UBT

Rektori i UBT-së angazhohet për parlament studentor në arsimin e lartë

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka shfaqur idenë se krijimi i parlamentit studentor në kuadër të arsimit të lartë në Kosovë do të ishte në interes të ngritjes së cilësisë, si dhe në involvimin më serioz të studentëve në vendimmarrje. Këtë ide, Hajrizi e ka shpërfaqur në ambientet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë, të enjten, në një takim të organizuar nga Zyra nacionale Ersamus +, me Zyrën e Komisionit Evropian, MASHT-in, si dhe ekspertët për reformat e arsimit të lartë.

Sipas Hajrizit, krijimi i Parlamentit studentor do të krijonte lidhje më të fuqishme të studentëve dhe do t’u jepte atyre më shumë kompetencë.

Hajrizi e ka vlerësuar lart takimin, ndërsa ka sqaruar se si ngjarje është në kuadër të grupit HERE, që, siç është shprehur ai “është një emërtim nga Brukseli për të krijuar një forum të mirë në lidhje me temat që kanë të bëjnë me arsimin e lartë”. Hajrizi, gjithashtu e vlerësoi si të rëndësishëm bashkëpunimin që do të bëhej me universitetet e tjera për tema të caktuara. Në këtë rrafsh, ai ka shfaqur shpresën për përkrahjen nga MASHT-i.

Remzije Istrefi, koordinatore e Zyrës Erasmus + ka sqaruar se zyra që ajo drejton shërben si pikë ndërlidhëse ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe Komisionit Evropian. Ka sqaruar se Zyra koordinon dhe menaxhon fondet e arsimit të lartë që vijnë nga Brukseli.

Eco Higjiena

“Kjo me qëllim që edhe institucionet e arsimit të lartë në Kosovë të zhvillohen konform standardeve evropiane”, ka shtuar ajo, për të treguar se Zyra Erasmus + në Kosovë ndihmon të gjithë të interesuarit, si studentët, ashtu edhe stafin akademik, stafin administrative etj. Ajo theksoi se Zyra Erasmus + ndihmon institucionet e arsimit të lartë, që të aplikojnë për programet dhe grandet që ofron Komisioni Evropian.

Për eksperten, Lindita Tahiri, reformat e arsimit në Kosovë synojnë një përputhje të plotë me ato të zonës evropiane të arsimit të lartë.

Drejtoresha e Departamentit për arsimin e lartë në MASHT, Drita Kadriu, vuri në pah se çështjet kanë marrë udhë të mbarë, pas miratimit nga qeveria të dy ligjeve: për Arsimin e Lartë dhe për Profesionet e Rregulluara./rajonipress/