Në Gjilan urimet për pranverën erdhën nga nxënësit e shkollës “Abaz Ajeti”
Gjilan – Ishin nxënësit e klasës së tretë të shkollës së mesme të ulët të “Abaz Ajetit”, ata që me poezi, pankarta dhe muzikë kanë hyrë në zyrën e kryetarit për të sjellur urimet për pranverën, duke potencuar dëshirën e tyre të madhe për shumë gjelbërim shtesë dhe lule të bukura.
Me këtë rast shefi i kabinetit të kryetarit, Arbër Ismajli, ka thënë se këta nxënës, mesazhet e tyre dhe entuziazmi për më shumë gjelbrim, lënë të kuptohet njëkohësisht edhe si kërkesë e qytetarëve për një qytet me gjelbrim më të madh dhe të pastër.
Ai ka pohuar se Komuna e Gjilanit dhe kryetari Lutfi Haziri, po punojnë gjithnjë në hapësira shtesë për gjelbrim, sikur që edhe është duke u punuar edhe në aspektin e kujdesit dhe mirëmbajtjes së hapësirave ekzistuese.
Ndërsa nxënësit e klasës së tretë të paraleles së dytë, me mësueset Dashurie Shaqiri dhe Mevlide Haqifi, kanë shpërndarë mesazhet e tyre nëpër qytet për urimin e pranverës dhe kërkesën “punoni o qytetarë, pa përtesë, oksigjenin ta shtojmë dhe sëmundjet t’i largojmë, shëndetin ta përmirësojmë”.
Gjithashtu një pjesë e nxënësve kanë bërë edhe prezantimin e pikave të shkurtra muzikore si me kitarë dhe violinë./rajonipress/


