Eko Higjiena

Partitë nën tutelën e liderit, rrënuese të demokracisë

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Shpresat shekullore të qytetarëve të Kosovës, se me lirinë dhe pavarësinë do të lulëzojë gjithçka, i shuajti klasa politike vendore. Ishin vetë të gjitha partitë shqiptare rrënueset kryesore të demokracisë, të zhvillimit ekonomik, duke vepruar kundër shtetit të së drejtës me sundim të ligjit në Kosovë.

Analistët e politikës dhe specialistët e kësaj fushe thonë se këto parti politike vendore nuk funksionojnë sipas një parimi demokratik e ligjor, por ato si të ishin klane që i shërbejnë të parit të partisë dhe klaneve klienteliste e mafiooligarkike që i rrethojnë.

Analistët pyesin se si mund të kemi pushtet demokratik, kur nuk kemi demokraci të brendshme partiake. Këto parti politike jo vetëm që nuk kanë dhënë dhe nuk po japin asnjë kontribut për zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve, por nga babëzia e pangopësia vetëm e kanë zhvatur e plaçkitur shtetin pandalshëm e në vazhdimësi. Analisti politik, Hidajet Ahmeti tha për ‘Kosova Sot”, se është faktike se demokracia brendapartiake është vetëm në letër, kurse praktikisht brenda partive politike kosovare funksionojnë klanet, të cilat dirigjojnë partitë politike.

Standardi i mbrapshtë

Sipas Ahmetit, nuk mund të udhëhiqemi brenda kornizës së parimeve demokratike, kur jemi të vetëdijshëm se në Kuvendin e Republikës së Kosovës përfaqësohemi nga paritë politike me deficit të demokracisë të brendshme partiake. “Reflektimi i një fryme diktati vërehet çdo ditë, si në mënyrën e funksionimit të brendshëm të partive politike, por edhe në qeverisje, si në nivel lokal ashtu edhe qendror”, është shprehur ai për “Kosova Sot”. “Prodhimi i një atmosfere të tillë, e cila po ndërton një standard të mbrapshtë të funksionimit të brendshëm të partive politike, çdo ditë e më shumë po largon shtetin nga fryma e demokracisë. Kjo frymë e diktatit është prodhuar nga të gjitha partitë politike kosovare, posaçërisht ato parti politike, të cilat kanë udhëhequr nga pas lufta”, vijoi më tutje ai. “Gjykoj se përgjegjësia nuk është vetëm e partive politike, por edhe të gjitha mekanizmave të shoqërisë civile, të cilët kanë lejuar të prodhohet një fryme e diktatit “, ka thënë analisti Ahmeti. Ai është i mendimit se partitë politike udhëheqëse kanë minuar terrenin e mekanizmave të tjerë të shoqërisë civile, duke zbehur rolin e tyre brenda mandatit ligjor e kushtetues dhe njëkohësisht duke prodhuar mekanizma shërbëtorë të pushtetit dhe partive politike. “Pikërisht kjo formulë e funksionimit ka mbajtur gjallë partitë politike të diktatit dhe ka prodhuar frymën e mbrapsht të funksionimit të shtetit, duke prodhuar një gjendje anarkie dhe duke sjellë shtetin në një “vdekje klinike”, theksoi Ahmeti.

Degraduesit e shtetit

ARKATANA

Ragip Guraziu, analist politik, tha për gazetën “Kosova Sot’, se si mund të kemi pushtet demokratik, kur nuk kemi demokraci, ku subjektet politike as që e dinë bile çka do të thotë demokraci,sepse askund nuk e përdorin demokracinë, derisa janë duke zhvatur vetëm për të parin e partisë dhe të dëgjueshëm për të. “Këta që e degradojnë shtetin dhe ekonominë e shtetit, fare nuk interesohen për mirëqenien e qytetarëve dhe interesimi i tyre si të pasurohen, korruptohen dhe kjo do t’i ndjekë këto parti politike, të cilat edhe ashtu janë të dobëta në udhëheqje. Me një ekonomi të varrosur, me oligarkët partiakë të të gjitha partive, Kosova dita-ditës sa vjen e po degradohet nga këta matrapazë të partive politike, që më shumë u intereson pasurimi i paligjshëm i tyre sesa shteti i Kosovës dhe zhvillimi ekonomik i tij”, potencoi ai. Prandaj, sipas Guraziut, rrënuesit kryesorë janë vetë ata të cilët nuk kontribuojnë për zhvillimin e shtetit, ekonomisë së saj dhe nuk e njohin sundimin e ligjit

