KEDS-i në emër të investimeve, ndëshkon qytetarët
Gjilan – Investimet e KEDS-it kanë ndikuar që në disa lagje të Gjilanit të ndërpritet rryma nga 8 orë në ditë. Ky regjim i KEDS-it ka irrituar tej mase qytetarët. Sahit Abazi e Salih Hasani nga lagjja e tetë thonë se pavarësisht investimeve që mund të bëjë KEDS-i, ndërprerja aq e gjatë e rrymës është shkelje e të drejtave të qytetarëve.
Sahit Abazi këshilltar komunal nga lagjja e tetë ku edhe është ndalur rryma më shumë se tetë orë brenda ditës thotë se ka marrë shumë ankesa nga banorët e lagjes. “Ne e kuptojmë se KEDS-i ka nevojë të investojë, por jo të ndërpresë rrymën me orë të tëra. Kjo është papërgjegjësi dhe irriton qytetarët. Me asnjë investim nuk mund të arsyetohet KEDS-i, me veprimet që po bënë duke ndërprerë rrymën e duke shkaktuar telashe nëpër familjet tona” shprehet Abazi.
Edhe Salih Hasani banor në lagjen e tetë thotë se KEDS-i po i shkel të drejtat e njeriut dhe të drejtat e vet konsumatorëve. “Është e patolerueshme kjo që po ndodhë me KEDS-in. Edhe pse ata mund të japin lajmërimin se do të ketë ndërprerje të energjisë, sërish as ky veprim nuk arsyetohet. Mungesa e energjisë me orë të tëra sjell kaos në familjet tona” tha Hasani./rajonipress/


