Salihu: “Qeveria brilante” me keqmenaxhim brilant në Komunën e Vitisë
Viti – Keqqeverisja në Komunën e Vitisë po zhgënjen gjithnjë e më shumë qytetarët e Komunës së Vitisë. Kryetari Haliti dhe jo vetëm ai, por edhe klika e tij e ngushtë vazhdojnë të qeverisin në stilin e vjetër duke përdorur kamuflimin, shantazhin dhe presionit ndaj të gjithë atyre që në çfarëdo forme kanë nevojë për mbështetje institucionale apo edhe të atyre që nuk e pranojnë këtë keqqeverisje thotë Salih Salihu nga LVV.
Salihu thotë se asnjë projekt, asnjë punësim, dhe asnjë ndihmë nuk u bëhet qytetarëve për hir të drejtës së tij universale për mbështetje institucionale (punësim, bursë, infrastrukturë etj.), por ç’do gjë kalkulohet se nga cili fshat, cila lagje dhe sa vota ka ai njeri duke tentuar që të shtrij edhe më gjërë ndikimin e formës klienteliste dhe nepotiste. “Nuk ka mundësi që një donacion i vullnetit te mirë sa do i vogël qoftë nga ndonjë person, kompani private apo edhe ndonjë organizatë që z. Haliti të mos jetë prezent për tu fotografuar. Madje, qeverisjes së tij mund t`i shtohet edhe epiteti “qeveri e mirënjohjeve”, ku zyrtarët komunal dekorojnë njeri tjetrin. Me këtë far lloj absurditeti po tentohet të kamuflohen ngecjet në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe problemet serioze në menaxhimin financiar të Komunës së Vitisë që po vazhdojnë të paraqiten edhe pas vërejtjeve të Raportit i auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014.
Fatkeqësisht, pothuajse në të gjitha sektorët e zhvillimit problemet kanë mbetur të njëjta, madje në disa prej tyre kemi edhe përkeqësime të gjendjes” thotë Salihu.
Sipas Salihut njëri nga këta sektorë është Arsimi, i cili në vend të përmirësimit të kushteve dhe cilësisë, ai është politizuar skajshmërisht dhe janë shkelur ligji dhe procedurat gjatë procesit të angazhimit të stafit arsimor. “Pra, pa konkurs deri më tani janë punësuar rreth 16 persona, por rasti me konkret është ai në shkollën fillore ‘’Nazmi Pajaziti” në Budrikë e Epërme, ku në muajin shtator është pranuar mësuesja në punë, ndërsa konkursi shpallet në nëntor 2015. Për kundër vlerësimit të Komisionit vlerësues që mësuesen e kishte ranguar si të treten nga 4 kandidatë që kishin konkurruar sepse diploma e saj ishte nga një kolegj privat i pa akredituar, prapë se prapë Komuna refuzoi kandidatet me diplomë nga universiteti publik dhe vendosi për mësuesen në fjalë sepse ishte në lidhje familjare me një zyrtar komunal”.
Raste të tilla, pa konkurs, por edhe raste të keqpërdorimit të konkursit duke ia përshtatur kandidatëve të preferuar, ka thuaja në të gjitha shkollat e Komunës së Vitisë sqaron Salihu. “Pastaj, në asnjë rast ku është bërë zëvendësimi i pushimit të lehonisë nuk ka pasur konkurs publik ashtu si e parasheh ligji për arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës. Përveç kësaj, drejtoria e arsimit në Viti, ballafaqohet edhe me keqmenagjim financiar si pasoj e punësimit pa kriter duke ndarë nxënësit nëpër klasa pa nevojë dhe rritur kështu numrin e të punësuarve pa mbulesë deri ne 70. Në muajin Janar 2016 buxhetit të arsimit i paraqiten deficit në paga për 26000 euro, njëjtë ishte edhe për muajin shkurt dhe mars dhe nëse vazhdon kështu deri në fund të vitit deficiti do të arrij deri në 300 mijë euro në sektorin e arsimit.
Problem tjetër në këtë sektor paraqet edhe shitja e inventarit për skrap nga drejtorët e tri shkollave, shkolla fillore në Pozheran, Shkolla fillore në Kabash dhe Shkolla e mesme teknike në Viti pa asnjë procedurë dhe në kundërshtim me ligjin”.
Poashtu, problem kishte edhe në tenderin e mirëmbajtjes së Shkollave të Vitisë në vlerë rreth 70 mijë euro, tender ky i fituar nga kompania e vëllait të ish drejtoreshës së kadastrit, dhe përkundër konstatimit fillestar të komisionit mbikëqyrës se kjo kompani nuk ka kryer punët e parapara në projekt dhe ka mangësi punësh në vlerë prej 15 mijë euro, por pas presionit ne komision, kompanisë iu transferuar të gjitha mjetet nga Komuna.
Gjithashtu, shpenzimet (avanset) për udhëtime zyrtare jashtë vendit të z. Haliti në vitin 2015 që kapën shumën mbi 7000 euro janë të pa arsyeshme dhe nuk kanë ndikuar asgjë në sjelljen e ndonjë investitori të huaj apo vendor në Viti, përveç se i kanë shërbyer z. Haliti për turne turistike jashtë vendit. Këtu ka shqetësime edhe për mënyrën e arsyeshmerisë së avanseve nga vet Kryetari, prandaj i bëj thirrje z. Haliti që t`i bëjë publike të gjithë dokumentacionin dhe arsyeshmërin e avanseve.
Këto si dhe shumë veprime të tjera të dëmshme, Lëvizja VETEVENDOSJE! në Viti në vazhdimësi do t`i bëj të njohura për publikun, po e konfirmojnë bindjen tone se z. Sokol Haliti dhe klika e tij nuk janë zgjidhja për ndryshimin që ka nevojë Vitia dhe qytetarët e saj ka thënë Salih Salihu koordinator i Lëvizjes VETEVENDOSJE! në Viti./rajonipress/