Udhëheqësit mbi ligjin

Analisti politik Faton Mehmeti tha se tek ne liderët politikë janë prijës autoritarë dhe jodemokratikë, prandaj edhe në partitë politike nuk ka demokraci dhe debat të mirëfilltë, por vetëm dëgjim, servilizëm dhe zbatim të urdhrave. “Defekti kryesor i shoqërisë sonë qëndron në faktin se qytetarët e kanë lidhur fatin e suksesit me krijimin e raportit me liderët autoritarë, e jo me programe apo bindje”, u shpreh ai. “Lideri ngritët mbi ligjin dhe shtetin. Ndërsa konkurrenca e mirëfilltë nënkuptohet si armiqësi, e jo si vlerë komplementare që motivon shoqërinë drejt zhvillimit. Për momentin, është vështirë të pritet në një të ardhme të afërt që kriter gjatë votimit të mos jetë klientelizmi partiak, por programi politik. Partitë politike në Kosovë sot kanë më shumë klientë dhe shfrytëzues të shërbimeve të tyre, në nivele të ndryshme, sesa votues të thjeshtë”, theksoi analisti Mehmeti. “Partitë politike kanë qenë më shumë të organizuara si lëvizje rreth një lideri, me qëllimin kryesor për ta zgjidhur çështjen e statusit politik të Kosovës, sesa si subjekte të vërteta politike që përfaqë- sojnë shtresa të caktuara shoqërore, ideologji dhe interesa të caktuara. Lideri dhe lidershipi i ngushtë nuk i japin përgjegjësi apo llogari anëtarë- sisë dhe elektoratit”, vijoi më tej ai. Sipas Mehmetit, partitë politike janë të uzurpuara nga disa klane, të cilat kanë qëllim të vetëm dhe primar zhvatjen e shtetit, dhe në këtë aspekt nuk janë mbrapa, pasi kanë avancuar shumë duke dëmtuar vendin. “Të gjitha partitë politike, kush më shumë e kush më pak, kanë kontribuar që Kosova të degradohet, të korruptohet dhe të zhytet në humnerë”, është shprehur ai.

Mashtrimi i elektoratit

Analisti Florim Zeqa tha për ” Kosova Sot’, se partitë politike (shqiptare) kosovare, nuk respektojnë rregulla e ligje, nuk respektojnë programe e koncepte politike, nuk respektojnë rendin demokratik dhe as afatet ligjore para dhe paszgjedhore,…si të tilla më së paku u ngjajnë partive politike. “Përveçse në rrënuese kryesore të demokracisë, partitë aktuale politike janë bërë pengesa kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit, shkaktarët e ngulfatjes së sistemit të drejtë- sisë dhe kapjes së të gjitha institucioneve shtetërore”, është shprehur ai. “Me një fjalë, të gjitha partitë politike, kush më pak e kush më shumë, janë shndërruar në zhvatëse dhe plaçkitëse të buxhetit të shtetit, duke mos e dhënë as kontributin minimal për zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Mungesa e demokracisë së brendshme, liderët partiakë të rrethuar nga klanet mafioze dhe grupet klienteliste i ka bërë të paprekshëm nga ligjet dhe drejtësia vendore, e aq më të paprekshëm dhe të paarritshëm nga nismat për ndryshime pozitive dhe reformim substancial”, potencoi ai. “Asnjëra nga partitë politike nuk funksionojnë sipas parimit demokratik dhe meritokracisë, shkaku i klaneve dhe klientelave që u shërbejnë liderëve partiakë, të cilët zgjidhen dhe emërohen (riciklohen) brenda partisë sipas orekseve të liderit e jo sipas kërkesës së elektoratit. Po ndodh pikërisht kështu për faktin se asnjë subjekt politik nuk e pyet elektoratin për asgjë; as për lidhje koalicionesh, as për lista zgjedhore e më së paku për kandidat për kryetar komunash”, vlerëson analisti Florim Zeqa. Ai është i mendimit se, partitë, elektoratit i drejtohen vetëm gjatë fushatave zgjedhore, derisa t’i grabitin votën nën mashtrim, më pastaj i lënë në harresë të ndarë dhe përçarë pas hipokritëve ordinerë, grabitqarëve të pushtetit përmes lojërave djallëzore dhe maskaradave mashtruese gjoja në emër të interesit të shtetit dhe qytetarëve. Po, siç duket, këtyre lojërave të politikanëve hipokritë po u vjen fundi. “Elektorati kosovar gjithnjë e më shumë po vetëdijësohet dhe ndërgjegjësohet për fatin e tij dhe të ardhmen e shtetit”, ka potencuar ai.

(Kosova Sot)