Drejtësia “harron” aferat milionëshe
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës qëllimisht merren me ndjekjen dhe gjykimin e disa rasteve – veprave të vogla penale sa për statistikë dhe sa për të arsyetuar se kinse po punojnë, derisa duke u marrë me lëndë penale të peshës së vogël, ata tentojnë që të heqin nga “rendi i punës” veprat e rënda penale të kryera nga ” peshqit e mëdhenj”.
Sipas tyre, prokurorët dhe gjyqtarët, duke ndikuar në vjetërsimin e veprave penale të ” padronëve të tyre”, mundësojnë pasurimet milionëshe të mafisë politike dhe oligarkisë kriminale dhe me veprimet e tyre prokurorët dhe gjyqtarët e vrasin drejtësinë dhe të vërtetën, duke mundësuar kështu mosndëshkimin e krimit.
Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se përse gjykatat dhe prokuroritë, sidomos fshihen e merren me disa raste të vogla të kota, duke mbyllur dështimin e tyre me rastet serioze. Për atë se si dhe pse i kanë diktuar politika dhe të fortët e pushtetit për 17 vjet emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe pse vetëm lidhjet me pushtetin politik të sjellin në pozita të forta në gjykata dhe prokurori, gjë që për pasojë ka realitetin ku “peshqit e mëdhenj” të inkriminuar, qoftë në nivelin lokal apo atë qendror, nuk guxojnë t’i hetojnë seriozisht dhe as t’i fusin në burg duke i ndaluar, flet shkrimi në vijim.
Rastet vjetërsohen qëllimisht
Profesori universitar Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se kjo është çështje veç e ditur, pra që gjykatat po merren kryesisht me rastet e vogla, e ku grupet informale nuk kanë interes dhe as që veprojnë, dhe kryesisht janë rastet pa vlera e ku nuk ka mundësi për korrupsion dhe krim. “Në të dhënat e bëra publike vërehet se nëpër gjykatat e Kosovës janë me qindra e mijëra raste të pazgjidhura. Mendohet: 1. Fusha penale në rrafshin ekonomik, korruptiv dhe të krimit të organizuar, del se mbi 40% të rasteve janë vjetërsuar. 2. Rastet që janë zgjidhur vijnë kryesisht nga fusha e krimit të ulët, si rrahjet, vjedhjet e përditshme të xhepave etj. 3. Rastet e rënda të krimit ekonomik dhe të fushës së krimit financiar janë të lëna në sirtarë. 4. Fusha civile është tërësisht e anashkaluar dhe rastet janë diku rreth 400 mijë të pazgjidhura në tërë vendin. 5. Të gjitha rastet ku subjekte të krimit janë nga fusha politike kemi mbulim të tërë- sishëm”, është shprehur ai. “Pra, çështja e zgjidhjeve të rasteve është bërë kryesisht sipas vlerës, nivelit dhe pozitës e forcës politike e ekonomike që e kanë pasur të akuzuarit.?Pra, tërësisht kanë mbetur të pazgjidhura rastet e krimit ekonomik dhe politik, si dhe të krimit nga pozita e pushtetit shtetëror”, u shpreh profesori universitar, Muhamet Kelmendi.
Prokurorët të lidhur me mafinë politike
Analisti Ymret Reshiti thotë se gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës qëllimisht merren me ndjekjen dhe gjykimin e disa rasteve- veprave të vogla penale, sa për statistikë dhe sa për të arsyetuar se kinse po punojnë, derisa, sipas tij, duke u marrë me lëndë penale të peshës së vogël, ata tentojnë që të heqin nga “rendi i punës” veprat e rënda penale të kryera nga ” peshqit e mëdhenj ” . Reshiti tutje nënvizon se kjo paraqet një strategji të tyre, që si synim ka amnistimin nga ndjeka dhe ndëshkimi për veprat e rënda penale, të cilat i kanë kryer njerëzit e fuqishëm të politikës dhe oligarkisë kosovare. ” Duke u marrë me veprat penale të peshës së vogël, prokurorët dhe gjyqtarët e caktuar shpenzojnë kohën kështu duke krijuar rrethana të favorshme për të parashkruar (shlyer) veprat e rënda penale të bëra nga pushtetarët dhe oligarkët . Është paradoksale për sistemin e drejtësisë kosovare, që të ndodhë që një mori lëndësh të veprave të rënda penale të korrupsionit ky dyshohet për miliona keqpërdorime parashkruhen qoftë në sirtarët e prokurorëve të shtetit, qoftë në sirtarët e gjyqtarëve”, ka potencuar ai. “Prokurorët e familjes së mafisë politike dhe oligarkisë në shumë raste mundësojnë parashkrimin e ndjekjes penale ndaj padronëve të tyre- kryesve të veprave penale, kështu duke pamundësuar ndjekjen zyrtare nga shteti për shumë vepra korruptive milionëshe. E njëjta ndodh edhe me disa gjyqtarë, të cilët punojnë në drejtim të parashkrimit (vjetërsimit) e gjykimit dhe ndëshkimit të kryesve të veprave kriminale- padronëve të tyre, duke pamundësuar vërtetimin e fajësisë për veprat e kryera penale. Sigurisht, në rrethin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të tillë, hyjnë të gjitha ata të cilët janë emëruar pa merita në pozitat e gjyqtarit dhe prokurorit nga mafia politike që qeveris me pushtetin”, u shpreh ai.
Banditët e mëdhenj po amnistohen
Sipas Reshitit, prokurorët dhe gjyqtarët duke ndikuar në vjetërsimin e veprave penale të “padronëve të tyre”, mundësojnë pasurimet milionëshe të mafisë politike dhe oligarkisë kriminale. “Me veprimet e tyre, prokurorët dhe gjyqtarët e vrasin drejtësinë dhe të vërtetën, duke mundësuar mosndëshkimin e krimit”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Ymret Reshiti. Analisti Naim Miftari shprehet se, sipas mendimit të tij dhe gjendjes reale në fushën e drejtësisë në Kosovë, nga pas lufta ka ligj dhe drejtësi vetëm kur i akuzuari është “peshk i vogël” apo kriminel i vogël dhe vetëm ato raste penalizohen dhe dënohen. “Por, kur janë në pyetje keqpërdoruesit e milionave e qindra milionave për këta keqpërdorues ligji nuk ekziston, pasi ata kriminelë janë të lidhur me pushtetin dhe politikën, pra kur futet në pushtet dhe politikë mafia në atë vend nuk do të ketë stabilitet jo me vite, por me dekada të tëra”, spikati për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari


