UBT

Vllaznia nuk qëndroi deri në fund, mposhtet nga Llapi

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Në stadiumin e qytetit në Gjilan në praninë e mbi 1.500 shikuesve, Vllaznia e Pozheranit anëtare e re e Superligës së Kosovës në futboll, zhvilloi ndeshjen e parë historike si vendëse me Llapin e Podujevës.

Ashtu si në javën e parë kur u mposht nga Feronikeli në minutat e fundit, kjo i ndodhi edhe në ballafaqimin e sotëm me Llapin duke u mposhtur me rezultat 0-1.

Në pjesën e parë kryesisht u zhvillua ndeshje e barabartë, të dy skuadrat patën nga një rast.

Sulmuesi i Llapit, Mirlind Daku në minutën e 7-të, gjuan furishëm por Bajrami i Vllaznisë mbron.

Në minutën e 37-të, Karabegu gjuan furishëm nga distanca portieri Afrim Ademi nuk reagon mirë, topin dëbon gjerë te Alban Shillova i cili ngatërrohet dhe nuk shënon.

Pjesa e dytë i takoi futbollistëve të Llapit, por në minutën e 50-të, Rexhepi i Vllaznisë nga 5 metra dështon për të shënuar në portën e Llapit.

Mobi Casa

Mysafirët në minutën e 55-të, nuk e konkretizojnë penaltinë, gjuajtjen e Mentor Zhdrellës e mbron Jasir Bajrami.

Tre minuta më vonë gjyqtari Kosumi e largon trajnerin e Vllaznisë, Bekim Isufin nga pankina për shkak fjalosjes.

Kur ndeshja shkonte në barazim në minutën e 87-të, Mirand Maksuti pas një depërtimi nga 13 metra me gjuajtje të fortë e të saktë mposht Jasir Bajramin, duke i sjell tri pikë të vlefshme skuadrës së tij.

Pas ndeshjes trajneri Bekim Isufi i Vllaznisë deklaroi.
“Këtë ndeshje e falëm me gabimet tona ashtu si ndeshjen e parë, nuk po kemi fat, dy ndeshje të pësosh në minutat e fundit është e padrejtë dhe po na mungon përvoja, por ne do të vazhdojmë të punojmë”.

Trajneri i Llapit Batatina theksoi.
“Me rëndësi për ne janë tri pikë, ndërsa lojërat e bukura do të vijnë dalëngadalë.

Në javën e tretë skuadra e Vllaznisë udhëton në Gjakovë për tu përballur me Vllaznimin ndërsa Llapi e pret Gjilanin./rajonipress/