Haliti nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi disa vjeçare me Iniciativën për Zhvillimin e bujqësisë
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës. Marrëveshja ndër tjerash synon organizimin dhe bashkëfinancimin e projekteve të ndryshme në fushën e bujqësisë ku ndër to përfshihen edhe shërbimet këshillimore për fermerët dhe atë për vitet 2016-2018.
Në këtë marrëveshje është e përfshirë edhe një aneks për aktivitetet të cilat do të bashkë financohen gjatë këtij viti si Investimi në rregullimin dhe hapjen e kuzhinave në shkollat e kësaj komune. Ushqimi do të përgatitet nga shoqatat e grave dhe ka për qëllim gjenerimin e punësimit, por edhe ofrimin e ushqimeve cilësore për nxënësit.
Ndërkaq aktiviteti tjetër do të jetë angazhimi i ekspertëve për zbatimin e projekteve dhe trajnimi i fermerëve në fushën e ndryshme të bujqësisë dhe agro përpunimit. Kjo marrëveshje u nënshkrua sot pas një takimi që e kanë zhvilluar Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe të drejtorit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Veton Ademi me Zenel Bunjakun, Drejtor i IADK. Ndonëse kjo marrëveshje parasheh edhe projekte të tjera të cilat do të saktësohen në ankesat e saj./rajonipress/


