Punë shtrati dhe politikë
Nga Imer Mushkolaj – Qytetarët kanë të drejtë të dinë gjithçka për të zgjedhurit e tyre. Pse jo edhe si flasin, sillen e veprojnë në momente të ndjeshme. Askush nuk i siguron se pikërisht në këso momentesh dobësie ata edhe mund të marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen e tyre.
Më është dashur ta zhgënjej një kolege timen e cila insistonte që njëra nga politikanet kosovare nuk duhej të shihej veç si “objekt seksual”, por edhe si “tru”. Bëhej fjalë për një rast që, edhe po të duash të shohësh përtej paraqitjes bombastike të saj, e ke vështirë. Jo se nuk do, por se nuk të lejon, ngase deshe s’deshe së pari fokusohesh në të tjera asete të saj, e më pas në ato intelektuale.
Ajo ka zgjedhur të paraqitet ashtu dhe është e drejtë e saj, ama e ka të kotë që të përpiqet për të na shitur diçka tjetër si vlerë, kur me vetëdije të plotë ka vendosur të përfaqësohet ashtu.
Nuk dua të paragjykoj se si ajo ka rritur në krye të politikës kosovare sepse të tillë, por që shfaqen me të tjera “asete”, gjen sa të duash edhe në mesin e meshkujve. Vetëm po them se të tillë persona, që mbajnë poste publike, duhet të kenë kujdes se çfarë kanë vendosur si prioritet të shfaqjes në publik. Sa për të mos u ankuar pastaj se po i keqkuptojnë dhe po i keqinterpretojnë.
Të tillët duhet të jenë të kujdesshëm edhe si sillen e çfarë flasin, qoftë edhe në telefon, ngase ato biseda fare lehtë mund të dalin në publik, siç ndodhi para pak ditësh me një bisedë “të nxehtë” politike në Maqedoni. Ajo bisedë edhe mund të jetë montazhë, por është një leksion për të gjithë ata që kanë vendosur të meren me politikë dhe jo vetëm.
Nëse ke një përgjegjësi publike dhe vendos për fatin e qytetarëve, atëherë gjithsesi duhet të kesh përgjegjësi edhe për ato që thua e bën. Aq më tepër kur mundësia për t’u sulmuar e shantazhuar me ndonjë veprim, mbase edhe të pamenduar sa duhet, është shumë e madhe.
Njerëzve iu intereson gjithçka që ka të bëjë me persona që vendosin për fatin e tyre, që paguhen me paratë e tyre, që pritet të tregojnë vlera të larta të përgjegjësisë publike. Andaj, kur ndodh që të publikohet ndonjë bisedë, fotografi a video, reagimet janë të shumta.
Por, a duhet përcaktuar modelin e gruas politikane bazuar në dy shemebujt e mësipërm? Sigurisht, jo.
* * *
Ka plot gra që karrierën e tyre politike, biznesore ose akademike nuk ngurrojnë ta ndërtojnë nëpërmjet shtratit. Siç ka dhe shumë burra, të cilët të njëjtat i ndërtojnë nëpërmjet “gjunjëzimit”. Ato dhe ata edhe mund të kenë të drejtë. Tekefundit, iu takon atyre çfarë rruge kanë zgjedhur për të arritur më shpejt suksesin. Por, problemi është se këto përpiqen të na i shesin si vlera civilizuese, duke dhënë shembull se si mund të arrish shumë, pa shumë mund.
Fatkeqësisht, ky model vazhdon të funksionojë në Kosovë, me rrezikun që të shndërrohet në normë të sjelljes dhe mënyrës së funksionimit. Vlerë civilizuese më nuk është të dish dhe të meritosh vendin në shoqëri, por të gjesh rrugë sa më të lehta për të mbërritur aty ku dëshiron. E këto rrugë të lehta kalojnë shpesh kah shtrati, kah gjunjëzimi para zingjirëve të zbërthyer të pantallonave, kah joshja me para e shërbime.
Mund të konsiderohen çështje të tyre intime e private, por askush nuk mund të më bind se qytetarët nuk kanë të drejtë të dinë gjithçka për të zgjedhurit e tyre. Pse jo edhe si flasin e veprojnë në momente të ndjeshme, siç mund të jetë një bisedë telefonike me një koleg partiak. Askush nuk i siguron qytetarët se pikërisht në këso momentesh dobësie, të zgjedhurit e tyre edhe mund të marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen e tyre. Dhe, kur shohin me sy e dëgjojnë me veshë çfarë ndodh, mund të kenë të drejtë edhe të paragjykojnë – deri atëherë kur ata t’ua vërtetojnë të kundërtën.
* * *
Unë nuk kam si e shoh ndryshe llojin e politikanes nga fillimi i këtij shkrimi, veçse të atillë çfarë ajo dëshiron të perceptohet nga publiku. Nuk kam si t’i shoh ndryshe as meshkujt politikanë, veçse të atillë çfarë ata dëshirojnë të shfaqen. Pavarësisht metodave që përdorin për të mbërritur cakun, ata të paktën duhet të jenë të vetëdishëm se janë persona publikë dhe bisedat e tyre mund të përgjohen e të publikohen. Me to mund të kërcënohen e të shantazhohen. Ndërkaq, te publiku mund ta krijojnë ndjenjën e keqe pse të zgjedhurit e tyre kanë përvetësuar me vullnet këtë mënyrë të sjelljes.
Është e kotë pastaj të na mbushin mendjen se përfaqësojnë vlera civilizuese. Është e kotë të përpiqen të na mbushin mendjen se në thelb janë krejt ndryshe prej asaj që shfaqen. Është e kotë të na shiten çfarë nuk janë vërtet.


