Mobi Casa

Adem Demaçi

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Ismail Syla – Adem Demaçi u bë simbol i qëndresës, i burgosuri shqiptar numër një në ish Jugosllavi, frymëzues i gjeneratave të tëra, sepse fizikun, shpirtin dhe moralin e tij origjinal i vuri në shërbim të Atdheut, të vetëdijesimit të tjerëve se Kosova dhe viset tjera nën Jugosllavi janë të robëruara dhe se hapi i parë i çlirimit të tyre merret nga vetvetja.

Përderisa në Tiranë viti 2016 u shpall si vit i Ismail Kadaresë, në Kosovë 2016 –tëshi u shpall vit i Adem Demaçit, si vit i tetëdhjetë vjetori të lindjes së tij.

Është fat i madh që Adem Demaçi ka botuar librin “Dashuria kuantike e Filanit”, një libër – roman autobiografik në të cilin përshkruan rrënjësisht rrugën tij prej moshës 9 vjeçare deri në mbarimin e kohës së burgosjes së parë (19 nëntor 1958 – 18 nëntor 1961).

Në këtë libër më mirë se kudo del në pah kuptimi i qëllimit të tij jetësor, përcaktimi për të qenë kundër shtetit i cili ka pushtuar dhe robëruar vendin e tij, pushtetit dhe shtetit që shtyp popullin e tij.

Ajo që është thadruar në mendjen e tij që nga mosha e re me një gjuhë të kuptueshme dhe me disa rrëfime na vjen e gjallë, filmike, e thënë me sinqeritet dhe besnikëri deri në skajshmëri.

Adem Demaçi nuk është emër i rastësishëm i politikës dhe kulturës shqiptare. Ai është emër për të cilin ka investuar çdo çast të jetës së tij, çdo ditë çdo periudhë jetësore pa reshtur asnjëherë.

Është fat për letrat shqipe që ai e le të shkruar biografinë politike shpirtërore deri në një periudhë, pa pasur nevojë që ne ta angazhojmë dhe ngacmojmë fantazinë tonë për këtë ose atë segment të jetës së tij.

Adem Demaçi ka kapacitetin e duhur intelektual dhe aftësinë shprehëse gjuhësore stilistike për ta dhënë në mënyrë të thellë dhe origjinale shpirtin dhe motivet psikologjike për angazhimin e vet jetësor dhe politik.

Kur lexuesi e përfundon librin i mbetet ndjesia e mangësisë, e mos përfundimit të rrëfimit jetësor. Por edhe vetëm deri ku arrin ta shpjegojë jetën e tij mjafton për ta kuptuar thelbin e shpirtit të tij.

Cili është shpirti dhe qëllimi i tij jetësor. Një dhe vetëm një. Çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe Jugosllavia, liria e shqiptarëve, liria dhe të qenit i barabartë me kombet e lira.

Fillimisht, Adem Demaçi pozicionin politik dhe historik të popullit të Kosovës e kupton me sjelljen e partizanëve ndaj vëllait, Maliqit në fund të luftës së Dytë Botërore. Aty për të është fillesa e padrejtësisë edhe përjetimi emocional i saj. Në rrugën jetësore të fëmijës një rol determinues luan mësuesi nga Shqipëria, Kolë Nikaj. Po ashtu, në shkollë të mesme, profesori i frëngjishtes Zekeria Rexha dhe ndonjë profesor tjetër kanë ndikim të rëndësishëm.

Adem Demaçi i ri ka plot pyetje për të bërë në jetë. Të gjitha kanë një qëllim: të dihet se Kosova është e pushtuar, se padrejtësitë dhe shtypja e tyre nën Jugosllavi janë programatike sistematike.

Sado i talentuar dhe me mundësi për te bërë jetë individuale të qetë, Adem Demaçi nuk e zgjedh rrugën e lehtë të pajtimit ose atë tjetrën të gjysmëpajtimit me robërinë e vendit dhe popullit të tij.

Në çdo rast i jep vetes të drejtë dhe nuk e ndal shfaqjen e mendimeve për padrejtësitë dhe për krimet që ishin bërë dhe vazhdonin të bëheshin në kurriz të shqiptarëve. Dhe vjen çasti kur shërbimi i sigurimit jugosllav konsideron se shkrimtari i ri Adem Demaçi duhet të arrestohet. Adem Demaçi i sheh të gjitha parashenjat e këtij arrestimi, por ai nuk ndalej.

Ballafaqimi me burgun. Është hyrje në një fazë të re të jetës. Ai kalon sprovë pas sprove. I mbyllur në qeli. Të ftohtët. Lufta e brendshme e shpirtit dhe trupit. Kush do të qëndrojë?

Kjo luftë e brendshme është dhënë me saktësinë milimetrike. Dimri dhe Adem Demaçi në qeli shtyhen e shtyhen dhe në këtë betejë ngadhënjen mezi shpirti i tij. “Kështu më vajtën tri ditë e tri net fort të vështira, por jo të pamundshme” shkruan ai pas kalimit të sprovës fizike.

