haradinaj mund të bashkëqeveris me PDK’në shpejt.

Ramush Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që të bëjë koalicion me PDK’në por, siç ka thënë ai, vetëm nëse kjo parti në krye me Kadri Veselin arrin t’i bindë se angazhimi i tyre nuk është vazhdim i gjendjes aktuale. Duket se lideri i AAK’së po përpiqet që të arsyetojë përfshirjen eventuale të partisë së tij në qeveri me largimin e Hashim Thaçit. Por, largimi i tij nga partia dhe bërja president nuk e bën tjetër PDK’në dhe, sigurisht, nuk ka se si ta bëjë automatikisht të pranueshme për koalicion.

Kjo parti është sinomim i keqqeverisjes e kapjes së shtetit dhe as që mund të pretendohet se me ardhjen e Veselit në krye të saj, ajo do të ndërrojë në mënyrë aq radikale, sa të bëhet aq e pëlqyeshme për Haradinajn.

Qoftë jozyrtarisht, qoftë zyrtarisht, Veseli ka qenë gjithnjë pjesë e kësaj partie dhe PDK’ja e tanishme është trashëgimi edhe e angazhimit të tij. PDK është partia e zyrtarëve të gjykuar e të dënuar, partia e zyrtarëve të arratisur nga drejtësia, partia e zyrtarëve të përfshirë në krim të organizuar e korrupsion, partia e premtimeve të pambajtura.

PDK është parti sinonim i kapjes së shtetit dhe gjasat janë të vogla që të ndërrojë logjika e deritashme e qeverisjes, siç shpreson Haradinaj. Është parti e ndërtuar fort mbi klientelizëm, parti e keqpërdorimeve të shumta. Andaj, të varet shpresa tek ndërrimi eventual i kursit të qeverisjes nga PDK’ja me ardhjen e dikujt tjetër në krye të saj dhe të merret kjo si njëfarë garance, është lajthitje e qëllimshme sa për të arsyetuar ndonjë veprim të pamençur që mund ta bëjë AAK në të ardhmen.

Uji Dea

* * *

Të mërkurën mbrëma aktivistë të AAK’së shpërndanë posterë nëpër vende publike, në të cilët Hashim Thaçi thuhej të ishte arkitekt i kapjes së shtetit, imazh i krimit dhe korrupsionit dhe ai i cili i luajti gurët e kufirit. Në këtë mënyrë, ata simbolikisht po e kundërshtonin zgjedhjen e tij president. Por, Thaçi erdhi në këtë post nga PDK’ja, parti që e udhëhoqi që nga themelimi. Ai e udhëhoqi edhe filozofinë qeverisëse të PDK’së, të karakterizuar me shumë skandale. Askush nuk mund të na bindë se kjo filozofi nuk do të vazhdojë më tutje. Është e vështirë, jashtëzakonisht e vështirë të ndërrojë diçka. Aq më pak kur kryeministri aktual Isa Mustafa vetëm sa e vazhdoi atë logjikë të qeverisjes. Nuk mund të ishte ndryshe, pasi me vullnet pranoi të bashkëqeverisë me PDK’në dhe Thaçin. Andaj, çfarëdo vendimi që të bëhesh pjesë e kësaj keqqeverisjeje, don të thotë amnistim i kësaj të keqeje, don të thotë amnistim i një ndërmarrje të përbashkët kriminale që nuk ka lidhje me përgjegjësi e shtetndërtim, por vetëm me hajni e privilegje. Të bëhesh patericë e një qeverie dhe një qeverisjeje çfarë është sot don të thotë të bësh vetëvrasje politike, don të thotë të legjitimosh me vullnet të plotë të gjitha të këqijat që kanë pllakosur vendin. Andaj para se të vendosë çkadoqoftë, Haradinaj duhet t’i ketë parasysh të gjitha këto. Askush nuk do t’iu besojë arsyetimeve të tipit se mund të marrë garanca se do të ketë tjetër kurs qeverisjeje. Tjetër qeverisje me kë? Me cilët njerëz? Me ata që nuk iu ka mbetur pikë integriteti, pikë njerëzie? Me ata që janë në gjendje të bëjnë gjithçka vetëm për interesa personale? Askush nuk mund të besojë se mund të jesh parimor, nëse pranon të bëshesh pjesë e së keqes. E keqja duhet luftuar, e jo legjitimuar. Haradinaj e ka këtë shans.

* * *

Ramush Haradinaj është joshur edhe në të tjera raste për t’u bërë pjesë e qeverisjes, pjesë e koaliconeve me PDK’në. Por, zakonisht gjithçka ka përfunduar pa lavd, ngase PDK dhe Thaçi e kanë keqpërdorur gatishmërinë e tij për të kontribuar në qeverisje. Koalicioni me PDK’në do të ishte, thënë më së buti, joparimor. Në vend se të turren drejt pushtetit, AAK dhe Haradinaj duhet të punojnë për për të fituar besimin e sa më shumë votuesve, me alternativë bindëse qeverisëse. Opsioni tjetër është shumë, shumë i lehtë: AAK dhe Haradinaj mund të bëhen patericë e një qeverisjeje të krimit, korrupsionit e mashtrimit. Por, kjo nuk është rruga e duhur. Nuk është rruga e duhur për ta larguar nga pushteti këtë kastë politike që vazhdon ta dëmtojë vendin. Nuk është rruga e duhur për të çuar ku duhet vizionin për një Kosovë tjetërfare. Kjo nuk është rruga e Ramushit. Nuk duhet të jetë rruga e Ramushit.