Dallimet drastike e bëjnë të pamundur koalicionin LDK-VV
Ndonëse në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet nacionale, që u mbajtën në qershor, kishin bërë një aleancë parazgjedhorë, pas zvarritjes për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, në mes të LDK-së dhe VV-së, nga dita në ditë po thellohen ndarjet e tyre.
VV-ja thekson se dëshiron koalicion me LDK-në, e në anën tjetër e akuzon LDK-në, siç e ka akuzuar edhe në të kaluarën. Analistët vlerësojnë se asnjë koalicion nuk është për krijimin e institucioneve, por ato po bëjnë pengesa e bllokime për të gjetur pretekste hipokrite për shkuarje në zgjedhje të reja, për të provuar fatin edhe një herë përmes blerjes së madhe të votave në tetor 2017. Nga analistët thuhet se VV-ja në Prishtinë e ka zbritur çmimin e “ryshfetit e mitës “, në veçanti për Lejet e ndërtimit, ngase, sipas tyre, po u duhen lekët për të blerë votat në Prishtinë më 22 tetor. Politologu Gurakuq Kuçi tha për “Kosova Sot”, se ndarjet në mes LDK-së dhe VV-së në këtë fazë po ndodhin për shumë arsye. “Një koalicion mes tyre nuk ua mundëson kryeparlamentarin dhe nëse PAN-i i siguron votat për kryekuvendarin, automatikisht siguron votat edhe për Qeverinë”, u shpreh ai
Beteja për rikthimin e votave
Kuçi vlerëson se është LDK-ja ajo që i vuri kushte VV-së, të cilat nuk ia vuri për asnjë moment PDK-së. “LDK-ja nuk është e interesuar kësaj radhe të jetë në qeverisje, e sidomos ku do t’i mundësonte forcim më të madh VVsë dhe është e përqendruar më shumë në zgjedhjet lokale. Ngase, këto dy subjekte kanë mospërputhje të theksuara programore”, theksoi ai. Politologu Kuçi tha se edhe VV-ja dëshiron që PDK-në ta lërë në këtë mishmash të fundoset. “VV-ja është një nga komplotuesit për rrëzimin e Qeverisë ‘Mustafa'”, potencoi ai. Ai pyet se përse asnjë koalicion nuk është për krijimin e institucioneve, kjo pasi PAN-i dhe LAA-ja, e sidomos e para, kanë dalë larg me vota nga përllogaritjet parazgjedhore, ku kanë parashikuar një fitore që vetëm me minoritetet mund të krijojnë institucionet. ” Dhe, sigurisht që duan rikthimin e votës dhe këtë mundësi e shohin me dërgimin e vendit më 22 tetor në dy palë zgjedhje (lokale dhe qendrore), ku do të arrinin që të njëjtësonin votën për partinë në dy nivelet, kjo u konvenon vetëm LDK-së dhe PDK-së, metodë kjo që vret pluralizmin dhe demokracinë, gjë që ndërkombëtarët dyshoj se do ta lejojnë, vetëm nëse këta të fundit me këtë veprim po kërkojnë një zgjidhje përtej ruajtjes së ,” status quo-së”, që vendin do ta linte në mishmash edhe për disa vjet, por pastaj do të kishte ndryshime rrënjë- sore”, ka thënë politologu Kuçi.
Qeveria teknike si zgjidhje alternative
Analisti Florim Zeqa tha për ” Kosova Sot “, se thellimi i ndarjes në mes të LDK-së dhe LVV-së nuk është befasi, është vazhdimësi e çarjeve të mëhershme dhe rezultat i dallimeve të mëdha konceptuale dhe ideologjike. “Nuk janë risi as akuzat e ndërsjella mes këtyre dy subjekteve politike. Andaj, pa dashur të ndalem në të kaluarën e këtyre dy subjekteve, po i kthehemi realitetit politik të krijuar në Kuvendin e Kosovës nga seanca e parë e deri në të gjashtën”, u shpreh ai. “Pat-pozicioni nga seanca e parë është treguesi më i mirë i epilogut të zgjedhjeve të 11 qershorit. Pra, nga ky proces zgjedhor vendi nuk mund të ketë qeverisje të qëndrueshme dhe as kredibile, pavarësisht mundësisë së bashkëngjitjes së AKR-së koalicionit PAN. Përderisa pas seancës së gjashtë konstitutive të Kuvendit të Kosovës, koalicioni LDK-LVV është bërë edhe mision i pamundur”, u shpreh ai. Sipas tij, në këto rrethana, zgjidhja më optimale do të ishte formimi i menjëhershëm i një “Qeverie Teknike”. “Deri më 22 tetor kjo paraqet çelësin e zgjidhjes së nyjës politike, kur do të duhej të mbaheshin njëkohësisht zgjedhjet e përgjithshme (lokale dhe parlamentare), me shpresën për nxjerrjen e një rezultati më të mirë zgjedhor, i cili do t’i jepte legjitimet të plotë qeverisjes në të dy nivelet. Në të kundërtën, nëse kjo nuk ndodh, atëherë me këtë konstelacion forcash politike, pas zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, do ta kemi në situatë akoma më konfuze në nivelin lokal dhe atë qendror”, vlerë- son analisti Florim Zeqa. “Edhe pse nuk e thanë publikisht, të gjitha partitë politike nuk janë të interesuara për krijimin e institucioneve sa janë të interesuara për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme më 22 tetor”, ka deklaruar ai.
