FIDANISHTJA

Kosova e Shqipëria me projekt të përbashkët për turizëm malor

/ 10 minuta lexim
Eco Higjiena

Një projekt për zhvillimin e turizmit malor në zonat kufitare Kosovë-Shqipëri do të finalizohet me 15 maj të këtij viti.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, tregon se një juri ndërkombëtare do të bëjë vlerësimin e projektit dhe do të shpallë kompanitë fituese për projektin që synon t’i japë një injeksion zhvillimit të zonës Gjakovë-Tropojë, dhe do të financohet edhe nga fondet e Komisionit Evropian.

Sipas tij, synohet që dhe kjo pjesë e territorit të zhvillohet në fushën e turizmit malor, siç është zhvilluar Lugina e Valbonës.

Një tjetër projekt i madh mes “dy vendeve shqiptare” pritet të përmbyllet në fund të qershorit. Bëhet fjalë për projektin e interkonjeksionit 400 kilovotësh, e cila është quajtur “Autostrada Energjetike”.

Kosova e ka kryer pjesën e vet, ndërsa Shqipëria do ta përfundojë në fillim të qershorit, ka konfirmuar Minxhozi. “Ky do të jetë një hap shumë-shumë i rëndësishëm për pavarësinë ekonomike të Kosovës dhe pavarësinë ekonomike të Shqipërisë, sepse do të hapë horizonte të reja me një bashkëpunim jetësor, midis dy ekonomive tona”.

Për të vendosur modalitetet e bashkëpunimit në fushën e energjetikës, më 30 mars në Tiranë do të mbahet një mbledhje e përbashkët në nivel ministror.

Në këtë intervistë për “Ekonomia Online”, Minxhzi flet dhe për shkëmbimet tregtare që vitin e kaluar ishin rreth 200 milionë euro. “Këtë vit ka arritje edhe më të larta, muajt e parë janë më premtues, ka një rritje diku 5-6 për qind më tepër sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe janë shifra me gjithë mend që të inkurajojnë. Por, ne kemi pasur një rritje të madhe në vitin e kaluar që vlen të theksohet për sa i përket import eksporteve të produkteve bujqësore”.

Raporti import-eksport mes dy palëve mbetet një me katër në disfavor të Kosovës. Ambasadori Minxhozi konsideron se kjo ndodh pasi Shqipëria ka një ekonomi më diverse dhe me kapacitet më të madh.

Minzhozi thotë se kriza aktuale politike në Kosovë, ndikon edhe në ekonominë e Shqipërisë.

EO: Ambasador, a është në nivelin e kënaqshëm bashkëpunimi, sidomos ai ekonomik, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?

Minxhozi: Natyrisht ka një rritje, nga viti në vit midis institucioneve të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Janë bërë marrëveshje shumë të rëndësishme për rritje sidomos të bashkëpunimit ekonomik, apo siç themi ne, shkëmbime të ndryshme në fushën tregtare dhe ekonomike. Këto janë evidente, natyrisht ne presim të bëhen më tepër që të ulin në maksimum ato barriera që pengojnë një zhvillim sa më normal të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës.

ARKATANA

EO: Sa është vlera e importeve dhe eksporteve ndërmjet dy vendeve dhe në cilat fusha ka më së shumti shkëmbime tregtare?

Minxhozi: Në vlerë monetare, Kosova dhe Shqipëria shkëmbejnë midis tyre një vlerë prej 200 milionë euro. Kjo është shifra e fundit e cila ka rezultuar ne vitin 2015. Këtë vit ka arritje edhe më të larta, muajt e parë janë më premtues, ka një rritje diku 5-6% më tepër se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe janë shifra me gjithë mend që të inkurajojnë. Por, ne kemi pasur një rritje të madhe në vitin e kaluar që vlen të theksohet për sa i përket import eksporteve të produkteve bujqësore. Nga ana tjetër, dua të theksoj se midis Kosovës dhe Shqipërisë raporti import eksport të dy palëve është një me katër, 25% në vlerë totale ka Kosova dhe 75% ka Shqipëria. Kjo lidhet jo me një diskriminim që mund të mendojnë ndonjë njeri, por lidhet me faktin që ekonomia shqiptare është më diverse dhe ekonomia shqiptare ka më shumë kapacitete. Po të marrim vetëm bujqësinë, ne kemi bujqësi më intensive sesa Kosova, lidhur edhe me faktorin e kohës, motit klimatik. Në qoftë se produktet bujqësore, dalin në masë në fund të muajit korrik, në Shqipëri për shkak të pozicionit gjeografik, këto produkte bujqësore dalin që në fillim të muajit maj. Prandaj edhe kemi një avantazh për një eksport më të madh në këtë drejtim. Nga ana tjetër, do të thosha se ne po shikojmë për të pasur një zhvillim për disa sektorë strategjikë. Një zhvillim të përbashkët, ose një bashkëpunim më të frytshëm. Dhe ky është në sektorin e energjetikës…

EO: Linja 400 kilovotëshe, në territorin e Kosovës ka përfunduar ndërsa nga territori i Shqipërisë ende jo, pse janë vonuar, kur pritet të kurorëzohet ky projekt?

