Në Kamenicë debatohet për rregulloren e mirëmbajtjes së mjedisit
Kamenicë – Organizata Jo-Qeveritare (OJQ) “Netëork of Peace Movement” (NOPM) në kuadër të projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në vendim-marrje përmes harmonizimit të rregulloreve komunale me legjislacionin në fuqi” që menaxhohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe financohet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) ka mbajtur konsultimin e parë publik me qytetarë në bashkëpunim me anëtarët e grupit punues për hartimin e rregullores për mirëmbajtjen e mjedisit në territorin e komunës e Kamenicës.
Debatin e hapi drejtoresha e NOPM-së Besime Tusha ku i njoftoi qytetarët për qëllimin e projektit si dhe bashkëpunimin me drejtorinë e shërbimeve publike, ambientit dhe inspekcionit për ndryshimin dhe hartimin e kësaj rregulloreje.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Faton Jakupi shpjegoi rregulloren për mbrojte të mjedisit. Gjatë shpjegimit të ndryshimeve në këtë rregullore ai shpjegoi se e ka shtuar edhe mbrojtjen nga zhurma e cila nuk ishte e përfshirë në rregulloren e vitit 2009 me të cilën komuna ka punuar deri tani. Dispozitat ndëshkuese dhe gjobat si dhe lartësia e tyre ishte në fokus të veçantë të shpjegimit për qytetar, po ashtu edhe mbrojtja nga zhurma u diskutua për bizneset në vendbanime.
Qëllimi i këtij debati publik ishte përfshirja e qytetarëve në plotësimin dhe ndryshimin e kësaj rregullore në bazë të sugjerimeve të tyre të cilat mund të përfshihen në rregullore në bazë të legjislacionit në fuqi OJQ NOPM përmes konsulentit te jashtëm ka lehtësuar konsultimin e parë publik me qytetarë së bashku me grupin punës që ka qenë pjesë e panelit gjatë diskutimeve publike.
Debati publik u koncentrua kryesisht në ndryshimet e propozuara si dhe nevojën për harmonizimin e kësaj rregulloreje sipas legjislacionit në fuqi. Të pranishmit patën mundësin të ofrojnë sugjerimet, propozimet dhe komentet e tyre lidhur me rregulloren në fjalë si dhe të diskutojnë çështje të ndryshme të rregullores.
Në debat publik kanë marrë pjesë rreth 45 pjesëmarrës duke përfshirë qytetarët nga komuniteti shqiptar dhe serb, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, NOPM-se dhe mediave, të rinjtë, grupit të grave dhe zyrtar komunal.
Në fund të debatit publik, kryesuesi i grupit të punës dhe përfaqësuesit e OJQ-së NOPM siguruan të pranishmit se do t`i inkorporojnë në draft rregullore të gjitha sugjerimet, propozimet dhe komentet e ofruara si dhe do t`i fusin rregulloren me të gjitha ndryshimet në Kuvend për aprovim.
Gjithashtu ky takim kishte për synim rritjen dhe angazhimin e akterëve komunal, shoqërisë civile dhe qytetarëve në reformën e qeverisjes komunale me synim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve dhe pjesëmarrjes së publikut në vendim-marrje, përmes forcimit të procedurave demokratike dhe pjesëmarrëse të parapara në ligjet në fuqi./rajonipress/


