Pa dekriminalizim të politikës nuk reformohet drejtësia
Kosova ende shumë larg shtetit të së drejtës. Gjykatat dhe prokuroritë me dështime të shumta
“Kosovës paraprakisht i duhet një periudhë e gjatë e dekriminalizimit të politikës, pasi i gjithë sistemi është i kriminalizuar deri në palcë. Pastaj të gjitha të tjerat do të dekriminalizohen më lehtë”, ka pohuar deputeti Adem Salihaj
Praktikat e deritanishme, por edhe realiteti i brishtë në sistemin e drejtësisë, po tregojnë se kemi të bëjmë me një fushë shumë të ndjeshme për shtetin, që është joefikas dhe i kapur nga politika dhe grupet e ndryshme të interesit. Se a do ta shëronte këtë sëmundje të ‘metastazuar’ në sistemin e drejtësisë vetëm një reformë e thellë dhe dekriminalizimi i gjyqësorit e prokurorisë, si dhe a janë konfliktet politike ato që po e lënë anash këtë problem në vazhdimësi, flasin njohësit e kësaj fushe.
Avokati Skender Musa tha për gazetën “Kosova Sot”, se sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës ka nevojë për reformë të thellë që duhet të përfshijë edhe kuadrot, si gjyqtarët ashtu edhe prokurorët. Sipas tij, reformat duhet të dallohen nga luftimi i kriminalitetit që mund të ketë në gjyqësor apo prokurori, pasi reforma duhet të përfshijë strategjinë e punës, koordinimin dhe menaxhimin e lëndëve dhe përgatitjen e stafit për të qenë në gjendje që të kryejnë detyrat e punës që u janë besuar në bazë të kontratave dhe ligjit, po ashtu, siç thotë, edhe ndërrimin e kuadrove të paafta në bazë të vlerësimit të perfomancës së tyre./kosova sot/