Eco Higjiena

Lëvizjet në qelinë e ftohtë, rrobat e holla dhe vënia e kores së bukës së nxehtë mbi kokë janë dhënë me plasticitet, bindshmëri dhe saktësi mbresëlënëse mjaftueshëm pë të treguar fitoren mbi betejën fizike.

Adem Demaçi ka edhe një sfidë tjetër. Ballafaqimi me aparatin e shërbimit sekret, me atë të gjyqtarëve, prokurorin dhe dëshmitarët shqiptarë. Ky është ballafaqimi interesant, po aq interesant edhe i shpjeguar në libër.

Në fakt përmes këtij ballafaqimi del karakteri i pathyeshëm, filozofia e qëndresës dhe morali stoik i Adem Demaçit. Dhe këtë ballafaqim e bën shkallë shkallë. Adem Demaçi e shpalos vetveten deri ne transparencë maksimale. Ai e zbulon vetveten deri në qelizën e fundit si njeri që do ta kundërshtojë jetësisht, tërë jetën Jugosllavinë dhe sundimin e Kosovës nga ana e saj.

Adem Demaçi këtë qëndrim e thotë krejt hapur, pa hezitim, pa frikë, pa censurë para inspektorëve të UDB-së. Në Gjykatë, para trupit gjykues shpreh idetë përtej asaj që e ngarkonte aktakuza. Gjysmë aktakuzën e bën të plotë, sepse ai ka qëllim jetësor ta thotë hapur shkallën e robërisë se vërtetë të Kosovës. Adem Demaçi ka një qëndrim moral origjinal ndaj dëshmitarëve që kishin deponuar me shkrim, nuk është me rëndësi për të me dëshirë a pa dëshirë, me vullnet a pa të, me detyrë a pa të.

Adem Demaçi ka nisur rrugën jetësore për ta dëshmuar se është kundërshtar i robërisë së Kosovës dhe jo për t’i testuar të tjerët se çfarë karakteresh kanë, sa janë të thyeshëm ose të pathyeshëm.

Adem Demaçit nuk i bëjnë fare, ama fare përshtypje ata që ia rëndojnë ose që dëshmojnë se çfarë ka thënë aty ose këtu. Ai ka punë me vetveten përballë shtetin okupues të trojeve shqiptare.

Kështu Adem Demaçi kalon sprovën e dytë, të idealit dhe qëllimit jetësor. Ai është njeriu që në rrugën e kundërshtimit të robërisë së atdheut nuk ka prapaktheu.

Adem Demaçi kështu çdo gjë tjetër ia nënshtron qëllimit te përcaktuar jetësor. Vuajtjet fizike, humbja e lirisë, vuajtja e nënës, burgosje në thelb të moshës rinore dhe në shpërthim të talentit nuk janë faktorë që e dobësojnë atë.

Nuk është me rëndësi lartësia e dënimit me vite burgu të rëndë, nuk është me rëndësi sa herë dënohet, nuk është me rëndësi sa herë nga kushtet e rënda kalon në diçka më të lehta dhe sërish e kthejnë në izolime, qeli dhe restrikcione tjera.

Adem Demaçi kështu po fillonte një rrugë origjinale që do t’i jepte kuptim po aq origjinal emrit të tij. Ai ishte i përgatitur shpirtërisht për betejë të gjatë jetësore. Ai kishte vetëmohuar vetveten përballë qëllimit. I pathyeshëm i pamposhtur.

Qenia e tij fizike, mendore, intelektuale e morale jeton për një qëllim, ta kundërshtojë sundimin e Kosovës nga Jugosllavia dhe Serbia. Çdo gjë tjetër jashtë këtij qëllimi është dytësore, triviale.

Kështu, Adem Demaçi u bë simbol i lirisë filozofike, kombëtare dhe universale, sepse jeton për realizimin e lirisë dhe atë jo vetëm në një fazë jetësore, por tërë jetën.

Kështu, Adem Demaçi brenda vetvetes ka rezerva të pafund humaniteti dhe drejtësie, sepse një jetë të tërë u shkri për lirinë e kombit të tij. Në asnjë periudhë nuk e rreshti shprehjen e guximshme të ideve dhe pikëpamjeve të tij

Kështu, Adem Demaçi është shqiptari më antikonformist sepse asnjëherë nuk e rrudhi mendimin e tij për të gjitha ngjarjet, vlimet, kthesat brenda shqiptare dhe tërë kohën e luftës e kaloi në Prishtinë, pa frikë dhe druajtje se mund të vritej.

Prandaj Adem Demaçi u bë simbol i qëndresës, i burgosuri shqiptar numër një në ish Jugosllavi, frymëzues i gjeneratave të tëra, sepse fizikun, shpirtin dhe moralin e tij origjinal i vuri në shërbim të Atdheut, të vetëdijesimit të tjerëve se Kosova dhe viset tjera nën Jugosllavi janë të robëruara dhe se hapi i parë i çlirimit të tyre merret nga vetvetja.