Minxhozi: Pala kosovare, vitin e kaluar përfundoi pjesën e interkonjeksionit 400 kilovotësh deri në kufi me Shqipërinë. Ndërsa, Shqipëria do ta lidhë pjesën tjetër të “autostradës”, brenda ditëve të para të muajit qershor. Kosova dhe Shqipëria do të kenë linjën e interkonjeksionit 400 kilovotësh që do të jetë një hap shumë-shumë i rëndësishëm edhe për pavarësinë ekonomike të Kosovës dhe pavarësinë ekonomike të Shqipërisë, sepse do të hapë horizonte të reja me një bashkëpunim jetësor, midis dy ekonomive tona. Shqipëria dhe Kosova, nëpërmjet marrëveshjeve që do të pasojnë në të ardhmen, do të kenë lehtësira për të importuar e eksportuar energji elektrike. Madje për këtë do të mbahet një mbledhje shumë e rëndësishme në Tiranë në nivelin ministror, ku do të ketë ekspertë të fushave për të përcaktuar modalitetet paraprake se si do të jetë ky bashkëpunim në të ardhmen. Unë po ua jap vetëm një shembull për të treguar rëndësinë e kësaj. Në qoftë se Shqipëria do të dojë të importojë energji elektrike në Kosovë e ka shumë vështirë për ta bërë direkt dhe do ta bëjë nga palët e treta, mund ta bëjë nga Serbia, Maqedonia, por është tepër e vështirë për të qenë një komunikim i drejtpërdrejtë. Ndërsa duke e pasur interkonjeksionin mes vete kjo shkurton kohë, është kosto më e ulët dhe pastaj nuk vemi në vështirësi në periudhat për shembull ku ka nevojë Kosova për energji elektrike, mund t’i japë Shqipëria dhe anasjelltas. Prandaj ky është një hap shumë shumë i madh. Vendosja e këtyre modaliteteve që e thashë në mbledhjen e 30 marsit në Tiranë do të krijojë pastaj një hapësirë tjetër se si të marrin iniciativat tjera se si të perfeksionohet ky bashkëpunim në këtë sektor shumë të rëndësishëm, jetësor, strategjik dhe me vlerë shumë të madhe ekonomike.

EO: Deri ku ka ecur puna për realizimin e projekteve ndërkufitare mes MMPH-së-komunave kufitare dhe Ministrisë se Zhvillimit Urban?

Minxhozi: Ka një bashkëpunim shumë të mirë midis ministrive të Mjedisit të Shqipërisë, me atë të Kosovës, e cila do të finalizohet me një projekt shumë interesant në zonën Gjakovë – Tropojë, ku do të bëhet projekti i parë lidhur me fushën e turizmit se si do të zhvillohet turizmi malor. Ky projekt do të finalizohet me datë 15 maj. Do të jetë një juri ndërkombëtare që do të bëjë vlerësimin e projektit për kompanitë fituese për këtë. Do të shikohet mundësia që kjo pjesë e territorit, ashtu siç është zhvilluar Valbona të zhvillohet edhe kjo pjesë, sidomos në aspektin turistik. Po shikohet mundësia, pastaj edhe midis Kukësit dhe Prizrenit dhe ky është një projekt, por i cili do të ketë një afat më të vonë. Por është në rrugën e zhvillimit të projektit.
Gjithashtu, projektet kufitare interesante janë edhe midis Gjakovës, Hasit dhe Tropojës. Tashmë është krijuar Bordi i Zhvillimit Rajonal që ka një vlerë shumë të madhe në kuptimin konceptual dhe po ecim me projekte konkrete. Gjithashtu, kohëve të fundit kemi bërë një lidhje shumë interesante midis spitalit të Bajram Currit dhe Gjakovë, në mënyrë që të trajnohen disa mjekë të rinj nga spitali i Bajram Currit që kanë kapacitete më të vogla, në spitalin e Gjakovës, dhe pse jo edhe në atë të Prishtinës. Kemi pasur një takim atje me ministrin e Shëndetësisë së Kosovës se si mund të arrihet bashkëpunimi. Me këtë dua të them që neve po hedhim themelin e një bashkëpunimi rajonal afatgjatë, i cili do të zhdukë patjetër kufijtë midis Shqipërisë dhe Kosovës, për një bashkëpunim sa më të frytshëm, ekonomik, social e tjerë.

EO: Ndërkaq, sa i përket ankesave që zakonisht i kanë prodhuesit kosovarë për të eksportuar në shtetin e Shqipërisë, a janë tejkaluar?

Minxhozi: Natyrisht se nuk mund të themi se janë tejkaluar, në të gjitha shtetet kanë probleme midis vete, do me thënë problemet e shkëmbimeve, por ajo që është më e rëndësishmja, është se ka një frymë mirëbesimi midis partnerëve midis Shqipërisë dhe Kosovës për ta tejkaluar këtë problem. Për vetë faktin se kemi rritjet shkëmbimeve ekonomike tregon që këto faktorë subjektivë po bien çdo ditë e më tepër. Natyrisht që duhet të ketë çdo ditë substancë për vendime që marrin që ato të jenë sa më të zbatueshme, sepse kur vijën puna në coftë se merret një vendim e sipër ka një zvarritje herë pas here ndodhë nga të dy palët.

EO: Flasim pak për krizën aktuale politike në vend si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Sa ndikon në ekonominë e dy vendeve, kjo krizë?

Minxhozi: Duhet të kemi parasysh që sa më tepër të kemi stabilitet politik, aq më tepër do të përfitojnë aksesorët ekonomikë për t’u zhvilluar. Në qoftë se jetojnë në kohë krizash është shumë e vështirë për të zhvilluar mardheniet normale, sepse mardheniet kanë një dinamikë shumë interesante , sepse shpeshherë kërkohet edhe nisma politike, ndërhyrjet politike për t’i dhënë një hapësirë zhvillimit ekonomik ose një shkëmbimi reciprok. Atëherë në qoftë se në Kosovë kemi një situatë jostabile politike, natyrisht kjo do të influencojë në ekonominë e vetë vendit, por nga ana tjetër preket edhe ekonomia e një shteti siç është Shqipëria një partner shumë i rëndësishëm për Kosovën. Prandaj mendoj që kapërcimi i kësaj krize do të hapte më tepër mundësi për një bashkëpunim më efikas midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e ekonomisë.