Parimet po shkelen
Analisti Faton Mehmeti vlerëson për gazetën “Kosova Sot” se konceptualisht LDK-ja dhe VV-ja janë krejtësisht të kundërta, njëra e djathtë dhe tjetra e majtë. “Në këtë sens edhe ideologjikisht janë të kundërta me njëratjetrën, por është interesi i përbashkët për pushtet që herë pas herë po i nxit për të biseduar për ndonjë koalicion”, u shpreh ai. “Kjo është fatkeqësia e politikëbërjes në Kosovë, pasi parimet nuk janë të rëndësishme përballë pazareve të interesave të njëra- tjetrës. Përkundër ndasive ideologjikisht, VVja dhe LDK-ja do të ishin bashkuar edhe para zgjedhjeve, nëse nuk do të ishte Isa Mustafa, ky është njeriu i së keqes jo vetëm në LDK, por edhe në mbarë Kosovën”, theksoi Mehmeti. “Jo vetëm që Isa Mustafa i ka bërë dëme të mëdha Kosovës, por ka fundosur partinë e tij aq poshtë sa nuk ka më ku shkon më keq dhe vazhdon ende të bëjë lojëra politike”, u shpreh më tutje ai. “Më duket krejt i pavend ndonjë koalicion i tanishëm në mes VV-së dhe LDK-së, edhe nëse arrihet ndonjë koalicion i tillë do të jetë i padobishëm, pasi fituesi është PAN-i dhe ata ose e bëjnë Qeverinë, ose vendi shkon në zgjedhje. Prandaj, i quaj diletantizëm përpjekjet në mes VV-së dhe LDK-së, duke qenë se nuk do të ketë asnjë dobi nga e gjithë kjo”, ka thënë analisti Mehmeti. “Do të ishte krejt ndryshe nëse do të bëhej një koalicion i tillë para zgjedhjeve edhe shi për këtë personalisht jam kundër koalicioneve të panatyrshme për interesa ditore”, vijoi më tej ai. “Derisa VV-ja është shndërruar në çerdhe të vehabistëve, LDK-ja ka një program krejt perëndimor, e kjo besoj se do të ishte e mjaftueshme që këto parti mos të bëjnë koalicion për interesa, derisa në qelizë nuk janë një- soj, pra janë parti antagoniste”, potencoi Mehmeti. Zgjedhjet lokale zbulojnë marifetet e Kurtit Analisti politik Ragip Guraziu tha për “Kosova Sot’ se VV-ja dhe Albin Kurti nuk e kanë synimin e bashkëpunimit me LDK-në. “Synimi i tyre është Prishtina dhe dosjet! Në seancën e së enjtes, Albini tregoi publikisht se sa rëndësi e kanë formimin e koalicionit me LDK-në, dhe tani të premten, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka bërë të ditur se sot ka pasur një takim në mes të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri dhe deputetit Albin Kurti, nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje” (VV). Ky takim është në stilin e thënies popullore: Më ka dërguar nëna për me la gojën! Po këta me la po e lajnë gojën, por me shpërla po harrojnë”, u shpreh ai. Analisti Guraziu vlerëson se Kurti ka menduar se nëpërmes këtij koalicioni do të bëhet kryeministër, për të siguruar pak buxhet për zgjedhjet lokale tani në tetor, por kjo do t’i dështojë. “Tani, kjo do shihet në zgjedhjet lokale dhe do të zbulohen në tërësi marifetet e Albin Kurtit”, u shpreh ai . Sipas tij, VV-ja gati sa nuk e dogjën Parlamentin dhe ai gazi lotsjellës ende mbetet në kujtesën e qytetarëve të Kosovës.
(Kosova Sot)


