Heronjtë kombëtarë janë vlerë e përbashkët
Gjilan – Prej 25 vitesh Gjilani është duke organizuar i vetëm manifestimin më të madh mbarëkombëtar në nderim të heronjve, të cilët u flijuan nëpër janarët e acartë të historisë shqiptare, gjatë rrugëtimit shekullor për liri e mëvetësi. Bashkim Nexhipi, përgjegjës i Njësisë për Kulturë, Rini e Sport, beson se sivjet manifestimi ka qenë edhe më i avancuar në pikëpamje artistike
Nexhipi: Deri më tani, në këto 25 vjet, Flaka e Janarit, asnjëherë nuk është përfshirë në kalendarin e manifestimeve që financohen apo bashkëfinancohen nga MKRS-ja.
Manifestimi “Flaka e Janarit” mbahet prej 25 vitesh në Gjilan. Ky qytet i pjesës lindore të Kosovës identifikohet me “Flakën…” në të gjitha trojet etnike madje edhe në diasporë, më shumë se me gjithçka tjetër. Për të nderuar heronjtë e kombit, të rënë nëpër janarët e acartë, edhe në vitet më të vështira, me guxim e ka mbajtur ndezur flakadanin e lirisë, duke sfiduar errësirën që kishte imponuar pushtuesi serb. Heronjtë e kombit janë kujtuar e nderuar përmes artit pamor, skenik, letrar e muzikor, që kanë qenë dhe mbeten katër shtyllat kryesore të këtij manifestimi më unik në trojet shqiptare, në rrugëtimin e gjatë të këtij populli për liri e mëvetësi. Por, është koha e fundit që Gjilani të mos lihet vetëm në organizimin e këtij manifestimi, sepse tri javë aktivitete janë një barrë e madhe financiare për pushtetin lokal. Një manifestim që tubon mijëra artistë e artdashës nga të gjitha trevat shqiptare, për të shfaqur, ose ndjekur programet e “Flakës…”, nuk mund të bëhet me pak financa. Varësisht prej viteve, manifestimi shumë kulturor “Flaka e Janarit” Gjilanit i ka kushtuar deri në 75 mijë euro.
Kostoja e manifestimit arrin deri në 75 mijë euro
Sivjet, janë shpenzuar gati përgjysmë më pak mjete, por reduktimet buxhetore në manifestime të tilla, jo gjithmonë janë të mundshme, pa e dëmtuar pjesën përmbajtjesore. Megjithatë, ”Flaka e Janarit 2016” ia doli ta ruajë fizionominë dhe të begatohet me forma të reja. Bashkim Nexhipi, përgjegjës i Njësisë për Kulturë, Rini e Sport, beson se sivjet manifestimi ka qenë edhe më i avancuar në pikëpamje artistike.
Ai kërkon që “Flaka…” të futet në agjendën e aktiviteteve vjetore të MKRS-së. “Deri më tani, në këto 25 vjet, Flaka e Janarit, asnjëherë nuk është përfshirë në kalendarin e manifestimeve që financohen apo bashkëfinancohen nga MKRS-ja”, thotë Nexhipi.
Sipas tij, kjo është një pengesë që “Flaka e Janarit” të ketë karakterin e mirëfilltë të një manifestimi mbarëkombëtar, edhe pse me pjesëmarrje në programin e saj, ajo është e tillë.
Sipas Nexhipit, “Flaka e Janarit 2016” ka kushtuar 43 mijë euro. Për pjesën e aktiviteteve janë shpenzuar 35.080 euro, kurse 7.925 euro janë pagesa të akomodimit dhe ushqimit për trupat artistike pjesëmarrëse. “43.032 euro janë një shumë e vogël, krahasuar me një organizim aq të madh dhe që bëhet në mënyrë profesionale, jo me improvizime”, thotë ai, duke nënvizuar faktin se “Flaka…” është një mega–manifestim, tashmë tradicional, që Gjilani e ruan me shumë xhelozi.
Sivjet, shpenzimet u reduktuan në 43 mijë euro
Risi e këtij viti ka qenë “Film Flaka” – festival i filmit të shkurtër, ku morën pjesë pesëmbëdhjetë filma nga më të suksesshmit në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. I tërë ky aktivitet u mbulua me 2.100 euro. Në festivalin e dramës shqipe u paraqitën trupa teatrore nga të gjitha trojet etnike. Shfaqjet u ndoqën me interesim të jashtëzakonshëm dhe për shkak të kapaciteteve të sallës, mbi 200 shikues nuk kanë arritur të futen brenda. Dhe nuk ka ndodhur diku tjetër që publiku t`i thyej dyert e Teatrit nga dëshira për të hyrë brenda dhe për t`i parë shfaqjet.
Bujar Nevzati (PDK) thotë se nuk ka vërejtje për shumën e parave që janë shpenzuar për këtë manifestim, madje thotë se edhe kaq janë pak, por kërkon më shumë hollësi për shpenzimet. Përndryshe, “Flaka…” përkrahet si nga pozita, ashtu edhe opozita, sepse shumica prej tyre dikur kanë qenë bashkë në organizimin e këtij manifestimi, por tani kundërshtohen te kostoja financiare. Opozita e djeshme (LDK) e akuzonte ish-qeverisjen për shpenzime të mëdha, që shkonin mbi 75 mijë euro dhe tani lavdërohet se këto shpenzime i ka reduktuar në 43 mijë euro, për të njëjtin manifestim./rajonipress/


